TIRANE - Alma Mele, Drejtorja e Drejtorisë për Azilin dhe Refugjatët e ftuar në studion e A1Report tha se do të ketë penalitete për të gjithë ata shtetas të cilët do të dëbohen nga shtete ku kanë kërkuar azil, nëse pas marrjes së kërkesës negative për azil do të refuzojnë të kthehen. (Dënimi është që për 5 vite këta shtetas të mos kenë të drejtën e qëndrimit në zonën shengen)

Mele dha gjithashtu një mesazh edhe për shqiptarët që duan të kërkojnë azil dhe kanë ndërmend të braktisin vendin. Ajo tha se në vendin tonë ka ende shpresë që të rrisim standardet ekonomike dhe se nuk ka asnjë nevojë që të braktisin shtëpitë e tyre
 
Intervista e plotë
 
Pas fluksit të azil kërkuesve dhe masave të marra për respektimin e rregullave të lëvizjes në zonën shengen, si paraqitet situata në pikat e kalimit kufitar? Vazhdon fluksi apo ka një ndërgjegjësim se azili është i pamundur?
Fluksi është në rënie dhe ne besojmë se kemi bërë një punë të mirë edhe në ndërgjegjësimin e atyre që kishin ndërmend të largoheshin nga vendi.

A janë kushtet të njëjta në çdo kamp, apo ndryshojnë nga shteti në shtet?
Në rastet e flukseve kushtet vështirësohen secili shtet ka mundësi të ndryshme për të krijuar kushtet e veta ndaj janë të ndryshme. Në disa vende janë si tenda në të tjera janë si banesa. Kampet janë masive nuk ka banesa individuale dhe shtetësitë brenda kampit janë të ndryshme. Më së shumti mbipopullohen kampet nga ata që kërkojnë azil politik dhe ekonomik.

Flitet se paguhen azilantët nga 300 apo 400 euro në muaj, si qëndron e vërteta?
Ka vende që ofrojnë pagesa kur të largojnë nga kampi masiv për të krijuar kushte që të përballohet jetesa imediate. Nëse themi se në BE të japin 300-400 euro në Shqipëri do të kishte vlerë por në Be nuk ka të njëjtën kosto jetese. Disa vende ofrojnë disa të tjera jo

Sa zgjat afati për të marrë një përgjigje nëse pranohet apo jo azili dhe çfarë ndodh me ata që u refuzohet?
Secili vend ka mundësitë e tij që të trajtojë kërkesat për azil. Megjithatë kërkesat shihen të gjitha me imtësi. Por në këtë dyndje procedurat zgjasin pak më shumë se zakonisht. Parimi është që procedurat ët mos zgjasin më shumë se 6 muaj. Në rastet kur shihet se kërkesa për azil nuk është e besueshme, procedura bëhet edhe më e shkurtuar.

Shqiptarëve që ju refuzohet azili, penalizohen më pas për lëvizjen e lirë?
Kur refuzohet azili ka 2 sekuenca të ndara. E para ndërgjegjësimi për t’u kthyer sa më parë vullnetarisht. Por në rast se do të dëbohen atëherë edhe do përcaktohet penalizimi për një afat që ata vetë e vendosin. Po nuk u ndërgjegjesuan do penlizohen sigurisht.

Në cilin shtet është numri më i lartë i shqiptarëve që kanë trokitur për azil?
Bumin më të madh të azilkërkuesve e ka Gjermania dhe fatmirësisht është një shtet që respekton të drejtat e njeriut. Nuk ekziston azili ekonomik në asnjë shtet të botës dhe askush nuk mund ta marrë atë.  Nuk mund të shkosh të kërkosh azil ekonomik dhe pastaj kontratë pune

Para disa ditësh janë deportuar 58 shqiptarë nga gjermani, cka ndodhur me ta?
Do merren në pyetje, do shqyrtohen arsyet pse kanë ikur. Nëse ka të dhëna për të angazhuar strukturat e policisë, sigurisht që do ti pyesim.
 

Cili është mesazhi juaj për shtetasit që kanë ndërmarrë apo planifikojnë të largohen për një azil ekonomik?
Ata që e kanë marrë rrugën e azilit do ndërgjegjësohen pasi të marrin përgjigje. Atyre që kanë ndërmend të ikin dua ti them se nuk duhet të marrin rrugën e azilit e të tërheqin zvarrë fëmijët, të braktisin shrtëpinë e kështu gjërash sepse në Shqipëri ende ka shpresë. Kështuqë e vetmja gjë që më mbetet të them është se shqiptarët nuk duhet të largohen.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)