VLORË - Mbetjet e anijes “Kater i Radës", e cila u fundos më 28 mars të vitit 1997 në ujërat e Otrantos, janë sjellë në Vlorë.Mbetjet e anijes janë sjellë falë kontributit të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, në bashkëpunim me fondacionin “Xoxa” dhe kompaninë “Thalassia” (Brindisi).

Këto mbetje do të shërbejnë për ngritjen e një memoriali në nderim të 81 viktimave të Otrantos.
 
“Së bashku me institucione të ndryshme shqiptare e italiane, fondacionin “Xoxa” dhe kompaninë “Thalassia” (Brindisi), dje (të mërkurën) kemi kthyer në Vlorë pjesën e parë të mbetjeve të anijes "Kater i Radës", fundosur tragjikisht në ujërat e Otrantos më 28 mars 1997.
 
Sjellja e mbetjeve që kanë shpëtuar, të motovedetës në fjalë, do shërbejë për ngritjen e një memoriali në nderim të 81 viktimave të Otrantos dhe të historisë së dhimbshme të eksodit shqiptar.
 
Në Protokollin e Brindisit të 3 marsit 2014 unë nënshkrova angazhimin tim që të mbështes rikthimin në Atdhe të mbetjeve të drunjta dhe të motorit të anijes "Kater i Radës”, si një pronë fillimisht e humbur, e mbytur dhe e braktisur, por më pas e rigjetur e që i rikthehet qytetit të Vlorës dhe popullit që i përkiste qytetarëve të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë”, shkruan Kokëdhima në FB.
 

/Marrë nga Shekulli/
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)