Krahas kësaj, fakti që kodikët (përfshirë këtu edhe ata muzikorë) kanë arritur t’u mbijetojnë periudhave të vështira që njohu historia e Shqipërisë prej shekujsh me radhë, duke mbërritur deri në ditët e sotme, flet shumë për kulturën dhe vetëdijen e njerëzve që i ruajtën këto dorëshkrime me përkushtim të admirueshëm..”.
Studiuesja Meri Kumbe, e përshkruan me këto fjalë, këtë pasuri të vyer të trashëgimisë tonë në librin e saj “Dorëshkrime muzikore të Arkivit Qendror Shtetëror”, prezantuar dy ditë më parë në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Në studimin e saj Meri Kumbe, paraqet në mënyrë analitike, përmes katalogut, dorëshkrimet e muzikës bizantine në Shqipëri, si edhe të gjitha dëshmitë e shkruara në 150 vitet e fundit mbi ekzistencën e kodikëve të artit psaltik në trojet shqiptare. Studimi organizohet i ndarë në dy pjesë me nga dy kapituj secila. Në pjesën e parë, paraqiten kodikët e Shqipërisë dhe dorëshkrimet muzikore, shoqëruar me informacione të përgjithshme mbi vendndodhjen, llojin dhe prejardhjen e tyre gjeografike dhe po ashtu, edhe katalogët ndërkombëtarë që sjellin informacione mbi to.
Pjesa e dytë librit i kushtohet përshkrimit analitik – katalogut – të dorëshkrimeve muzikore, analizës së përmbajtjes dhe veçorive të tyre.
Metodologjia e ndjekur për hartimin e katalogut është ajo e përdorur nga Prof. Dr. Gr. Stathi dhe përshkrimi jepet në dy gjuhë, greqisht (gjuha origjinale e kodikëve) dhe shqip, me qëllim dhënien sa më të saktë të përmbajtjes së tyre. Titulli dhe karakteristikat përshkrimore të çdo kodiku jepen në shqip, kurse përmbajtja (titulli i tropareve që përshkruhen) do të jepet në origjinal, e transkriptuar dhe e shoqëruar me gjithë shpjegimet e tjera të nevojshme, të cilat jepen në shqip.
Hartimi i këtij punimi është bazuar në kërkimin arkivor, ku përfshihet, kryesisht, studimi i Fondit “Kodikët e Shqipërisë” ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit, dhe në kërkimin bibliografik, në të cilin përfshihen artikujt apo botimet shqiptare dhe të huaja që kanë në qendër të tyre dorëshkrimet e Shqipërisë.
Nga përfundimet e studimit nxjerrë në fund të librit studiuesja Meri Kumbe na sjell një sërë informacionesh mbi këto dorëshkrime shekullore. Sipas saj në Arkivin Qendror të Shtetit, në Fondin 488 ruhen gjithsej gjashtë dorëshkrime muzikore. Këto dorëshkrime janë:
Irmolog Berat 23 (F. 488, D. 23), i vitit 1292, shkruar në letër – shkrimi muzikor: Shkrimi i mesëm (periudha e II), kodikshkruesi: Mihail Slavopulos.
Stiqirar i Mineut, i Triodit, Pendikostarit dhe Oktoihut, Përmet 81 (F. 488, D. 81), shek. XIII, pergamenë – shkrimi muzikor: shkrimi i mesëm (periudha e II).
Anastasimatar – Antologji Korçë 72 (F. 488, D. 72) i vitit 1736, letër – shkrimi muzikor: shkrimi i mesëm (periudha II).
Irmolog – Antologji Elbasan 87 i vitit 1808, letër – shkrimi muzikor: ekzegjetikë.
Anastasimatar i Petro Lambadharit Berat 90 (F. 488, D. 90), gjysma e parë e shek. XIX, letër – shkrimi muzikor: Metoda e re.
Antologji – Irmolog Tiranë 95 (F. 488, D. 95), i shek. XIX, letër – shkrimi muzikor: Metoda e re.
Të gjashtë dorëshkrimet muzikore paraqiten të një rëndësie të madhe në trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë, pasi ato nuk përfaqësojnë vetëm traditën e artit psaltik në hapësirën gjeografike të vendit, por gjithashtu edhe shkrimet e para muzikore në vend. Prejardhja gjeografike e ndryshme dhe kronologjia e tyre janë dëshmi të qarta të shtrirjes, fillimit dhe vazhdueshmërinë së traditës së artit psaltik në Shqipëri.
Për shkak të rrethanave të njohura politike, këto dorëshkrime nuk kanë qenë bërë publike prej kohësh, ashtu sikurse edhe e meritonin.
Sipas studiueses Kumbo, të gjitha të dhënat e grumbulluara tregojnë se dorëshkrimet muzikore të Shqipërisë kanë qenë më të shumtë në numër. Nga artikujt dhe katalogët që janë parashtruar analitikisht në pjesën e pare të librit, dëshmohet së paku ekzistenca e katër dorëshkrimeve të tjera muzikore.
“Sipas një shkrimi të Aleksudhit, botuar më 1892, në vitin 1356, kur serbët pushtuan Beratin, Skuripeki arriti të shpëtonte disa dorëshkrime, midis të cilave edhe dy stiqirare të vjetra me tone të dyfishta. Në të njëjtin vit Aleksudhi boton Katalogun e kodikëve të Beratit, ku bën fjalë edhe për një tjetër kodik muzikor të vitit 1267 të tipit Triod – Pentikostar. Nikolas Veis publikon më 1952 Katalogun e kodikëve të Gjirokastrës, prej të cilit informohemi për një Antologji të shek. XVIII.
Gjithashtu, fleta e II e kodikut Berat 9 dëshmon ekzistencën e një tjetër kodiku muzikor të tipit Mine i muajit Gusht.
Përveç kodikëve muzikorë, nga botimet e Aleksudhit të vitit 1900 në periodikun E vërteta kishtare, mësojmë për ekzistencën e një Katërungjillëshi me shkrim ekfonetik.
Duke krahasuar informacionet që na japin artikujt e mësipërm me ato që përftojmë nga kodikët, vërejmë se kodikët e ruajtur ne AQSh nuk përmenden në katalogët e botuar deri më sot. Kodikët muzikorë të përshkruar në botimet e Aleksudhit dhe Veis nuk janë pjesë e Fondit 488 dhe fati i tyre nuk dihet”, shpjegon në përfundimet e këtij studimi Meri Kumbe.
Sipas saj, midis kodikëve të ruajtur në AQSh vendin e nderit e zë kodiku i Beratit nr. 23, i tipit Irmolog. Kjo jo vetëm për shkak të materialit muzikor që paraqet dhe të moshës së dorëshkrimit, por kryesisht për mënyrën e veçantë dhe prototipe të organizimit të materialit muzikor.
Një pjesë me mjaft vlerë e këtij botimi janë edhe ilustrimet në fund të librit, ku jepen imazhe nga kodikët e Beratit, Korçës, Elbasanit, Përmetit, Tiranës, etj.
Shkrimi u publikua sot (15.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)