TIRANE - Rritja e të ardhurave menaxhimi i tyre, ulja e borxhit publik, monitorimi i koncesioneve si dhe rritja e investimeve të huaja, janë shtyllat kryesore të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike për vitin 2019-2022. Të gjitha këto shtylla synojnë rritjen e buxhetit dhe shpenzime më të kontrolluara nga të gjitha institucionet.
“Në 6 shtylla që kishte strategjia e mëparshme, kjo strategji ka 7 shtylla. Kjo është një reformë për një ekonomi më të fortë, për shërbime të përmirësuara për qytetarët, rrit përgjegjshmërinë, transparencën, eficencën dhe disiplinën fiskale në planifikimin dhe shpenzimin e fondeve publike. Mundëson në pushtetin vendor ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët dhe të ofruara këto në mënyrë më transparente” u shpreh ministrja e Financave Anila Denaj.
Në këtë strategji ka asistuar edhe Bashkimi Evropian, ku përfaqësuesi i delegacionit Mario Miriani ka kërkuar në mbledhjen e sotme rritjen e transparencës dhe të tregohet kujdes me koncesionet.
“Institucionet duhet të jenë transparente dhe të diskutojnë në mënyrë aktive. Ne kemi bërë plane në strategji kemi vënë theksin tek monitorimi i PPP-ve dhe mirëpresim ndryshime. Duhet forcuar transparenca në menaxhimin e risqeve dhe menaxhimin e PPP konkretisht. PPP mund të jenë eficente por duhet të rishikohen çdo herë pasi kanë kosto të fshehura dhe mund të dalin në të ardhmen. Ato duhet të kontrollohen shpesh që të mos devijojnë. Po ashtu duhet rritur llogaridhënia ndaj qytetarëve nga të gjitha institucioneve", tha Miriani.
Po ashtu edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë ka ngritur disa shqetësime që janë të njëjtat që nga viti 2014.
"Akoma kemi probleme me akumulimin e detyrimeve të prapambetura pavarësisht se masa e tyre është reduktuar. Ka probleme ende me menaxhimin e investimeve. Ka ende paqartësi me mënyrën se si do të menaxhohen se si do të vlerësohet risku që lidhet me PPP-të” tha përfaqësuesja e FMN-së Linda Spahia.
Strategjia e re është miratuar pak javë më parë dhe këto ndryshime kanë ardhur për shkak të pengesave që janë hasur në strategjinë që është ndjekur nga vitit 2014-2018, ku nuk ka patur një respektim të kritereve të vendosura. Një nga shembujt e dhënë është kapërcimi i Tavanit ligjor prej 60% për raportin e borxhit publik në raport me PBB-në, dhe që nuk u respektua në vitin 2014 ku borxhi arriti mbi 72% të PBB-së.