Kancerlja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se marreveshja me Greqinë është e mundur. Aty ku ka vullnet, tha Merkel, mund të gjendet një rrugëzgjidhjeje. Greqia ka dy javë kohë të arrijë një marrëveshje para se të përballet me falimentimin.

Marrëveshja për borxhin grek është ende e mundur të arrihet. Kështu ka deklaruar gjatë fjalës së saj në Bundestagun gjerman, kancelarja Angela Merkel. Ajo gjithashtu tha se Gjermania po përpiqet fort që të mbajë Greqinë në Eurozonë, por Greqia duhet të vazhdojë me reformat.

Aty ku ka vullnet, tha Merkel, ka një rrugëzgjidhjeje. Merkel tha se nëse ata që drejtojnë në Greqi mund të kontrollojnë vullnetin, atëherë një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë është e arritshme.

Fjalët e Merkelit janë një lëvizje pajtuese ndaj Greqisë pas toneve të ashpra të kryeministrit grek Aleksis Cipras kur në parlamentin grek tha se kreditorët ndërkombëtarë po përpiqen të poshtërojnë Greqinë. Merkel tha se në muajin shkurt është arritur një marrëveshje që qeveria greke të kryejë reformat strukturore dhe ajo marrëveshje duhet të zbatohet.

Greqia ka 2 javë kohë të arrijë një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë, përndryshe do të gjendet përballë falimentimit dhe pasojave të paparashikueshme.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)