Pas protestës masive të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për provimet në gjuhën shqipe, ish zv/kryeministri dhe një nga drejtuesit e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, deklaroi në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report tv, se qeveria ka rënë dakord që jo vetëm jurisprudenca, por edhe fusha të tjera profesionale të kenë provime dhe licensa në shqip. Mexhiti tha se kjo çështje nuk ishte zgjidhur as në kohën kur në qeveri kishte ministra shqiptarë të Drejtësisë.
“Nuk kemi të bëjmë me të drejtë të privuar. Edhe kur ka pasë 5 minstra shqiptarë të drejtësisë, studentët e kanë mbajtur provimin në maqedonisht dhe licensat i kanë marrë në maqedonisht. Me ardhjen e VLEN kemi rregulluar provimet profesionale që për herë të parë lejon marrjen e licensave në gjuhën shqipe për stomatologët, mjekët, administratorët. Kohët e fundit edhe për edukatorët që për herë të parë mbajnë provimin dhe marin licensat në gjuhën shqipe. Ne si partner në qeveri, kemi pasur një takim me kryeministrin Mickoski. Kemi rënë dakord që licensat apo provimet profesionale, jo vetëm për jurisprudencën, por këtu kemi arkitektët, ndërtimtarët, përkthyesit gjyqsorë. Pra në parim kemi rënë dakord që siç i kemi rregulluar gjërat në 4 sfera, t’i rregullojmë ato edhe në 10 sfera të tjera, që të jenë në shqip, dhe kjo të jetë histori e re për shqiptarët në RMV. Po bëhet diçka që nuk është bërë në 20 vitet e kaluara, që edhe kur kanë qenë ministrat e drejtësisë shqiptarë, nuk i kanë realizuar dot” tha Mexhiti
I pyetur pse po ndodh tani , kur në Kushtetutë dhe në Marrëveshjen e Ohrit thuhet qartë që gjuha zyrtarë në Maqedoniën e Veriut është maqedonishtja dhe gjuhët e tjera që fliten nga mbi 20% e qytetarëve të vendit ndërkohë që ë censusin e 2022, shqiptarët janë 29% e popullësisë, Mexhiti tha se VLEN po përballet me pasojat e zgjidhjeve gjysmake të së shkuarës
“Ne po merremi me zgjedhjet gjysmake që janë bërë në të shkuarën, me pasojat dhe ato që nuk janë realizuar në këto vjet. Idea e marrëveshjes së Ohrit ka qenë të zbatohet në 4 vitet e para dhe jo vetëm që nuk është realizuar por disa zgjidhje janë gjysmake. Kur ka pasur ministra dhe kryeministra shqiptarë nuk i kanë zgjidhur këto çështje dhe tani VLEN ballafaqohet me këto pasoja, që një pjesë i kemi zgjidh dhe një pjesë do i zgjidhim” tha ai.
I pyetur se kur do vendoset që të jepet edhe provimi i gjuhës shqipe, Mexhiti nuk dha afate por garanci.
“Siç janë zgjidhur gjërat për mjekët, edukatorët dhe stomatologët, shumë shpejt do të zgjidhim jo vetëm jurisprudencën por edhe sfera të tjera që nuk kanë dalë në protesta. Është legjitime që nëse studimi është mbajtur në shqip, edhe provimi duhet mbajtur në shqip” tha ai.
Mexhiti mohoi lajmet për studentë nga Shqipëria të ndaluar në prag të protestës. Sipas tij, një incident ka ndodhur jashtë protestës ku kanë qenë të përfshirë 2 shqiptarë dhe një maqedonas.
“Nuk ka pasur ndalim. Ka qenë protestë e qetë Askush nuk është ndalur dhe askujt nuk i është privuar e drejta. Ka qenë vetëm një autobuz nga Shqipëria që është vonuar. Ka pasë edhe një rast ku janë privuar nga liria dy shqiptarë dhe një maqedonas. Kjo ka ndodhë jashtë protestës, ka pasur edhe përleshje fizike, e kanë prishur rendin dhe do dënohen për përleshje fizike” tha Mexhiti.
Mexhiti, i cili dikur ka qenë pjesë e BDI-së, kritikoi pjesëmarrjen e ministrave të opozitës në protestë, kur ata kanë shumicën e fajit.
“Studentët kanë të drejtë ta kërkojnë provimin e jurisprudencës në shqip por në të njëjtën protestë ishin ata që kanë bërë diskriminimin, ish ministrat e drejtësisë, ish zvkryeministrat që nuk kanë realizuar këtë të drejtë. Fakti që nuk kam më aty tregon që ka probleme. BDI e 2002-shit ka dallim, ka qenë më e fokusuar në punë, ka realizuar programin, ndërsa BDI e fundit është tjetërsuar, po zhvatet dhe është kthyer në parti korrupsioni, parti anti vlerë dhe parti e listave të zeza amerikane. Studentët shqiptarë edhe kur kryeministër ka qenë Talat Xhaferri, djali i tij e ka dhënë provimin në maqedonisht. Nipi i Ali Ahmetit ka qenë anëtar i komisionit për provimin e jurisprudencës. Ata nuk kanë të drejtë morale të flasin për këtë çështje. Në të kaluarën ka pasur vrasje politike, raste të montuara politike nën qeverisjen e Gruevskit dhe Ahmetit” tha Mexhiti
Komente










