Te rubrika e poezisë, vargjet e mrekullueshme shkruar nga Atë Gjergj Fishta, një emër i madh dhe një figurë e rëndësishme e historisë, trashëgimisë dhe kulturës shqiptare.
Melodia e Vargut nga Sonila Strakosha
Atdheut
N'ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon,
N'ty mendoj kur soset dita,
Terri botën kur e mblon.
Veç se ty te shoh un n'andërr,
Veç se ty, cuet, t'kam n'mendim;
Ndër t'vështira ti m'je qandërr,
Për ty i lehtë m'vjen çdo ndëshkim.
Tjera brigje, fusha e zalle
Unë kam pa, larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle,
N'tjera lule syu m'u rrek;
Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s'rri,
Ma i kulluet nji lum s'dikohet,
Moj Shqypni, porsi i ke ti.
N'ty ma i bukur lulzon Prielli,
Janë ma t'kandshme stinë e mot;
N'ty bylbyli pa le dielli
Kndon ma ambël t'Madhit Zot.
Pa ty lules s'm'i vjen era,
Pa ty pema fryt nuk m'bjen:
Mue pa ty nuk m'del prendvera,
Pa ty dielli nuk m'shkelxen.
Dersa t'mundem me ligjrue
E sa gjall me frymë un jam,
Kurr Shqypni, s'kam me t'harrue,
Edhe n'vorr me t'përmend e kam.
Lajmi kryesor:
'Në Librari' sjell 3 tituj të rinj: ‘Fluturimi i shqiponjës’, ‘Ikanakët’ dhe ‘Panda e madhe dhe dragoi i vogël’



