Një qëndrim i ambasadorit shqiptar, Denion Meidani krah protestës së studentëve shqiptarë për të lejuar provimet e jurisprudencës në gjuhën shqipe, bëri që në media të artikulohen lajme se ministri Ferit Hoxha do ta largojë nga posti. Prej ditës së djeshme, në disa media është shkruar se Hoxha ka marrë disa ankesa nga partia qeverisëse VMRO dhe aleati i saj shqiptar VLEN, ndaj ambasadorit Meidani.
Në media thuhet se nisur nga ankesat e ardhura, po diskutohet një ndërprerje përpara kohe e mandatit të Meidanit në Shkup dhe zëvendësimi i tij me ambasadorin tonë në Prishtinë Petrit Malaj.
Por, Ministria e Jashtme i ka hedhur poshtë këto pretendime duke i quajtur tërësisht të pabazuara. Ministria e Punëve të Jashtme thekson se çdo vendimmarrje për emërimet apo lëvizjet diplomatike bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe se këto procese bazohen në analiza profesionale dhe institucionale, me synim përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore dhe në funksion të prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë.
“Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.
Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore.
Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.
Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme”, thuhet në reagim.
Pas publikimit të lajmeve, qytetarë të shumtë janë angazhuar për nisjen e një peticioni për moslargimin e Meidanit si ambassador i Shqipërisë në Shkup. Të paktën 1300 firma janë mbledhur në peticion, përmes së cilit i kërkohet kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Hoxha që të mos largohet Meidani duke vlerësuar edhe rolin e tij për komunitetin shqiptar atje.
“Ne, qytetarët shqiptarë të Maqedonia e Veriut, shprehim shqetësimin tonë lidhur me informacionet për largimin e mundshëm të ambasadorit Denion Meidani.
Pas shumë vitesh, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë ndjerë praninë e një ambasadori që ka qenë afër qytetarëve, ka komunikuar drejtpërdrejt me komunitetin shqiptar dhe ka treguar interes real për problemet, sfidat dhe të drejtat e shqiptarëve këtu.
Ne besojmë se zëri i shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë nuk duhet të dobësohet dhe as të heshtet. Përfaqësimi diplomatik duhet të jetë në funksion të mbrojtjes së interesit kombëtar dhe forcimit të lidhjeve me shqiptarët kudo që jetojnë”, thuhet në peticion.
Përmes peticionit kërkohet:
Transparencë lidhur me çdo vendim për largimin e ambasadorit;
Ruajtjen e një përfaqësimi aktiv dhe dinjitoz të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut;
Vlerësimin e punës dhe angazhimit që ambasadori Denion Meidani ka treguar ndaj komunitetit shqiptar.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut meritojnë të kenë një zë që i dëgjon, i përfaqëson dhe i mbështet.
Denion Meidani, djali i ish-presidentit Rexhep Meidani, u emërua ambasador në Maqedoninë e Veriut në shkurt 2024.
Peticioni
Komente









