Afrimi i ditës së zbardhjes së listave të kandidatëve për deputetë ka sjellë dridhje më radhët e deputetëve aktualë demokratë. Përfshirja e një numri shumë të madh këshilltarësh dhe drejtuesish të niveleve të dyta e të treta të qeverisjes, por që janë të mbështetur nga Berisha sjell largimin automatikisht nga listat preferenciale të kandidimit të gati 20 deputetëve aktualë.
Të cilët, teksa kanë verifikuar shpërndarjen e këtyre kandidatëve të rinj për deputetë “skifterë” të Berishës por dhe implementimit në listat e PD të deputetëve që ikur nga PS, kanë përllogaritur dhe mundësinë për të qënë në listat për deputetë të PD sipas qarqeve respektive.
Që tani kanë filluar ethet e mbetjes jashtë listave, ndërsa po kërkojnë një mundësi për të qenë kandidatë për deputetë në listat e partive aleate të Berishës, që gjithsesi janë jo në kushte komode për shkak se konsumimi nga qeverisja në 8 vite ndikon në rrudhjen dhe më të mbështetjes për këto parti, që janë në kufijtë e ekzistencës.
“Valvula” shkarkuese në mënyrë normale mund të kishte qenë Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi por dhe Aleanca Kuq e Zi e drejtuar nga Kreshnik Spahiu. Në kushte normale për spektrin politik të djathtë FRD duhej të kishte shërbyer si rrjetë për të gjitha rrjedhjet e PD, gjë që deri më tani ka shërbyer, duke mbledhur njerëzit më të pastër të PD, të cilët kanë qenë të zhgënjyer nga keqqeverisja e PD dhe që prej disa muajsh po punojnë për ngritjen e kësaj partie.
Ndërkohë në lidhje me këtë përpjekje të këtyre deputetëve demokratë të mbetur jashtë listave të Berishës për kandidatë për deputetë për të qenë pjesë e kontributit dhe listave të FRD, burime brenda partisë së Topit deklarojnë se tani është shumë vonë për të ikur nga PD dhe për ardhur në FRD, pasi kishin mjaft kohë për ta rrëzuar këtë qeveri dhe për të shpëtuar vendin nga një agoni e stërzgjatur.
Por sipas këtyre burimeve këta deputetë të PD zgjodhën t’i shërbejnë deri në fund Berishës, duke shkelur me të dyja këmbët ligjin dhe Kushtetutën pothuajse në të gjitha vendimet dhe ligjet që kanë votuar, pavarësisht se do të jenë jashtë listave të kandidimit në këto zgjedhje.
Nga FRD saktësohet se jo vetëm që nuk lëvizën më parë, por mbajtën dhe një qëndrim skandaloz në votimin e ministrave të rinj duke bashkuar votat me tre deputetë socialistë pas largimit të LSI dhe për më tepër as që kanë ndërmend që të hezitojnë të votojnë dhe për prishjen e KQZ.
Burimet brenda FRD konfirmojnë se tashmë të gjithë ata deputetë të PD që dëshirojnë të hyjnë në FRD dhe listat e saj të kandidimit do gjejnë derën mbyllur, me argumentin se s’marrin në këtë parti mbeturinat e Saliut. Kështu, deputetët e PD, pritet që në ndryshim nga ata të PS jo vetëm që do mbeten jashtë listave të Berishës, por s’kanë as ku të shkojnë.
“MERKATO” E DEPUTETËVE TË PD NDËR VITE
Lëvizjet e deputetëve 2009-2013
Largimet nga PD e LSI
Paulin Sterkaj nga PD te PS
Gazmend Oketa nga PD te FRD
Dritan Prifti nga LSI i pavarur
Lëvizjet e deputetëve 2005-2009
Largimet nga PD
Spartak Ngjela PD i pavarur
Gilman Bakalli PD i pavarur
Largimet të tjera
Hamit Kosta nga PDS te PS i pavarur
Albert Faruku PSD i pavarur
Angjelina Kola nga PSD te LSI
Nikollaq Neranxi nga PAA te LSI
Lejla Pernaska nga PR te PD
Pirro Lutaj nga PAD te PS
Pashk Ujka PAD PDK
Nard Ndoka nga PDR te PDK
Jak Ndokaj nga PDR te PDK
Frrok Gjini nga PDR te PDK
Nikollë Lesi nga PDK te LDK
Ferdinand Xhaferaj nga PDR te PD
Ymer Tola nga PAA te PDK
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)