Juan Pedro Franco, 41 vjeç, i konsideruar si njeriu më obez në botë, vdiq në Meksikë në prag të Krishtlindjeve. Nën trajtim në një spital në shtetin e Aguascalientes, ai vdiq pasi gjendja e tij u përkeqësua me shpejtësi psi pasojë e një infeksioni në veshka. Vdekja e tij u konfirmua nga mjeku kujdestar, José Antonio Castaneda, sipas Daily Mail. Specialisti shpjegoi se Franco kishte patur komplikacione sistemike në ditët para vdekjes së tij. Në kulmin e tij, burri kishte peshuar gati 600 kg, por vitet e fundit ai kishte arritur të humbiste rreth gjysmën e kësaj peshe.

Pesha e jashtëzakonshme e Francos tërhoqi vëmendjen globale për herë të parë në vitin 2017, kur Libri i Rekordeve Guinness e njohu atë si personin më obez në botë. Ai peshonte mbi 590 kg dhe ishte kryesisht i shtrirë në shtrat pas viteve të obezitetit ekstrem që e kishte lënë të paaftë të lëvizte në mënyrë të pavarur. Po atë vit, ai filloi një program mjekësor intensiv dhe të monitoruar me kujdes me Dr. Castaneda: një dietë mesdhetare e pasur me fruta dhe perime, e ndjekur nga dy operacione bariatrike, një gastrektomi dhe më vonë një bypass gastrik. Falë trajtimit të kombinuar, ai arriti ta ulte në mënyrë drastike peshën e tij, duke e përgjysmuar pothuajse atë, dhe të ishte në gjendje të ecte përsëri. Ky përmirësim, sipas mjekëve, kishte zvogëluar rrezikun e komplikacioneve të lidhura me diabetin dhe sëmundjet kardiovaskulare, megjithëse Franco mbeti I rrezikuar për shkak të historisë së tij të gjatë të obezitetit. Në vitin 2020, burri I kishte mbijetuar edhe COVID-it, ndonëse ishte klasifikuar si në rrezik jashtëzakonisht të lartë për shkak të historisë së tij mjekësore.

Mjeku që e trajtoi e përshkroi rastin si një nga më kompleksët të trajtuar ndonjëherë, duke theksuar se si ndershmëria e pacientit në lidhje me vështirësitë e tij, kishte ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për natyrën e obezitetit: një sëmundje kronike që kërkon kujdes mjekësor afatgjatë dhe të dhembshur. "Trupi im po ecte në rrugën e vet pa asnjë kontroll", kishte shpjeguar Franco. "Provova të mbaja dietë ditë pas dite, por asgjë nuk funksionoi; isha i dëshpëruar", tregonte ai. Programi i humbjes së peshës e kishte ngushëlluar: "Vetëm të qenit në gjendje të lëvizësh krahët, të ngrihesh çdo ditë, të shtyhesh për të pirë një gotë ujë ose të shkosh në banjo të bën të ndihesh mirë. Është fantastike të jesh në gjendje të lëvizësh më shumë dhe të jesh më i zoti i vetes", tha ai.

Vdekja e Francos më sjell në mendje histori të tjera të njohura të obezitetit ekstrem që përfunduan në komplikacione fatale. Ndër më të famshmet, kujton gazeta britanike, është ajo e amerikanit Jon Broëer Minnoch, i cili dikur peshonte rreth 600 kg dhe mbante rekordin për personin më të rëndë të dokumentuar ndonjëherë. Minnoch vdiq në vitin 1983, gjithashtu në moshën 41 vjeç, pasi vuante nga insufiçenza kardiake dhe e mushkërisë, pas viteve të komplikacioneve serioze shëndetësore.

Një rast tjetër që goditi titujt kryesorë ishte ai i Manuel Uribe, gjithashtu nga Meksika, i cili kishte tejkaluar 550 kg. Falë ndërhyrjes mjekësore, ai arriti të humbiste peshë të konsiderueshme, por vdiq në vitin 2014 në moshën 48 vjeç nga problemet e mëlçisë, si pasojë e një sëmundjeje kronike të lidhur me obezitetin.