Merkato, ja formacioni më i
shtrenjtë i historisë së futbollit

Merkato, ja formacioni më i<br />shtrenjtë i historisë së futbollit
Kur ka mbetur një muaj nga mbyllja e merkatos verore, Manchester United është shumë pranë goditjes së madhe, blerjes së Paul Pogba, që me shumë mundësi do të jetë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit.

Spanjollja As, në pritje të zyrtarizimit të francezit te “Djajtë e Kuq”, ka publikuar 11-shen më të shtrenjtë, ku në çdo rol është vendosur futbollisti për të cilin është paguar më shumë para. Ky formacion në total ka kushtuar 736.5 milionë euro, ku çdo element është vlerësuar mesatarisht 67 milionë euro. Në portë është Gianluiggi Buffon, për të cilin Juventusi shpenzoi 53 milionë euro në arkat e Parmës.

Me bardhezinjtë është aktivizuar në 15 sezone, dhe jo më kot konsiderohet një nga portierët më të mirë të historisë. Në qendër të mbrojtjes vendoset David Luiz, i cili u ble nga PSG në 2014-ën për 49.5 milionë euro, para që shkuan në arkat e Chelsea. Atëherë u konsiderua një blerje e çmendur, madje “transfermarkt” e vlerësonte vetëm 26 milionë euro. Në krah të brazilianit po në qendër të mbrojtjes rreshtohet Rio Ferdinand.

Në vitin 2002, Leeds United përfitoi 46 milionë euro nga Manchester United. Ish-mbrojtësi i kombëtares angleze fitoi 6 kampionate dhe një Champions League me “Djajtë e kuq”. Mbrojtësi i djathtë në 11-shen më të shtrenjtë është Liliam Turam, të cilin Juventusi e bleu nga Parma në vitin 2001 për 41.5 milionë euro. Në 2014 Luke Shaw u shndërrua në mbrojtësin e majtë më të shtrenjtë më histori, pasi për të riun anglez Manchester United shpenzoi 37.5 milionë euro për ta shkëputur nga Southampton.

Në mesfushë më të shtrenjtët janë Di Maria, De Bruyne dhe James Rodriguez. Në 2014-ën Manchester United pagoi 75 milionë euro për ta shkëputur mesfshorin argjentinas nga Reali i Madridit, ndërsa një vit më pas e shiti 63 milionë te PSG.

Për Kevin De Bruyne Manchester City verën e kaluar derdhi 74 milionë në arkat e Wolfsburgut, ndërsa Realit të Madridit James Rodriguez i kushtoi plot 75 milionë euro. Në krahun e majtë të sulmit në 11-shen më të shtrenjtë nuk mund të mungonte Cristiano Ronaldo, për të cilin Reali i Maridit shpenzoi 94 milionë euro në verë të 2009-ës, duke e shndërruar përkohësisht në futbollistin më të shtrenjtë në histori, sepse në 2013 -ën kjo shifër rekord u thye nga shuma zyrtare 101 milionë euro që po Reali i Madridit pagoi për Gareth Bale, për ta shkëputur uellsianin nga Totenhami. Bale rreshtohet në të djathtë të sulmit, ndërsa në qendër vendoset Gozalo Higuain që vetëm pak ditë më parë u bë zyrtarisht sulmues i Juventusit pasi kampionët e Italisë pranuar të shpenzonin 90 milionë euro për kartonin e tij.

Pogba shkon në total 270 milionë euro
Gazeta italiane “La Repubblica” ka përllogaritur se pagesa për transferimin e Paul Pogba nga Juventusi drejt “Djajve të Kuq”, shpërblimi që shkon në kasën e menaxherit dhe pagat e futbollistit në pesë vitet e kontratës së tij me Manchester United, arrijnë shifrën astronomike prej 270 milionë euro.

Mesfushori francez, Paul Pogba është gjithmonë e më pranë thyerjes së rekordit botëror të transferimeve në futboll, për një shifër prej 132 milionë euro, të cilat Manchester United ka rënë dakord të paguajë në arkën e klubit të Juventusit, teksa raportohet se gjithçka mund të finalizohet shumë shpejt. Si pjesë e marrëveshjes, menaxheri i mesfushorit Pogba, Mino Raiola do të arkëtojë 30 milionë euro nga transferimi që do të rikthejë francezin në klubin prej të cilit u largua katër vite më parë.

Kapiteni i United, Wayne Rooney foli në lidhje me Pogba gjatë fundjavës, pasi Manchester mundi 5-2 Galatasarayn në miqësore, duke thënë se ishte entuziast me faktin që do të kishte sërish në ekip mesfushorin francez. “Unë shpresoj që ai të dëshirojë të rikthehet te United dhe të provojë se është një futbollist i nivelit të lartë.

Nëse ai është entuziast që të luajë me ne, atëherë edhe ne do të jemi shumë entuziastë që ta kemi sërish në ekip. Unë jam i sigurtë se ai e ndjen që këtu ka lënë një punë të pambaruar dhe do të ishte një deklaratë e bujshme nga ana e klubit, nëse të dy palët do të gjenë akordin dhe do të realizojnë ribashkimin”, deklaroi Rooney. 


Redaksia Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

Kryebashkiakët e Berishës 'tradhtojnë mosbindjen civile', shkojnë në takimin e Ramës

Kryebashkiakët e Berishës 'tradhtojnë mosbindjen civile', shkojnë në takimin e Ramës