Separatistët pro-Rusë po përgatiten për zgjedhjet e të dielën në lindje të Ukrainës duke i mbrojtur qendrat zgjedhore me njërëz të armatosur, pavarsisht se autoritetet e Ukrainës dhe BE-së kanë deklaruar se nuk do t’i njohin ato. Qendrat e votimit në Donetsk dhe Luhansk janë gati për të mirëpritur qytetarët të cilët shprehen të gatshëm për të votuar në ambientet ku është vendosur flamuri i Republikës së vetë shpallur të njërëzve të Donetskut dhe Luhanskut.
 
Megjithatë Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka bërë të ditur Presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike, se zgjedhjet e planifikuara për të dielën në Lindje të Ukrainës janë jolegjitime dhe nuk do të njihen nga liderët europianë, lajm ky i konfirmuar nga një zëdhënësi i qeverisë gjermane të premten. Zëdhënësi ka shtuar se votimi do të shkelte marrëveshjen e nënshkruar nga Rusia dhe do të komplikonte më tej përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në Lindje të Ukrainës.
 
Liderët europianë janë shprehur unanimisht mbi këtë çështje dhe kanë rënë dakord për këtë, që në samitin e fundit të zhvilluar javën e kaluar në Bruksel. Mbi 3700 njerëz janë vrarë përgjatë luftimeve në Ukrainën lindore, ku rebelët pro-rusë synojnë bashkimin me Rusinë.
 
Një armëpushim i brishtë vijon të jetë në fuqi që prej 5 Shtatorit, por ka patur disa raste episodike të luftimeve mes rebelëve dhe forcave qeveritare. Ndërkohë nga ana tjetër komisioneri i zgjedhjeve Sergei Kubayev shprehet se zgjedhjet janë të drejta dhe legjitime si në çdo vend tjetër demokratik.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)