Rubrika e poezisë sjell vargje nga poeti premtues i qytetit të Durrësit, Rei Hodo. Vargu i Reit tërheq për stilin tërësisht individual, të sigurt, sa të thellë dhe depërtues, po aq dhe romantik.

Poezia e parë:

gjethnajë flokëzash

kufij qerpikët e zgjatur,

nga bota të ndan

një qark syri

teksa ledhatohen flokëzat mbi lëkurë

dëshpërimisht tingëllon hëna melankoli

ç’hije lakmitare formon bulëza e lotit nën qepallë

dhe derdhet hirësishëm trupi i shpatullës

engjëjt rrëfejnë qiellit me sytë nga ti

perandori e lëkurtë e kurmit tënd

gjithësi e botës tek një bebëz irisi

hijet qarkojnë me lakmi qenien

sillen si valët bregut

kufij qerpikët e zgjatur deri në eter

bota rrëfen me sytë nga qielli

një mall të ri

ç’hije hirësishëm drithëron dielli

në atë gjethnajë flokëzash ku rri ti

Poezia e dytë:

herbarium katrahurash

i yti kurm një tokë djerrë 

pa zbuluar brigjet virgjëri 

një gushë honëzake lejleku trazuar 

dremiste mbi supin e qetishtës 

pa vënë dorë mbi ty 

dhe mbet ashtu hapësirë e pazbuluar 

pa një fat tragjik a jetësor në trastë 

një kurm zëmbytur që përkund 

mallin për një histori të re

Poezia e tretë:

dielli mbi ty hedh perëndimin 

gjinjtë e tu të fryrë i përflak 

ndërsa kotesh si një turp fare i ri 

ajmè kështu do të jetë shkruar 

edhe në legjenda 

se dielli gjithnjë mbi gjinjtë 

e fryrë të detit 

flì do bjerë 

duke bërë 

dashuri


Lajmi kryesor:

'Në Librari' vjen me 3 tituj: Gegnishtja dhe identiteti në poezitë e Oriola Gjetajt, ‘Një udhëtim në historinë 150-vjeçare të shtypit arbëresh’ dhe ‘Ngjitja’, romani që zbulon hijet e së kaluarës naziste