Mehmet Kraja, Gjeografia arbërore
në romanin e ri “E zeza dhe e kuqja”

Mehmet Kraja, Gjeografia arbërore<br />në romanin e ri “E zeza dhe e kuqja”
Romani më i ri i Mehmet Krajës “E zeza dhe e kuqja”, vazhdon të marrë lëndë nga e njëjta hapësirë dhe kohë brenda së cilës janë frymëzuar edhe katër romanet e tij pararendës: “Selvitë e Tivarit” - që shtrihet në deceniet e para të shekullit njëzet me rrudhjen e hapësirës arbërore nga sllavët e veriut, “Im atë e donte Adolfin” - shtrirë mbi hapësirën e malësisë shqiptare Krajë-Ulqin, në kapërcyell të luftë së Dytë Botërore, me ëndrrën  krajane për ta hequr kufirin dhe për t’u bërë Shkodër, “Hotel Arbëria” – me përmbysjen e diktaturës komuniste në fund të shekullit dhe fatin e shqiptarëve përjashta kufijve shtetërorë të Shqipërisë, si dhe romani “Edhe të çmendurit fluturojnë” – me Kosovën e çliruar nga NATO në fund të shekullit njëzet dhe në shkelje të shekullit njëzet e një.
 
Saga familjare e disa brezave
Vepra “E zeza dhe e kuqja”, duke u shtrirë kryesisht në tërë shekullin njëzet të po kësaj hapësire, por edhe përtej në retrospektivë, duke hedhur dritë edhe në deceniet e fundit të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit njëzetenjë, përkatësisht duke e përmbyllur me njëqind vjetorin e shtetit shqiptar, (2012) sublimon në një shtrat bashkë zërat tematikisht të mëvetshme të katër romaneve që i paraprijnë. Këtë sintezë hapësire dhe kohe arbërore, me romanin më të ri, Mehmet Kraja e realizon përmes kronikës familjare të bogdanajve krajanë, artikuluar përmes tri pjesëve që në fakt janë tre libra, tre romane brenda një sage romanore. Mbarë krijimtaria e tij e ka të pranishme një hapësirë gjeografike shqiptare, brenda së cilës jetojnë personazhet e tij, disa prej tyre duke u shfaqur rishtazi. Është gjithashtu një qytet në epiqendrën e vëmendjes dhe ky qytet është Shkodra, që në këtë roman vjen në funksionin e një metafore, me shpërthime brenda një njëqindvjeçari, sa para tij sa pas tij, dhe që i bie të jetë shekulli njëzet shqiptar. Në këtë hapësirë, narratori, që mund të perceptohet edhe si personazh, sikur ka një detyrim të paplotësuar, një si pengmbetje, përballë të dy hapësirave. Së këndejmi, si njëra, si ngasja e dytë, vijnë udhëtim i mjegullt dhe i ankthshëm njëherësh, që është realiteti shqiptar i shekullit.

Romani “E zeza dhe e kuqja” vjen kurorë përmbyllëse e katër romaneve të parë përmes sagës familjare të bogdanajve, tek të cilët shtyllë e parë e frymëzimit dhe vizionit janë rropatjet e tyre për ta hequr, për ta mposhtur dhe për ta zotëruar kufirin dramatik dhe tragjik, mes tyre dhe Shkodrës. E veçanta përmes kësaj kronike historike të  bogdanajve në këtë roman, është poetika narrative që arrin përsosmëri majash në prozën romanore të shqipes. Kronika familjare do rrëfehet nga disa perspektiva: nga zëri i brezit të katërt, nipit të stërgjyshit Abdullah Bogdani, që vjen zë margjinal nga sokaku i një lagjeje të Stambollit të fundshekullit  nëntëmbëdhjetë, mandej nga ai i gjyshit Halil Bogdani dhe i babait Salih Bogdani. Tërë hapësira kohore, gjyshore e stërgjyshore – ndërmendet nga narratori si zë testamentar i shiritës në kohë, herë si imagjinatë e supozuar – ëndërrimesh e trazimesh, diskurs që nxit – tërheq e shtyn përpara – për s’di se ku – si ai i udhëtimit arbëror-shqiptar ndër mote...
Veçori e ëndrrës shqiptare, është vizioni, janë idetë, është shpirti, perceptimi që kanë njerëzit për veten, për botën, për ëndrrat, janë disa nga shtresimet vizionare që krijojnë fizionominë e një periudhe, të një shekulli të veçantë. Pikërisht këtë shekull, shekullin e njëzetë shqiptar, rreket të na i rrëfejë nipi krajan i bogdanajve, në romanin “E zeza dhe e kuqja”.
 
Shkodra si metaforë
Shkodra, qytet nga më të lashtët në hapësirën arbërore, me traditë ilirike, pashallarësh, agallarësh e feudalësh, me priftërinj e hoxhallarë, me kisha e xhami shekullore, me misionarë e vizitorë të huaj, shfaqet ëndërr e lindur, e përjetshme e krajanasve. Edhe vetë qyteti, në kufi me rrezikun permanent nga veriu, me drojën e përhershme nga lakmia sllave për ta pushtuar e zotëruar, kurrë s’ka pasur vizion të qartë për mbishkodrën, as ndjesi për të sotmen e as të nesërme. Krajanët, ndërsa, nuk kanë hequr dorë  nga ëndrra e lindur, për t’u futur e strehuar nën qiellin e Shkodrës, nga ëndrra për t’u bërë Shqipëri. Ndërsa, sa më i madh zhgënjimi pas çdo takimi i krajanit me Shkodrën, aq më shumë shfaqet nevoja rishtazi e pashuar për takim të ri, që fillon nga e para, njësoj ëndërror e udhërrëfyes, lehtësues i të gjitha brengave e rropatjeve të ditës, dhe gjithnjë duke u kthyer duarbosh, i fyer e i përbuzur. Lidhja, ndërsa, mbetet e pa alternativë, përcaktim jetik, ekzistencial, qoftë për ta zhbërë kufirin, për t’u bërë Shkodër, qoftë për të shitur prodhimet e jetës a për të blerë pushkën tek pazari i shkodranëve, për t’u bërë bashkë në betejat e radhës. Për çdo gjë Shkodra është tempull shpëtimtar, i të gjithëve, brez pas brezi, i bogdanajve dhe krajanajve, të lidhur pas qytetit metaforik. Në romanin e Krajës, çdo vizitë e tyre e radhës në Shkodër, sjell detaje të reja nga takimi me të, me shkodranë të rastit apo të qëllimtë, përfilljen dhe mospërfilljen e tyre ndaj krajanëve, ku nuk mungojnë as dinakëritë, qesëndisjet e krajanëve, me sheherlitë. Të shpeshta janë shpotitë e krajanëve kur kërkojnë hajmali nga klerikët shkodranë, bie fjala për ta shëndoshur qenin e sëkëlldisur. Në këtë komunikim jetik, në këtë mori jep dhe merr, rrëfimi romanor i Krajës si realizim artistik është i veçantë në prozën romanore të shqipes.
 
 
Shpresa si strehë dhe si zhgënjim
Shkodra reale, është trualli, streha që ëndërrojnë krajanët, sa besojnë që e kanë – e ajo gjithnjë e huaj, refuzuesja, përbuzësja... Është  vatër mbështetje për shpresën, e në fakt fatalitet që s’të mban e s’të lëshon:       
“... Nga ana e Kalasë kishte dalë një diell i zbehtë dhe Halil Bogdani një grimë herë e mbajti dorën mbi sy, iu duk sikur qëndronte pezull mbi tisin e mjegullës, e cila për një çast mbuloi Shkodrën në të gjitha anët, shehri i Shkodrës e shikonte disi turbullt matanë perçes nazike, zërat e Shkodrës vinin të përtejmë dhe humbnin shpejt pjerrinave të Kalasë, dhe të fushëtirës përposhtë saj, pak më andej Halil Bogdani kundroi liqenin që ishte shtrirë shakull dhe dukej sikur dremiste në një gjumë pa ëndrra, në të dy anët e Kalasë shtëpitë e mbledhura kruspull kishin vetëm pullaze që lageshin në shi, dhe më tej, në anë të Taraboshit dukej sikur retë i merrnin shkëmbinjtë në krah dhe i çonin diku matanë majave, Halil Bogdani atë çast provoi një ndjenjë të çuditshme boshllëku, njësoj si unë, kur një herë kam qëndruar mbi po atë Kala të Shkodrës, duke menduar se kurrë, kurrë nuk do t’ua gjej kuptimin gjërave që shihen dhe të tjerave që nuk shihen me sy, dhe kurrë, kurrë nuk do të kuptoj përse ajo ditë ishte pikërisht ajo ditë, përse shiu ishte pikërisht ai shi, ndaj në mendje më qe bërë një pirg i lartë i hijeve pa dritë dhe pa objekte që mund të hijezoheshin, në atë vend do të kishte qëndruar edhe Halil Bogdani, ndoshta duke shikuar pikat e shiut që siteshin hollë mbi kalldrëmin e rrugës dhe mbi muret e Kalasë, diku shiu mund të ishte ndalur dhe, bashkë me vdirrjen e fëshfërimës së tij, mendjen më në fund, mund t’ia kishin braktisur kuptimet që nuk i dinte ...”( faqe 30)

Shkodra, do të jetë personazhi bosht metaforik, fjalë e parë e krajanëve, mendim i parë sapo hapin sytë në mëngjes, përkatësisht mendim me të cilën i merr gjumi, është ekzistencë, është mbështetje pa të cilën s’munden, është truall Anteu. Është qyteti tek i cili përplasin ëndrrat, shpresën, vuajtjet, dhembjen, plagët, ai ndërsa –qyteti, sa magjik dhe përthithës sa mospërfillës, sa miqësor sa mizor dhe rishtazi, rishtazi i ëndërruari, i cili sapo u bëhet se e prekin, se futen dhe ecin rrugëve, sokakëve dhe kalldrëmit të tij, ngel njësoj i largët, i pakapshëm, njësoj ndjellës dhe refuzues, dhe gjithnjë i përjetshëm ky komunikim konfuz dhe i ankthshëm që s’ka të sosur. Kufiri, ndërsa, më i përhershmi, rishtazi fillon dhe ngrihet i hekurt, i plumbtë, vrasës. Por, të pa shuara, të pa mposhtura edhe sfidat, mësymjet e krajanëve për ta kaluar atë, për ta zhbërë, për t’u flijuar, për t’u vetëflijuar. Të tillë e ndjejnë që me lindje këtë përcaktim të brendshëm,  prandaj aq të gatshëm përballë çdo sfide ata ia mësyjnë thuaja se edhe këmbë nëpër liqen, për të dalë në Shkodër. Është si një pikëcaktim jetësor, qiellor, thuaja i shenjtë, dhe çudia e këtij rrëfimi romanor, është se nuk do të ndodhë asgjë në këtë shkallë ëndërrore, asgjë madhështore për brezat e familjes Bogdanaj të Krajës. Tërë kjo lidhje e lindur nga larg do jehojë si një mbështjellje me veshjen e një demoni kotësie: e kotë Shkodra, i kotë kufiri, të kota ëndrrat, vdekjet, flijimet, e kotë Kraja, të kotë personazhet e shumtë gjatë një shekulli e përtej, i kotë edhe kërkimi për ta gjetur veten, për ta gjetur njëri-tjetrin, i krajanëve dhe shkodranëve, të ndërkryer, që të gjithë të kotë në ëndërrime e veprime, të tillë nën qylafin osman, të tillë në betejat e fillimshekullit njëzet, të tillë me mbretin dhe mbretërinë e vet, të tillë nën mbretin diktator, në fund të tij por dhe përtej, të tillë në përmbysje të tyre, të tillë në fillim të shekullit të ri. Natyrisht, kjo kotësi rropatjeje mbetet një ndër shijet mbresëlënëse pas leximit të romanit, përkatësisht pas leximit të tre romaneve brenda romanit më të ri të Mehmet Krajës me titull “E zeza dhe e kuqja”.
 
E keqja e gjithëpranishme
 
E zymtë është historia e rrënjëve bogdanaj, e tillë edhe e pinjollit të kësaj familjeje, e brezit të katërt të saj... Këtë ngrysje ka tërë hapësira shkodrane-krajane dhe tërë hapësira arbërore... Tërë universi njerëzor i saj sikur e ndjenë praninë e një të keqeje, rrotull dhe nëpër këmbë, të cilën nuk mund ta identifikojnë qartë. E mpirë vjen edhe natyra përreth që është identike me thatësinë shpirtërore të personazheve, në bëmat dhe ekzistencën e tyre... Rebelime dhe beteja të kota, edhe brenda llojit, që s’dihet pse ndodhin dhe pse kanë ndodhur, për kë, me kë dhe kundër kujt, fundja siç ka pasur dhe do të ketë në historinë njerëzore. Kraja e zotëron kohën dhe hapësirën shpirtërore nga merr lëndën e frymëzimit, e sjell atë me lehtësi dhe elegancë të rrallë në rrëfimin romanor. E njeh shpirtin e topografisë, shtigjet dhe lakoret e reliefit, sfidat dhe huqet e natyrës dhe lëviz nëpër to njësoj i sigurt...

Poetika narrative e Mehmet Krajës në këtë roman, është dëshmi se ai, krahas imagjinatës, në dellin e vet krijues e ka të ndezur ndjesinë për t’u identifikuar me botën e personazhit në kontekst dhe situata të ndryshme, ka ndjesi të rrallë për hapësirën, për peizazhin, refleks të mprehtë për të animuar edhe natyrën, për të rrëfyer në emrin e personazhit dhe universit natyrë, për të bërë hapjen e dy sferave nga brenda, dhe duke u njësuar me të ... Shtrati narrativ i romanit përfshin çaste shkrirjesh të distancave, të barrierave, të statuseve dhe perspektivave, duke nxitur dhe stimuluar rrjedhën e qetë, të shtruar të narracionit në kohë dhe hapësirë. Poetika e tillë autorit i krijon hapësirë për lëvizje refleksionesh të brendshme, që pluskojnë dhe vërshojnë natyrshëm përtej kufijve të kornizuar tematikë,  duke sjellë spektër detajesh të pleksura e gërshetuara në kohë, topose hapësinore, kalendarike e psikologjike, metafizike e filozofike, asociacione dhe nuancime refleksesh e shtresimesh pa fund vetëm brenda një paragrafi romanor. Mehmet Kraja është i rrallë në prozën bashkëkohore shqiptare, për mjeshtërinë e thurjes së ngjarjeve varg, që pa shkëputje sjellin kompozim tërësor tekstesh, pamje dhe artikulime të plota dhe kompakte vetëm brenda një paragrafi. Përsosmëria artistike e narracionit romanor në këtë rast, vjen si harmoni, si balancim harmonik i lëvizjeve të brendshme të personazheve, i dritëhijeve të botës së tyre, dhe i jep ndjesi të fuqishme estetike poetikës narrative të Krajës.

Një nga kapitujt e veçantë është kapitulli i gjashtë i librit të parë të romanit. Brenda këtij kapitulli përfshihet edhe një takim i Faik Konicës me Edit Durhamin në Shkodër. Konteksti i rrethanave të këtij takimi është dramatik: ditët ballkanike të luftës, Shkodra i dorëzohet ushtrisë të Malit të Zi, ajo tani nga një pushtim shekullor hyn nën një tjetër, nga një perspektivë më armiqësore se e para. Dhe krejt kjo është fakt i njohur historik, historik janë edhe dy personazhet në fjalë, të tjerat ndërsa, takimi, bisedat, ambienti, janë prurje të imagjinatës të autorit, që mëton përmes rrëfimit të sjellë të gjallë çastet dramatike në qytet, zinë që ka mbuluar atë, psikozën, ankthin që ka mbërthyer njerëzit dhe sokakët e çarshisë së Shkodrës, çfarë nuk mund ta bëjë historia. Në këto rrethana shfaqet misionarja e famshme londineze rrugëve të qytetit. E përshirë në betejat shqiptare për liri, duke e parë të gjallë dramën e copëtimit arbëror në tërheqje të perandorisë osmane, e dëshpëruar, do të shpërtheju kur, papritmas, i del përpara Faik Konica:
 
“...Nuk e prisja se do t’ju takoja këtu, sikur më dolët në pritë, ju shoh të këndellur dhe me çehre të mirë!
-Shumë e çmuar zonjë, ideja se të shkruash për ferrin, duhet të dukesh sikur i ke kaluar më këmbë rrathët e tij, është shumë e vjetër dhe aspak origjinale, Dante ...
-E kuptoj, Faik bej ... pse miku juaj, Esat Pasha, e dorëzoi Shkodrën?
-Si t’ju them, zonjë, ne kemi një histori të mrekullueshme luftërash të humbura, me të cilat krenohemi dhe mburremi, ndjehemi mirë kur ankohemi, përse Shkodra do të bënte një përjashtim!
-Megjithatë Faik bej, ju shfaqeni të pakursyer në mbështetje të Esat Pashës, doni që ai të bëhet sundimtar i vendit tuaj, ndonëse e dini se është arrivist,ndonëse në këtë pikë kam përshtypje se as ju nuk mbeteni shumë prapa...”
 
Kapitulli në fjalë përmbyllet me një paragraf kurorë, ku artikulohet portreti shpirtëror i intelektuales së shquar londineze, që në mënyrë të tërthortë urdhërohet, nga admirali i marinës angleze të niset me një anije ushtarake për në Angli. Brenda këtij teksti do të theksohet rishtazi mundësia dhe pamundësia e rrëfimit, e gjuhës për të shpërthyer korniza... dëshpërimi i madh i misionares, nga më dramatikët, kërkon mundësi gjuhësore të përtejme për ta përkapur. Vetëbesimi i dikurshëm i saj për fuqinë e misionit të vet për një moment shkrihet, pa mundësi  për të ndikuar në rrjedhat historike para syve të saj, dhe ajo në çast sikur vetëdijesohet dhe, çuditërisht do të ndjehet më lehte: shkon përtej ëndrrave të veta... Pikërisht këto sfera synon të artikulojë gjuha në rrëfimin romanor me këtë rast...
 
Kuptime të shtresuara perspektivash të shumëfishta
Rrëfimi romanor “E zezja dhe e kuqja” arrin përsosmëri estetike, kënaqësi leximi. Paragrafët në të, janë medaljone narrative ku fjalitë vijnë e rrjedhin jo si të thëna por si të shtresuara moti, pa u shkëputur nga njëra tjetra përmes shenjave të pikësimit, të thurura natyrshëm, edhe pse të ngarkuara me lëndë ngjyrash të pleksura në kohë dhe hapësirë, me personazhe të ndryshme, me ngjarje e bëma që shfaqen një këtu e një tutje, e gjithnjë në funksion harmonik me boshtin narrativ të romanit. Si një mrekulli që gjithashtu përvetëson me kompaktësinë e tekstit, me sintaksën dhe leksikun, me bukurinë grafike dhe estetike. Brenda këtyre paragrafëve, thuren varg sjelljet, bindjet, perceptimet, shijet, traditat, sipas prurjeve të kohës dhe rrethanave historike, kulturologjike, shpirtërore.

Paragrafët e lidhur zinxhir, sipas të cilëve është shkruar romani voluminoz “E zeza dhe e kuqja”, që përbëjnë natyrën e poetikës narrative në këtë rast, shtrihen në hapësirën e pakufishme, përfshijnë spektër zërash që rrjedhin dhe shfaqen në ecje e sipër nga çdo anë, të qeta deri në përmasë që ke ndjesinë se të gjitha ato rrjedha në fakt të kishin qenë nga hera aty dhe tani vetëm sa gjejnë
rast të bëjnë zë që janë zgjuar, të bëjnë zë sa për të dëshmuar praninë e përhershme të tyre. Rrjedha e tillë narrative natyrisht që nuk do të ishte e mundur pa njohjen e thellë të njeriut, të botës së tij nga autori, pa një formim formati të autorit mbi universin, në këtë rast arbëror dhe universal, përkatësisht pa një shqetësim personal filozofik mbi kuptimin e jetës dhe ekzistencës njerëzore. Paragrafët e lidhur zinxhir, si rrjedhë që përparon det mbi hapësirën pa fund, duke regjistruar çdo gjë të rëndësishme, pa kurrfarë  paralajmërimi, edhe atëherë kur ndodh që të shpërthejë një rrjedhë alarmuese.

Duke artikuluar në art romanor shqetësimin dhe dhembjen , Mehmet Kraja, që me katër romanet e dhjetëvjetëshit të fundit të zëna ngoje më sipër, siç thamë hedh dritë në katër periudha të shekullit njëzet, ndërsa me tre librat e ciklit më të ri brenda romanit E zeza dhe e kuqja bën bashkë rropatjen, dhembjen e katër
periudhave dhe sublimon anën tragjike të shekullit shqiptar. Por edhe ëndrrën e përjetshme të nënës, të njeriut për një dashuri të madhe që ka ndodhur a nuk ka ndodhur, që ka qenë e s’ka qenë, e mbërritur e pa mbërritur, e kthyer e pa kthyer, për thellësi misteresh që mëton të depërtojë gjuha me mundësi të shquara krijuese të Mehmet Krajës.
 
“... Në të vërtetë, unë një herë e kisha dëgjuar nënën në dhomën e saj të bënte një vajtim që nuk ishte i ngjashëm me asnjë vajtim tjetër, mbaj mend se zëri i saj vinte disi i butë, si push kadifeje, si zë që zbret nga ëndrra, ajo qante dhe këndonte, unë rrija mbas dere dhe përpiqesha t’i mbaja mend fjalët që thoshte ajo , sado që më vonë jam përpjekur të rrëmoj në kujtesë, nuk kam arritur t’i gjej fjalët që thoshte nëna, e di që ajo vajtonte një dashuri të munguar, nuk ishte dashuri e humbur, ishte dashuri që nuk kishte ndodhur kurrë, një dashuri që ajo nuk e kishte gjetur askund, nëna nuk vajtonte jetën e saj, as fatin e vet, ajo vajtonte dashurinë që përjetësisht kishte mbetur e zbrazët, prandaj në botë vinte nata dhe prandaj dritën e dëbonte terri, prandaj shiu binte nga retë dhe prandaj dielli ikte në perëndim, prandaj yjet rrinin aq lart në qiell dhe prandaj retë shkreptinin në hava, prandaj korbat ishin të zinj dhe prandaj kishte helme në gojën e gjarpërinjve, nëna i kishte gjetur fjalët që i duheshin, kishte bërë me to një si këngë vajtimi dhe pastaj fjalët i kishte lënë të iknin pa shenjë, siç ikën rrjedha e ujit ose fishkëllima e erës, ndërsa unë kisha mbetur përgjithmonë jashtë dhomës së saj...”(f. 315) 
 
Gjuhë që synon përtej të mundshmes, të prekë të pa artikulueshmen, atë që të rrëshqet pikërisht kur kujton se je pranë dhe ajo të sjell deri në një teh dhe hapësirë pezull, nga ku, duket sikur pyet narratori: ka edhe më përtej, dhe, nëse nuk e arrin atë përtej, ai do riniset përsëri nga e para në paragrafin e radhës, në romanin e radhës. Gjuhë që prek majat e prozës shqiptare, gjuhë përmes së cilës, një nga personazhet e romanit ngulmon të dijë pse nuk di, i cili s’gjen qetësi nga pyetja: si të dijë nga vjen ajo që nuk di - pse nuk di? Është gjuhë që do të depërtojë në botën e krajanit dhe shkodranit, të prekë atë lëmsh të patfilluar të brendshëm që shkumbon pa zë nëpër kohë dhe gjatë shekujve, dhe nuk shplekset dot, nuk bëhet dot zë.
 
Misioni i artit për ta mbajtur gjallë besimin
Gati të gjithë personazhet e Krajës në thelb janë të vetmuar... Të tillë në ëndrra e ëndërrime, në vuajtje, në beteja, në gëzime fare të pakta... Të vetmuar në familje dhe si familje, në fshat e si fshat, në qytet... kryesisht sillen në rreth, si në kërkim të asgjëje, të një qëllimi që s’e kanë të qartë, të një objektivi që tretet, që s’është, të një dashurie që s’ka qenë, që s’ka ndodhur kurrë, dhe, përherë nën peshën e një acarimi që s’ia dinë burimin as arsyen, shkakun... Edhe personazhi-narrator, më i balancuari, në thelb qenie e kësaj bote, e kësaj hapësire dhe kohe, nuk arrin deri në fund ta identifikojë fat-fatalitetin e vet, nuk arrin ta identifikojë qartë vullnetin, shtytjen: do apo nuk do të hakmerret për dhunën e pamerituar...

Ka edhe një veçori që sjell bota romanore e Kraja.: njerëzit e saj nuk kanë frikë... Sikur i sundon një besim mitik – s’ka gjë më poshtëruese se sa të kesh frikë. Kjo e bën zërin e tyre, sado të mekur, shpresën për t’u bërë bashkë Shkodër-e-Krajë një ditë, të mos shuhet kurrë. Fundja, në këtë mekje zëri e shpirti drejt kësaj ëndrre, është autori ai që, - anash dëshpërimit dhe zhgënjimit të madh, reket t’ua mbajë gjallë besimin, edhe duke shpërthyer në heshtje, me që, fundja ky është misioni i artit, sado i ngarkuar zhgënjim e revoltë, ai pulson ngasje për të mos u dorëzuar. Një ditë, krajanë e shkodranë patjetër do ta gjejnë veten, Itakën e vet... Shenjat e para drejt këtij vizioni narrativ lexuesi do të mund t’i nuhasë tek libri i tretë  i romanit më të ri, tek tiparet dhe bota e nipit, e birit dhe personazhit narrator të romanit, zhvillimi, formimi dhe vetëdijesimi i të cilit megjithatë më shumë është vetëdijesim moral sesa intelektual. Autori, ndërsa, i njohur si shkrimtar pa tabu dhe pa dogma, sikur beson më parë në anën tragjike të jetës sesa në anën e bukur të saj, të paktën si shkollë dhe perceptim filozofik. Vizion ky që në këtë roman, vjen qartë edhe në formën e thënies së një personazhi (Drita), që pas një zhgënjimi më tragjik të mundshëm do të thotë: “edhe vetë ideja për të qenë e lumtur më duket si një tradhti e madhe për kohën dhe vendin”.

Rrëfimi i Mehmet Krajës në këtë roman, në sfond ka një mbështetje të poetikës së realizmit klasik, të mbindërtuar dhe të pasuruar me shkollat e dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit njëzet. Kësaj here ai përmes kronikës familjare e sjell në dritë të pastër portretin e zymtë, përkatësisht lëngatën shekullore shqiptare. Rrëfimi romanor i Krajës në këtë rast është një ekzaminim i shtruar, i qetë por i guximshëm i anës tragjike shqiptare,  në format epik, si asnjëherë në prozën bashkëkohore shqiptare.
 
Konstrukti letrar i historisë 
 Kemi përmendur se saga e rrëfimit romanor tek romani “E zeza dhe e kuqja”, kronika e familjes Bogdanaj nga Kraja, shkel edhe në thellësitë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Natyrisht, sa më thellë në të kaluarën, lidhja e Bogdanajve me Shkodër del më e vakët por që në ecje me kohën ajo vjen dhe mishërohet e pandashme, si ekzistencë jetike. Bashkë me këtë lëvizje të balancuar të kronikës lëviz edhe shqetësimi i autorit, që bartet si shqetësim dhe kërkim tek personazhet, bartet në vetëdijesimin e tyre, por që sikur asnjëherë nuk ndodh i plotë. Është tensionim konstant ky tis i brendshëm, në tërë kronikën familjare të Bogdanajve nga Kraja. Me pinjollin më të ri të tyre, të Bogdanajve, këtë lëvizje të brendshme autori do ta afrojë, do ta sjellë deri në një teh humnerik prej nga, pas zhgënjimi tragjik me veten, me drejtpeshimin e vet, e mbyll kronikën familjare tragjikisht, pikërisht në përvjetorin e njëqind të pavarësisë së Shqipërisë. Dhe me që jemi këtu, te njëqindvjetori i shtetit shqiptar, në fund të shtrojmë edhe supozim, mbase edhe dilemë: është zhanër historik romani “E zeza dhe e kuqja”?.

 Kjo kronikë përfshin hapësirën e shekullit njëzet, përkatësisht ajo hedh dritë edhe mbi fundin e shekullit nëntëmbëdhjetë, me stërgjyshin e konvertuar, dhe përfundon me stërnipin në njëqindvjetorin e shtetit shqiptar. Familja Bogdanaj edhe mund të ketë qenë bërthamë reale, që do të ishte njësoj, duke qenë edhe krejtësisht krijim i imagjinatës së autori. Kronika në fjalë ndjek fatin e krajanëve dhe shkodranëve në katër periudha apo epoka shoqërore-historike: epokën osmane, atë zogolljane, atë enveriste dhe epokën pluraliste. Në të  gjitha këto periudha kronika përmbledh dhe shtron bëma, ngjarje reale dhe fiktive, persona dhe personalitete, edhe realë edhe imagjinativë. Pra, kronika sjell fakte, argumente, edhe në favor të klasifikimit të romanit “E zeza dhe e kuqja” si zhanër historik.

Natyrisht, autori, në këtë rrëfim romanor nuk përmend fare sisteme shoqërore, politike, nuk përmend perandori, as diktatura, nuk përmend shtresa sociale, as kufij kohorë dhe bëma të kornizuara në kohë, as kthesa historike brenda kornizave të datave të rëndësishme etj. Por e vërtetë është gjithashtu se, të gjitha këto që zumë ngoje janë të pranishme, por të pranishme tërthorazi, në kontekste, përmes shenjave dhe shenjëzimeve anësore, dhe lexuesi që ka njohuri minimale historike fare lehtë i zbardh të gjitha ato prani gjatë leximit, duke ndjekur ecjen e saktë në kohë por edhe në hapësirë.

Mund të thuhet, gjithashtu, se Mehmet Kraja shkel në histori si në një hapësirë jo të shtruar me kronologjinë e bëmave, si shtrat të cilit i qëndron besnik. Ai e vendos atë, historinë, në sfond të rrëfimit, për të marrë mbështetje që andej, për të saktësuar një orientim global të rrjedhave për kronikën narrative. Saga familjare e tij ka rrënjë historike, por autori, siç kemi thënë, nuk niset nga përmbysje epokash, as fitoresh apo humbje betejash reale. Edhe më: romani, me këtë rast, mbështetet në tabanin e saj, të historisë për aq sa krijon hapësirë narrative për të zhbiruar shtresime dhe të pathëna nga historia, për të depërtuar sferave të qenies njeri dhe, natyrisht, qenia njeri ka karakter historik meqë mban vulën e caktuar të kohës, gjurmën e identifikueshme të saj. Të pathënat nga historia, ndërsa, i përkap në rrëfimin romanor ai autor që ka formim historik, por edhe ndjeshmëri ndaj filozofisë së historisë, siç ndodh edhe me rastin e autorit të romanit “E zeza dhe e kuqja”, i cili nuk ekzaminon realitetin besnik të historisë, por qenien.

Por le të kthehemi edhe një herë tek gjurmët e tërthorta apo të drejtpërdrejta historike në rrëfimin e romanit në fjalë, të cilat me kalimin e kohës, zbehen deri në margjinalizim të parëndësishëm për lexuesin. Megjithatë, nisur nga tradita aristetoliane lidhur me dallimin që bën filozofi antik mes historisë dhe poezisë. Sipas tij, poezia sjell të brendshmen, të mundshmen, të besueshmen, sjell atë që është në natyrën e njeriut. Historia, ndërsa, sjell besnikërisht faktet e ndodhura, reale. Millan Kundera, në shkrimet e tij për Kafkën, e zgjeron edhe më tej mendimin e Aristotelit. Sipas tij, e mundshmja është ajo që ekziston objektivisht, që është e gatshme, diku dhe atje pas, dhe vetëm duhet zbuluar atë. Më tej ai thotë se ajo e vërtetë e gatshme nuk ndryshon me ndryshimet që sjell historia, se është në themel, në natyrën e njeriut. Mehmet Kraja në prozën e tij romanore brenda sfondit kohor shekullor dhe kornizës narrative globale sjell historinë shqiptare, sjell dimensionin kohë – kohën arbërore që nuk ecën, që nuk lëviz me kohën universale dhe sjell shanset e pamundshme, gjasat e humbura, duke lënë anash, pa i bërë të zëshme, por jo pa i bërë edhe të pranishme, gjurmët dhe lëvizjet brenda epokave historike.

Më shumë se sa rrëfimin e historisë, kjo prozë synon konstruktimin e historisë, si rrëfim ciklik, duke nxitur gjithashtu përmes ndërtekstualitetit ndërthurjen kuptimore me romanin e famshëm të Stendalit titulli i të cilit është rimarrë me radhitje të kundërt. Riradhitja e fjalëve në titull përpos që sugjeron një ndërlidhje mes veprave dhe të vërtetave letrare, nxit dhe interpretime për ngjashmërinë e filozofive rrëfimore, me një shkrimtar si Stendali që manifeston ide të përsëritjeve ciklike në histori. Për më shumë, titulli përkon me koincidencë me ngjyrat simbolike kombëtare, të rimarra nga ajo e errëta.
 
Konsekuenca për të qëndruar brenda këtij disponimi emocional e refleksiv, me romanin “E zeza dhe e kuqja” arrin kulmin artistik brenda ciklit romanor familjar, duke u shfaqur si një nga romanet më të arrirë në letërsinë shqipe.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Holanda zhvendoset djathtas

Holanda zhvendoset djathtas