Është nënshkruar sot memorandumi i partneritetit strategjik mes inspektoriatit qendror të Shqipërisë dhe atij shtetëror të Republikës së Francës. Ky bashkëpunim synon implementimin e projekteve për rritjen e nivelit të trupave të inspektimit duke marrë nga eksperienca franceze. Kështu u shpreh inspektori i përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, i cili tha se brenda 6-mujorit të dytë, pritet që edhe inspektimet ligjore të bëhen online.

“Inspektoriati Shtetëror nga viti 2018, do të integrojë procesin e inspektimeve me tabletë, audio dhe video, duke e cilësuar një histori suksesi, pasi nëpërmjet tabletave do të kemi një proces transparent dhe në kohë reale të inspektimeve dhe nënshkrimin elektronik. Duke e shoqëruar procesin e inspektimit me dokumente të filmuara para përpilimit të dokumentit final”, u shpreh Hajdari.

Edhe Michel Rozau, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoriatit në administratën e Republikës së Francës u shpreh pro këtij bashkëpunimi dhe memorandumi duke thënë se ndjehet krenar që po firmos me shqiptarët.

Të pranishëm në takim ishin edhe sipërmarrës, të cilët thanë se e mbështesin këtë projekt dhe masat e marra prej tij, pasi janë ato që i nxisin të investojnë duke pasur sa më pak burokraci.

Er.K/Shqiptarja.com