Këtë herë te "Melodia e vargut" vijnë vargje nga poetja Alda Merini, një zë i fuqishëm i poezisë italiane. Ajo u lind më 21 mars 1931, pikërisht në një datë e cila vite më vonë do të zgjidhej për të përfaqësuar ditën botërore të poezisë. Fjala e Alda Merinit emocionon për ndjeshmërinë por dhe për denoncimin, britmën, forcën e saj, ndërsa i shkruan dashurisë, dhimbjes, zhgënjimit, dinjitetit, marrëzisë, pasionit.
Dikur të pata thënë
Dikur të pata thënë
Mos u nxeh i dashur
Meqë jam pak ndryshe nga të tjerat.
Ndoshta një shtëllungë tymi mund të jem
Por druri që tek unë digjet
Është dru i artë pyjesh,
Por ti s'ma vure veshin.
Trupin tim të bardhë vështroje
I fandaksur,
Dhe thikën doje të ngulje në të
Dhe kështu, viktima jote vdiq
Vdiq nën peshën e fandaksjes tënde
A dashurisë tënde të fandaksur
Tallesha me trajtat e mia dehëse
E dija, që isha për të qarë
Dhe zija më therrte përbrenda
Me ëmbëlsinë e një skifteri.
Sa herë më zhveshën dhe më hëngrën,
Si ushqim për teveqelë kam shërbyer;
Tani, je dhe ti njëri prej tyre,
Fund i pashmangshëm i dashurisë sime.
Ç'thotë feja jote
Për kryqin tim të shkretë?
Nuk më lypsen para
Para nuk më duhen,
Për ndjenja kam nevojë,
Për fjalë, fjalë mençurisht zgjedhur,
Për lule që quhen mendime,
Për trëndafilë të quajtur prani,
Për ëndrra që ndër pemë banojnë,
Këngë, që dhe statujat t'i bëjnë të vallëzojnë
Për yjet, që dashnorëve në vesh t'u pëshpërijnë,
Kam nevojë për poezi,
Këtë magji, që peshën e fjalëve djeg,
Që emocionet rizgjon dhe ngjyra të reja fal.
Lajmi kryesor:
‘Në Librari‘ vjen me 3 tituj: ‘Don Gjon Buzuku dhe meshari i tij‘, 'Kameliet dimërore‘ dhe 'Drita e muzgut‘ nga Jaap Robben.


