1. “MESHARI” DHE BUZUKU, NË NJË LEXIM TË RI NGA BARDHYL DEMIRAJ
Mbi figurën e Don Gjon Buzukut dhe veprën e tij monumentale, “Mesharin”, janë shkruar studime të shumta gjatë dekadave. Megjithatë, albanologu Bardhyl Demiraj sjell një këndvështrim të ri në monografinë “Don Gjon Buzuku dhe Meshari i tij”, botuar nga Botime Françeskane.
Libri synon të depërtojë përtej vlerës gjuhësore të veprës së parë të njohur në gjuhën shqipe, duke ndriçuar formimin kulturor, intelektual dhe fetar të autorit të saj.
“Për një studiues filolog, Buzuku është korifeu i kulturës së hershme të shkrimit shqip. Studimi i veprës së tij është edhe një lloj përmbushjeje e një qëllimi jetësor në aktivitetin shkencor.”, thotë mes të tjerash autori i këtij studimi monografik, gjuhëtari dhe albanologu Bardhyl Demiraj.
Pas botimit të dy vëllimeve të Eqerem Çabejt në fund të viteve ’60, studimet mbi Buzukun në hapësirën shqipfolëse njohën një ngadalësim të dukshëm. Sipas Demirajt, kjo lidhet edhe me zhvillimet historike të periudhës komuniste, kur trashëgimia e hershme fetare dhe liturgjike mbeti jashtë vëmendjes së kërkimit shkencor.
Në këtë monografi, autori e sheh “Mesharin” jo vetëm si dëshmi të gjuhës së vjetër shqipe, por edhe si një tekst që zbulon botën intelektuale të vetë Buzukut.
“E reja e këtij libri është zbritja në tekst. Pikërisht nga analiza e tekstit kam arritur të depërtoj deri te formimi intelektual dhe fetar i Buzukut. Ne nuk kemi dokumente arkivore për jetën e tij; është vetë teksti ai që na jep materialin për të nxjerrë përfundime.”, shpjegon Demiraj.
Përmes metodës së analizës ndërtekstuale, studiuesi krahason pjesët e “Mesharit” me materiale liturgjike të së njëjtës periudhë në gjuhë të ndryshme evropiane. Kjo qasje e çon në përfundimin se Buzuku ishte pjesë e një elite humaniste kristiane shqiptare, e lidhur ngushtë me qarqet intelektuale të diasporës arbërore në Italinë e Veriut.
Sipas autorit, Buzuku nuk ishte një figurë e izoluar, por pjesë e të njëjtit horizont kulturor ku vepruan edhe Marin Barleti, Marin Beçikemi, Dhimitër Frangu e humanistë të tjerë shqiptarë të kohës.
“Buzuku nuk është një figurë e vetmuar. Ai ecën në të njëjtën hulli me elitën intelektuale shqiptare të kohës, e cila synonte të ruante kulturën, historinë, gjuhën dhe identitetin fetar të shqiptarëve në një periudhë ndryshimesh të mëdha.”, thotë autori.
Monografia është rezultat i një pune kërkimore shumëvjeçare. Vetëm puna intensive mbi “Mesharin” ka zgjatur rreth tre vjet, ndërsa kërkimet që çuan drejt këtij studimi janë shtrirë në afro gjashtë vjet.
Përmes kësaj vepre, Bardhyl Demiraj sjell jo vetëm një lexim të ri të “Mesharit”, por edhe një kontribut të rëndësishëm në studimet albanologjike, duke rikthyer në qendër të vëmendjes figurën e Don Gjon Buzukut dhe rolin e tij në historinë e kulturës shqiptare.
2. “KAMELIET DIMËRORE”, ROMANI I RI I ERMAL METËS NË SHQIP
Një histori miqësie, dhimbjeje dhe përballjeje me traditat më të ashpra shqiptare vjen për lexuesin në romanin më të ri të Ermal Metës.
“Kameliet dimërore”, botuar nga shtëpia botuese Dudaj, është libri i dytë i autorit pas suksesit të romanit të tij të parë “Nesër e përgjithmonë”.
Ngjarja zhvillohet në dy kohë. Në Shqipërinë e vitit 2025, Lara, një studente gazetarie me origjinë shqiptare, mbërrin në vend për të intervistuar një burrë që prej tri dekadash jeton i izoluar nga bota. Një takim që do t’i ndryshojë jetën dhe do ta çojë drejt një historie të pazakontë.
Ndërkohë, rrëfimi na kthen në vitin 1995, në një Shqipëri të trazuar pas rënies së komunizmit. Dy familje lidhen nga fati dhe më pas ndahen nga tragjedia. Uksani dhe Samiri janë dy miq të pandashëm, të rritur së bashku në një realitet të vështirë. Por një konflikt mes familjeve të tyre sjell pasoja të rënda dhe vendos në qendër të ngjarjes Kanunin dhe hakmarrjen.
Sipas botueses Arlinda Dudaj, romani konfirmon talentin letrar të Ermal Metës dhe e vendos atë mes autorëve bashkëkohorë që duhen ndjekur.
“Kameliet dimërore është libri i dytë i Ermal Metës në shqip dhe mendoj se pas këtij romani ai e ka çimentuar qenien e tij si shkrimtar. Është një libër shumë i bukur, që vazhdon ta ketë Shqipërinë në qendër, ashtu si edhe romani i tij i parë.”, thotë botuesja Arlinda Dudaj.
Ajo tregon se në këtë libër, Meta prek temën e Kanunit dhe të hakmarrjes, por në zemër të historisë mbetet miqësia mes dy djemve të rinj, Uksanit dhe Samirit.
“Janë personazhe që rriten bashkë, luajnë bashkë dhe përballen me një fat tragjik që ndryshon jetën e tyre. Romani ka shumë emocion, shumë ngjarje dhe lexohet me një frymë. Brenda tij gjenden edhe histori humbjesh, kërkimesh dhe zbulimesh që e mbajnë lexuesin të lidhur deri në fund. Edhe vetë titulli, ‘Kameliet dimërore’, merr kuptimin e tij të plotë vetëm në fund të rrëfimit. Është një libër që nuk duhet humbur dhe që vërteton vazhdimësinë e Ermal Metës si një zë i rëndësishëm i letërsisë bashkëkohore shqiptare.”, vijon Dudaj.
Ermal Meta është këngëtar, autor, poli-instrumentist dhe producent muzikot shqiptar, i natyralizuar italian. Në vitin 2016 ai publikoi albumin e tij të parë solo. Pas kësaj erdhën edhe shumë të tjerë, turnetë e të cilëve kanë udhëtuar kudo në Itali dhe Europë. Gjatë viteve të fundit ai ka fituar çmimet dhe vlerësimet më prestigjoze në fushën e muzikës. Debutimi i tij letrar “Nesër e përgjithmonë (La nave di Teseo, 2022) është nominuar më çmimin “Strega” dhe është përkthyer në Francë, Gjermani, Spanjë, Kinë dhe Shqipëri.
“Kameliet dimërore” është një rrëfim që ndërthur dramën familjare, misterin dhe historinë e një vendi në tranzicion.
3. “DRITA E MUZGUT”, NJË HISTORI DASHURIE DHE SEKRETESH
Në një qytet të vogël holandez të viteve ’60, ku jeta dhe fatet e njerëzve kontrolloheshin nga rregulla të forta fetare, nis historia e romanit “Drita e muzgut”.
Gjithçka fillon mbi akullin e ngrirë të lumit Ëaal, ku një takim i rastësishëm mes Fridës, një shitëseje të re lulesh, dhe Otto-s, një profesori të martuar, shndërrohet në një histori dashurie të ndaluar. Një ndjenjë që do të lërë gjurmë të pashlyeshme në jetën e protagonistes dhe do të kthehet në një dramë të thellë njerëzore.
Në sfondin e një shoqërie të dominuar nga Kisha Katolike, romani ngre pyetje të forta mbi paragjykimin, fajin, lirinë individuale dhe sekretet që njerëzit detyrohen të mbajnë të fshehura për dekada të tëra.
Historia rrëfehet nga vetë Frida, tashmë një grua tetëdhjetëvjeçare, e cila jeton e vetmuar në një rezidencë për të moshuar. Në prag të fundit të jetës, ajo vendos të përballet me të kaluarën dhe të kërkojë atë që ka humbur në rininë e saj.
“Drita e Muzgut’ është një libër mjaft domethënës për raportet brenda familjes. Në qendër të tij është një grua 80-vjeçare, e cila në retrospektivë tregon historinë e jetës së saj. Në moshën 16-vjeçare ajo përjeton një dashuri të madhe me një profesor dhe nga kjo lidhje mbetet shtatzënë. Në fund të jetës, ajo kërkon të zbulojë të vërtetën për fatin e fëmijës së saj dhe ndan me të birin sekretin më të dhimbshëm që kishte mbajtur brenda vetes për dekada.”, thotë botuesja Vasilika Tafa.
Mes kujtimeve, dhimbjes dhe pendesës, Frida rikthen copëza të jetës së saj, ndërsa lexuesi zbulon gradualisht një histori që flet për humbjen, dashurinë dhe nevojën njerëzore për të gjetur paqe me të kaluarën.
Sipas botueses, romani është një nga veprat më prekëse të autorit holandez, i njohur tashmë edhe për lexuesin shqiptar.
“Është një histori që të drithëron dhe të emocionon. Një grua në fund të jetës gjen forcën të përballet me kujtimet dhe të kërkojë përgjigje për plagën më të madhe të saj. Libri është shkruar me shumë ndjenjë, metafora dhe simbolikë, duke na kujtuar se edhe jeta më e thjeshtë mund të mbajë brenda saj histori të jashtëzakonshme.”, vijon Tafa.
“Drita e muzgut” është një roman që ndërthur dashurinë, kujtesën dhe kërkimin e së vërtetës, duke sjellë një rrëfim emocional që mbetet gjatë në mendjen e lexuesit.
Këtë herë te "Melodia e vargut" vijnë vargje nga poetja Alda Merini, një zë i fuqishëm i poezisë italiane. Ajo u lind më 21 mars 1931, pikërisht në një datë e cila vite më vonë do të zgjidhej për të përfaqësuar ditën botërore të poezisë. Fjala e Alda Merinit emocionon për ndjeshmërinë por dhe për denoncimin, britmën, forcën e saj, ndërsa i shkruan dashurisë, dhimbjes, zhgënjimit, dinjitetit, marrëzisë, pasionit.
Dikur të pata thënë
Dikur të pata thënë
Mos u nxeh i dashur
Meqë jam pak ndryshe nga të tjerat.
Ndoshta një shtëllungë tymi mund të jem
Por druri që tek unë digjet
Është dru i artë pyjesh,
Por ti s'ma vure veshin.
Trupin tim të bardhë vështroje
I fandaksur,
Dhe thikën doje të ngulje në të
Dhe kështu, viktima jote vdiq
Vdiq nën peshën e fandaksjes tënde
A dashurisë tënde të fandaksur
Tallesha me trajtat e mia dehëse
E dija, që isha për të qarë
Dhe zija më therrte përbrenda
Me ëmbëlsinë e një skifteri.
Sa herë më zhveshën dhe më hëngrën,
Si ushqim për teveqelë kam shërbyer;
Tani, je dhe ti njëri prej tyre,
Fund i pashmangshëm i dashurisë sime.
Ç'thotë feja jote
Për kryqin tim të shkretë?
Nuk më lypsen para
Para nuk më duhen,
Për ndjenja kam nevojë,
Për fjalë, fjalë mençurisht zgjedhur,
Për lule që quhen mendime,
Për trëndafilë të quajtur prani,
Për ëndrra që ndër pemë banojnë,
Këngë, që dhe statujat t'i bëjnë të vallëzojnë
Për yjet, që dashnorëve në vesh t'u pëshpërijnë,
Kam nevojë për poezi,
Këtë magji, që peshën e fjalëve djeg,
Që emocionet rizgjon dhe ngjyra të reja fal.
Komente


