Largimet në merkaton e janarit, por edhe barazimi në limite kundër Skënderbeut, ka bërë që te Partizani të shpërthejnë pakënaqësitë. Trajneri Veselinovic nuk është kursyer pas ndeshjes me korçarët, duke pohuar se ‘aktualisht nuk kemi cilësinë për të qenë konkurent’, ndërsa nuk kurseu as ironitë për përforcimet që ka kërkuar. Madje pas Tedi Carës, Arinaldo Rrapajt dhe Andi Hadrojt ka përshëndetur ekipin edhe sulmuesi Mba, ndërsa për afrimin Guxhufi trajneri i Partizanit tha se ‘drejtuesit nuk e kanë pyetur dhe se për të ky lojtar ishte një surprizë’.
Për të gjithë këto rrethana pritet që në klub të mbahet një mbledhje, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia që Partizani dhe trajneri serb të ndajnë rrugët.
Java që lam pas në Superligë më së shumti i buzëqeshi Vllaznisë, që fitoi 2-1 me përmbysje derbin kundër Tiranës falë dopietës së Bekim Balajt.
“Për mua më të rëndësishme janë pikët dhe fitorja që i dhash skuadrës. Pjesën e parë nuk e nisëm mirë, por në fund arritëm që ta përmbysnim. Sigurisht që atmosfera e krijuar në shkallët e stadiumit në fund na le një shije të mirë të gjithëve,”-u shpreh Bekim Balaj, kapiten i Vllaznisë.
Disfata në Shkodër e la Tiranën në vendin e parafundit, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën.
“Tirana s’ka për të rrezikuar, të jeni të sigurtë për këtë sepse përndryshe unë do të rrija në shtëpi dhe nuk do të vijë këtu. Nuk ka për të rrezikuar sepse ne kemi të gjithë kapacitetet si staf, si skuadër për të dalë nga kjo gjendje e vështirë sepse nuk na ka ndodhur vetëm ne, pasi ka shumë skuadra në krizë. E rëndësishme është të ruajmë qetësinë, të bëjmë një analizë dhe të marrim përgjegjësitë e veta. Unë kam të mijat padiskutim,”-tha Gugash Magani, trajner i Tiranës.
Befasia më e madhe në javën që lam pas ishte humbja 2-1 e Dinamos kampione dimri kundër Bylisit, ndërsa Egnatia bëri detyrën 1-0 kundër Laçit. Fitore mori edhe Elbasani, që përmbysi 3-1 Teutën, ndërsa pas javës së 20 vendin e parë e mban Partizani me 34 pikë, po aq sa Dinamo dhe Vllaznia ndjekëse. Klasifikimin e mbyll Skënderbeu me 16 pikë, 2 më pak se Tirana e vendit të 9.