TIRANË - Anëtarja e Këshillit mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi ishte e ftuar e sotme në emisionin Tete a Tete, në A1 Report. Për Meksin, Shqipëria nuk ka humbur në terma financiarë me shtyrjen e dhënies së statusit të vendit kandidat nga BE-ja, por ajo shprehet e bindur se vendit do e marrë këtë status në muajin qershor.
 
Duke folur përballë gazetarit Artur Nura, Meksi tha e ekonomia e vendit tonë vitet e fundit ka njohur rritje, sidomos industria minerale.

“Në terma financiarë ne nuk kemi humbur me shtyrjen e statusit, pasi aktualisht ekziston besimi i plotë që në qershor do të marrë statusin. Ne duhet që të aftësojmë veten që të marrim fondet që jep BE-ja për ne. Ne duhet që të bëjmë projekte që të thithim fondet. Shqipëria ka një rol të madh për të rritur nivelin e eficencës që merren me këtë çështje dhe të ruajë ekspertët që janë përgatitur nga BE-ja”, deklaroi Meksi.
 
Përballë gazetarit Artur Nura, Meksi tha se, në vitet e fundit ka një rritje të sektorit të industrisë, sidomos të industrisë minerale. Por sipas saj, të ardhur në buxhetin e vendit janë aktualisht shumë të ulëta.
 
Meksi ka përshëndetur edhe nismat e qeverisë për krijimin e një klime të mirë për biznesin. Sipas saj, vitin e ardhshëm do të jetë më i ndjeshëm ky fakt.
 
“Nismat e qeverisë për të krijuar një ambient atraktiv për biznesi dhe ky është një fillim i mirë fakti për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit. Paketa fiskale i krijon mundësi biznesit që për vitin e ardhshëm e di se cilat do të jenë politikat fiskale të qeverisë”, deklaroi Meksi në studion e A1 Report.
 
Anëtarja e Këshillit mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi ka kërkuar që biznesi të trajtohet njëlloj, pasi në këtë mënyrë do të kishte dhe më shumë konkurrencë dhe rrjedhimisht rritje të ekonomisë.
 
“Duhet të krijojmë një klimë pozitive pasi investitorët e huaj janë të kujdeshëm. Bizneset janë të ndjeshëm ndaj taksave por janë më të ndjeshëm kur nuk trajtohen në mënyrë të barabartë nga administrata fiskale. Nëse biznesi trajtohet njësoj, nxitet konkurrueshmëria, rriten të ardhura, hapen vendet e punës. Një element i rëndësishëm është edhe ulja e informalitetit në ekonomi, pasi do të sillte më shumë para në arkën e shtetit”, deklaroi Meksi në intervistën e saj.
 
Duke folur për shtyrjen e statusit të vendit kandidat, Meksi tha se, BE-ja e ka bërë këtë me qëllim që qeveria e re të njihet me kushtet e vëna e për këtë ajo solli shembullin e shtyrjes së nënshkrimit të marrëveshjesh së Stabilizim Asociimit.  
 
“Kushtet për nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së ishin plotësuar nga qeveria që në vitin 2005, por ajo u nënshkrua në qershor të vitit 2006. BE-ja e shtyu këtë marrëveshje me qëllim që qeveria që erdhi të njihej më gjerë në lidhje me kushte.
 
Edhe shtyrja e dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, ka të njëjtin qëllim, që do të thotë që qeveria aktuale duhet të njihet me zhvillimet dhe me kushtet që janë vënë, sidomos lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Meksi.
 
Sipas anëtares së Këshillit mbikqyrës të BSH-së, “BE duhet të ketë besim tek administrata e një vendi që do të bëhet pjesë e këtij klubi, me qëllim që këto fonde të disbursohen në mënyrë shumë të mirë. Njeriu duhet të ketë optimizëm dhe unë jam optimiste për ato që bëj vetë dhe inkurajoj strukturat që merren me procesin e integrimit që të jenë optimistë”, përfundoi intervistën e saj, Ermelinda Meksi, në emisionin Tete a Tete në A1 Report.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)