TIRANE- Ulja e normës bazë të interesit të lekut një ditë më parë nga Banka e Shqipërisë, sipas ekspertëve të sistemit bankar, ka qenë një lëvizje strategjike, por e kushtëzuar nga situata ekonomike. Kjo ulje e re krijon përfitime për të gjithë qytetarët që kanë marrë një kredi në lekë, pasi ajo u kushton gjithmonë e më lirë në pagesat e interesave, por nga ana tjetër rrudh përfitimet për ata që kanë depozita në banka në monedhën vendase. Për ekspertin Elvin Meka, kjo lëvizje e fundit e BSH-së, duhet parë si një përpjekje për të stabilizuar ekonominë.
 
Por Meka përmend edhe faktin se ekziston edhe një rrezik që tregu i depozitave të orientohet jashtë sistemit bankar.
 
Në këtë pikë ekspertët tërheqin vëmendjen se ekonomia duhet të orientohet më fortë drejt konsumit dhe jo drejt kursimeve, si element për të luftuar krizën.
 
Për ekspertin Meka, është i rëndësishëm fakti që Banka Qendrore po përpiqet që të mbajë nivelin e inflacionit brenda parametrave normal nga niveli 2-4%. Këtë ai e lidh edhe me lëvizjet më të fundit të Këshillit Mbikëqyrës të cilat synojnë ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik në vend.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)