TIRANE - Vdekja e Mazarekut i risolli brezit tim memorien e krejt asaj kohe kur dëgjimi i muzikës së Doors-ave ishte një herezi e vërtetë. Rëndom në Tiranën e fillim-viteve '80 kishim lajme për dënime që vinin nga të interpretuarit e muzikës italiane dhe kjo na e shtonte emocionin dhe adrenalinën kur nëpër bodrumet e kryeqytetit këndonim natën, jo Lucio Battistin, se per Celenetanon e sheqerosur nuk bëhej fjalë (sipas nesh), por pikërisht Five to Onetë Doorsave apo Stairway to Heaven të Led Zeppelin; e mandej edhe Child in Time nga Deep Purple apo pjesë nga The Final Cut i Pink Floyd-ave.

E ndjej ende erën e atyre kohëve, kur me Ad Tafilin shkonim tek Men Musaraj dhe bëheshim tapë me konjak duke dëgjuar kitaren e tij mitike, apo në mbrëmjet konfidenciale të Genc Dashit, në shoqërinë e vajzave “trasgresive“ të kryeqytetit (ku konviktoret, nuk e di sepse, nuk mund të ftoheshin).

E nuk linim rast pa dëgjuar as Gon Veshin e Kol Shehun që me variacionet e tyre të llahtarshme për kohën na bënin të shkapërcenim kufijtë psiqike të diktaturës e të shkonim mijëra kilometra larg, aty në Perëndimin e Largët ku muzika psikodelike dhe rhythm’n‘blues i kishin tronditur përfundimisht brezat dhe fuqia e asaj muzike, shkaterruese ndaj moralit të verber, kish mbërritur deri në Tiranën e ftohtë e të humbur.

I jemi mirënjohës tastieristit të madh Manzarek, hostenit të Jim Morrisonit, për momentet e magjishme që na fali ne shqiptarëve të rinj në terrin e burgaturit ku qemë të destinuar ta shkonim rininë tonë.

E lehte te qoftë lëndina Ray! Pushofsh në Paqe e të shoqërofshin në amëshim tingujt e Indian Summer!

Shkrimi u botu sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.05.2.013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)