Meidani, Moisiu e Topi: Zgjedhja
e Presidentit të bëhet nga populli 
PDF/ Letra e ish-Presidentëve

Meidani, Moisiu e Topi: Zgjedhja<br />e Presidentit të bëhet nga populli <br />PDF/ Letra e ish-Presidentëve
Në kuadër të reformës në drejtësi, tre ish kryetarë shteti, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, kërkojnë zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli.
 
Përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, grupeve parlamentare, anëtarëve të Komisionit për Reformën në Drejtësi si dhe Anëtarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ish presidentët shprehen lidhur me problematikën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe rëndësia e zgjedhjes se tij nga populli.
 
Sipas tyre, vetë Presidenti ka nevoje për mandat më të gjerë sesa mazhoranca e një partie apo koalicioni politik, ka nevojë për testim dhe mbështetje publike.
 
"Zgjedhja e Presidentit direkt nga qytetarët rrit besimin e qytetareve në sistemin politik e përfaqësues, sjell cilësi përfaqësimi, i jep fuqi dhe legjitimitet më të madh qytetar Presidentit dhe e ndihmon atë të ushtrojë më mirë dhe më me lidhje të fortë qytetare funksionet e tij kushtetuese", thuhet në letrën e ish presidentëve.
 
Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhore, vijon letra, është rast të theksojmë se çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket të jetë patjetër edhe çështje e trajtimit në ndryshimet e reja kushtetuese.
 
"Referuar praktikave të vendeve të tjera ish komuniste me ngjashmëri në traditë apo praktikë demokratike, (Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Rumania, Bullgaria, Polonia, etj, dhe së fundi edhe Moldavia) zgjedhja e Presidentit bëhet direkt nga qytetarët, pa ndryshuar natyrën parlamentare të sistemit republikan. Për vetë traditën e brishtë demokratike, kulturën politike dhe problematikat e shumëllojshme në bashkëpunimin institucional, Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend që prodhon kriza politike dhe sot e në të ardhmen ne kemi nevojë për institucione që kanë forcë e legjitimitet të ndikojnë në parandalimin e krizave apo në zgjidhjen e tyre. Mbi bazën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë institucioni i Presidentit të Republikës është i vetmi institucion që mund ta përmbushë këtë rol specifik në hierarkinë e institucioneve kushtetuese dhe politike. Për ta mundësuar këtë, vetë Presidenti ka nevoje për mandat më të gjerë sesa mazhoranca e një partie apo koalicioni politik, ka nevojë për testim dhe mbështetje publike", vijon letra e ish presidentëve drejtuar Kuvendit.
 
Referuar ndryshimeve Kushtetuese të vitit 2008-ë, Topi, Moisiu e Meidani theksojnë se ato prodhuan një sistem përfaqësues politik të cunguar, ndërsa Kuvendit aktualisht nuk reflekton sovranitetin e popullit, siç kërkohet nga Kushtetuta.
 
"Bindja jonë është se ndryshimet kushtetuese (2008) lidhur me zgjedhjen e presidentit të Republikës, me sistemin zgjedhor, si dhe ndryshimet e vazhdueshme në institucione të veçanta të drejtësisë, kanë rezultuar jo efikase dhe problematika për cilësinë e sistemit qeverisës në vend. Bazuar në përvojat tona dhe në analizën e funksionimit të sistemit përfaqësues në Shqipëri, ne ju adresojmë përmes këtij komunikimi, tre probleme, të cilat, vlerësojmë se janë me rëndësi parësore në stadin aktual të vendimmarrjes dhe të ecurisë së procesit demokratik në Shqipëri", thuhet në letër.
 
Reforma në drejtësi në gjykimin e ish presidentëve, është dhe mbetet jetike dhe se ajo duhet të realizohet pa humbur kohë.
 
"Reforma në drejtësi është mbi të gjitha në dobi të vendit, të reformave, të procesit integrues, të qytetarëve, të cilësisë së demokracisë dhe në fund mund edhe të jetë një çështje me interes pragmatist të partive të caktuara politike. Në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk duhet pranuar që ky interes i fundit të bëhet dominues dhe të mbajë peng
vendimmarrjen e nevojshme për reformën në drejtësi"
, vijon letra.
 
"Nga ana tjetër, thuhet më tej, nevoja jetike për reformë, nuk duhet kurrsesi të përdoret për të arritur përmes saj në përmbushjen e axhendave ose qëllimeve të caktuara politike, por procesi, drafti dhe vendimmarrja duhen trajtuar me transparencë, me dinjitet, me seriozitet dhe me akte konkrete që tejkalojnë interesat partiake dhe që mundësojnë de facto një reformë sa më të plotë, sa më funksionale, sa më të besueshme dhe sa më afatgjatë".
 
Letra me firmat u është dorëzuar edhe dorazi kryetarëve të forcave parlamentare.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vijonë puna në aksin Bogë-Theth për largimin e dëborës, borëpastrueset në terren

Vijonë puna në aksin Bogë-Theth për largimin e dëborës, borëpastrueset në terren