Memo konfidenciale e tatimeve:
Kujdes me gjobat e rivlerësimet 

Memo konfidenciale e tatimeve:<br />Kujdes me gjobat e rivlerësimet 
Rivlerësim i pasaktë i TVSH-së; detyrime të tatimpaguesve që figurojnë në sistem por nuk lidhen me njoftim-vlerësimet përkatëse; gjobave të padrejta për mospaisje me kasë të zyrave të konsulencës, të studiove ligjore e kontabile, të ekspertëve kontabël etj; detyrime të çuditshme ku firma e ndërtimit duhet të paguajë për tatim fitimin e pronarëve të truallit e kështu me radhë.

Këto janë disa nga problemet që janë konstatuar nga Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT), pas ankesave të shumta që kanë pasur nga biznesi. Për këtë arsye, drejtoresha e përgjithshme e tatimeve u ka nisur një sërë drejtorive (Shërbimi i Tatimpaguesve, Vlerësimit i të Ardhurave dhe Kontabilitetit, Kontrolli Tatimor, Ligjore, Menaxhimit të Rriskut, Auditi i Brendshëm, IT, Avokatit të tatimpaguesve), një memo lidhur me disa probleme të hasura nga Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT).
 
“Lidhur me problemet e hasura nga Drejtoria e Apelimit Tatimor gjatë vitit 2015, gjykoj se duhet të kenë dijeni edhe Drejtoritë e tjera në Drejtorinë e Përgjithshme. Kjo, për t’i shërbyer më mirë përmirësimit të punës së gjithseicilit në sektorin ku punon e drejton”, thuhet në memo, ku jepen me detaje dhe problemet e konstatuara, si më poshtë:
 
1. Detyrimet e tatimpaguesve në sistem nuk lidhen me njoftim-vlerësimet përkatëse. Duke qenë kështu, jo vetëm DAT ka vështirësi në gjetjen e detyrimeve të ankimuara (në momentin e regjistrimit fillestar të ankimit), por edhe DRT-ve nuk u shërben sa duhet regjistrimi i ankimeve dhe rruga që përshkruhet në sistem deri në daljen e vendimit përkatës.

Këtë çështje e kemi diskutuar me zotërinjtë e projektit, por përgjigja e tyre ka qënë se ky është metoda e përzgjedhur dhe e dakordësuar për sistemin e Ri. Në rast se kjo nuk mund të bëhet, të meren masa për të bërë propozime në ndryshim të ligjit në mënyrë që t’ia përshtasim këtij sistemi që tashmë e kemi zgjedhur.
 
2. Sistemi, megjith avantazhet e padiskutueshme që ka, mendojmë se ka edhe mangësi që duhen patur parasysh për t’u përmirësuar:
a) Tvsh-ja kreditore progresive deri në Dhjetor 2014, është e mbartur në një llogari të veçantë dhe kur shoqërisë i rivlerësohen periudha të para dhjetorit 2014, asaj, padrejtësisht i lindin detyrime.

Për ta rregulluar këtë, të përgatitet një shkresë e Drejtorisë së Përgjithshme ku mund të përshkruhen hapat që duhet të ndjekë DRT-ja në këto raste. Kjo, do të shmangte stresin e tatimpaguesve për gjoba të padrejta nga sistemi si dhe punën e DAT për t’i trajtuar ankime të tilla.

b) Drejtoria e Personelit në bashkëpunim me Zyrën e Projektit, të programojë trajnime praktike me inspektorërt e DRT-ve për punën e strukturave rajonale mbas përcjelljes së vendimit të DAT tek ata.

c) Ka raste kur ndryshojnë shumat e detyrimeve sipas njoftim-vlerësimeve me shumat e detyrimeve sipas sistemit. Kjo ka sjellë keqkupime e anomali në plotësimin e kushteve për apelim. Disa tatimpagues thonë kam paguar çfarë kisha në sistem. Të tjerë thonë se kam paguar çfarë kisha në njoftim-vlerësimi. Zyra e Projektit pasi të verifikojë raste të tilla, të marrë masat e duhura për shmangien e diferencave të tilla.
 
3. Në sistemin e Ri, është implementuar që legjislacioni të ketë fuqi prapavepruese. Drejtoria e Aeplimit tatimor argumenton se kjo nuk duhej të ndodhte. Kjo sepse në nenin 155 të kushtetutës së Shqipërisë përcaktohet se “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.
 
4. Në muajt e fundit, në DAT, pati shumë ankime ndaj gjobave për mospaisje me kasë të zyrave të konsulencës, të studiove ligjore e kontabile, të ekspertëve kontabël etj të këtyre fushave të profesioneve të lira. Për këtë, Drejtoria e Apelimit Tatimor e studioi mirë problemin dhe doli me një qëndrim të caktuar. Ajo i shfuqizoi këto gjoba me argumentin se ligji nuk ngarkon organin tatimor për të përcaktuar se kush bisnes duhet të pajiset me kasë fiskale e kush jo. Ligji, këtë detyrë ia ngarkon biznesit.

Organet tatimore kanë detyrë të ndjekin zbatimin e ligjit. Në se ndonjë prej këtyre bizneseve arkëton para cash, organi tatimor vendos penalitetet në bazë të ligjit. Të gjitha bizneset pa përjashtim janë të mundshme të kontrollohen se si i bëjnë arkëtimet e tyre. Përveç kësaj, publikuam edhe një vendim përgjithësues në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
 
5. Drejtoria Juridike në bashkëpunim me Drejtorinë Teknike të studiojë mundësinë e propozimit për përmirësime ligjore. Sepse ka raste me formulime të gabuara në të shkuarën. Ja disa nga rastet që jep Drejtoria e Apelimit Tatimor:

a) Në ligjin Nr. 8438, date 28.12.1998, në paragrafin 20 të nenit 20 të këtij ligji thuhet se “Për veprimtaritë e ndërtimit dhe shitjes me destinacion për strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi, në të ardhurat e tatueshme të investitorit llogariten edhe të ardhurat që i korrespondojnë pjesës së sipërfaqes së ndërtimit që përfitojnë pronarët e truallit për rastet e kontratave të këmbimit truall-sipërfaqe ndërtimi.

Vlerësimi i të ardhurave për pjesën e pronarit të truallit bëhet në të njëjtën mënyrë si për pjesën e të ardhurave të realizuara nga investitori dhe ai bazohet në metodikën e miratuar nga Këshilli i Ministrave lidhur me fitimin minimal fiskal”. Me pak fjalë, ky përcaktim thotë që firma ndërtuese e pallatit, të paguajë edhe tatim fitimin për pjesën që përfitojnë pronarët e truallit. Këtë çështje e kemi ngritur qysh në nëntor 2013 kur na u kërkuan mendime për përmirësime ligjore, u mirëkuptuam, por për çudi ndryshimi nuk ndodhi. Para 2 muajsh ankohej një shoqëri ndërtimi pikërsht për këtë gjë. Inspektori i kontrollit i kishte nxjerë detyrime edhe për tatim fitimin e pronarëve të truallit.

U ndjemë shumë keq, por nuk kishim asnjë mundësi ligjore t’ia shfuqizonim. E lamë në fuqi. Mendojmë se edhe ky problem duhet të gjejë zgjidhjen e duhur.
b) Në shumë raste, subjektet e vetpunësuar, ankohen se kanë marrë gjoba për mos deklarim të formularit të TAP-it.

Ata nuk e kanë bërë këtë deklarim me mendimin se paga e tyre nuk është objekt i tatimit mbi të ardhurat personale, pra është poshtë 30 mijë lekëshit. Bëhet fjalë për gjoba të periudhave para vendosjes së sistemi të Ri. Mbase për këtë merret një nismë për t’i shfuqizuar gjoba të tilla mbasi DAT nuk ka asnjë bazë ligjore dhe nga ana tjetër, gjoba të tilla janë të shumta e krijojnë pakënaqësi tek tatimpaguesit e vegjël, përfundon memo e tatimeve.

Shuma e ankimuar në 2015-n 116 milionë euro.

Ka arritur në 16.2 miliardë lekë (116) milionë euro shuma që biznesi ka ankimuar te Drejtoria e Apelimit Tatimor përgjatë vitit 2015, sipas të dhënave të brendshme të Tatimeve. Këto janë ankesa që kryesisht bizneset i kanë bërë sepse nuk kanë qenë dakord me vlerësimet tatimore pas kontrolleve, apo për gjoba të ndryshme.

Pjesa më e madhe e ankimimeve kanë qenë për taksat kombëtare, me rreth 6.8 miliardë lekë, të ndjekura nga TVSH, me 4.9 miliardë lekë, tatim fitimi me 1.6 miliardë lekë (shiko tabelën në fund për të dhënat e detajuara).
Vetëm 537 milionë lekë, apo rreth 3.3% e shumës së ankimuar është shfuqizuar, 5.3 miliardë lekë është në fuqi, 10 miliardë lekë është refuzuar dhe dhe 357 milionë lekë është kthyer për saktësim. http://www.monitor.al/biznesi-166-milione-euro-rivleresime-e-gjoba-ne-2015-n-vetem-3-3-e-shumes-shfuqizohet//MONITOR/
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Tri pikë 'me dhimbje', Arsenal fiton 3-0 kundër Bournemouth dhe qëndron në krye të Premier League

GOLAT/ Tri pikë 'me dhimbje', Arsenal fiton 3-0 kundër Bournemouth dhe qëndron në krye të Premier League