Meksika përballet me një uragan 'potencialisht katastrofik'

Meksika përballet me një uragan 'potencialisht katastrofik'

Banorët e portit magjepsës të Meksikës, Akapulko, dhe qyteteve bregdetare përreth, janë përgatitur për mbërritjen e uraganit Otis, i cili ka mundësi të sjellë pasoja katastrofike. Ky uragan i kategorisë 5 ka kthyer kujtimet e stuhisë së vitit 1997, e cila i vrau dhjetëra njerëz.

“Një skenar makthi po zhvillohet për Meksikën jugore këtë mbrëmje, pasi Otisi po i afrohet bregdetit me shpejtësi të madhe”, tha shërbimi meteorologjik amerikan, Qendra Nacionale e Uraganit, të martën vonë.

Uragani Otis u forcua nga një stuhi tropikale në një uragan të rrezikshëm të kategorisë 5 brenda 12 orëve të martën, teksa po i afrohet bregdetit paqësor të Meksikës jugore.

Shërbimi meteorologjik amerikan tha se Otis shkaktoi erëra të fuqishme deri në 260kmh të martën vonë dhe se pritet të arrijë në Akapulko të mërkurën në mëngjes.

Akapulko është qytet me mbi një milion banorë në fund të bjeshkëve. Shtëpitë luksoze dhe lagjet e varfra e mbulojnë pjesën bjeshkore të qytetit me pamje nga Oqeani Paqësor.

Otis pritet të mbetet uragan i kategorisë 5 gjatë mbërritjes në tokë, por pastaj parashikohet një dobësim i shpejtë i tij për shkak të terrenit të lartë të Meksikës. Me gjasë, Otis do të zhduket në jug të Meksikës gjatë të mërkurës mbrëma.

Në Akapulko, njerëzit u ngutën për t’u strehuar nëpër shtëpitë e veta pasi shiu i madh dhe erërat e forta filluan pareshtur, duke i detyruar turistët ta braktisin plazhin.

Kryetarja e Akapulkos, Abelina Lopez, iu bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpitë e veta, apo të shkojnë që qendrat strehimore të qytetit.

Ajo tha se Otisi mund të jetë uragan më shkatërrues se uragani Pauline, i cili e goditi këtë vend më 1997, duke shkatërruar pjesë të qytetit dhe duke i vrarë më shumë se 200 njerëz. Qindra të tjerë ishin lënduar nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut.

Presidenti i Meksikës, Andrea Manuel Lopez Abrador, u bëri thirrje qytetarëve përmes një postimi në rrjetin social X të shkojnë në “qendrat strehimore, në vende të sigurta larg lumenjve, përrenjve, luginave dhe të jenë të vëmendshëm”.

Ushtria e Meksikës i ka zhvendosur më shumë se 8.000 trupa në Akapulko me pajisje të specializuara për të ndihmuar ekipet e shpëtimit. Autoritetet e mbyllën portin e Akapulkos, i cili ka 300 anije peshkimi./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI