Prej gati dy vitesh Sali Berisha është në betejë të përditshme politike me SPAK për shkak të nisjes së një procesi penal ndaj tij dhe dhëndrit të tij për ‘kapje të shtetit’ në procesin e kthimit të pronës dhe privatizimit të territorit të ish-Klubit Partizani.
Të gjithë ata që ishin skeptikë për fitoren e Berishës, tani ka një statistikë konkrete që i jep fitoren Berishës.
Pas betejës së tij më shumë se dyvjeçare, të përditshme, kundër SPAK, Berisha është i vetmi politikan ndaj të cilit SPAK nuk ka reaguar me masa më të ashpra ligjore, për shkak të kundërshtimit të tij. Edhe pse ai ka folur me një gjuhë degraduese ndaj institucionit dhe kreut të tij Altin Dumanit, nuk ka pasur ndonjë “hakmarrje” ndaj tij në aspektin ligjor, siç ka pasur ndaj politikanëve të tjerë që kundërshtuan akuzën.
Fjala vjen, Ilir Beqaj, i cili u procedua fillimisht në gjendje të lirë për koncesionin e sterilizimit, vetëm se bëri betejë ligjore me SPAK për marrjen e dosjes pa qenë nevoja të paguante, iu shtua një akuzë tjetër banale për një faturë restoranti të një ndihmësi të tij dhe u burgos. Pastaj iu shtua dhe akuza për grup kriminal, pasi kërkoi nga qelia të njihej me akuzën.
Erion Veliaj po ashtu u nis me tre akuza dhe pas çdo kundërshtimi i shtonin edhe nga tre të tjera, sa herë numëronin fustanet e Ajolës.
Ndërsa Dumani ka premtuar të shtojë dhe tre të tjera “që të mos e shohë dritën e diellit”.
Por kjo qasje hakmarrëse ndaj politikanëve të lartë të pushtetit, nuk ka qenë e njëjtë me Berishën. Përkundrazi, qasja e Berishës ndaj SPAK ka funksionuar.
Politikanët socialistë, për të cilët prokurorët përbetohen se “nuk do ta shohin dritën e diellit”, janë shumë larg fuqisë që ka Berisha, i cili ka bërë së paku që katër qytetarë të mos e shohin dritën e diellit më kurrë prej tij dhe 26 të tjerë të mos e shohin më dritën e diellit prej djalit të tij.
Berisha dhe i biri gëzojnë jo vetëm dritën e diellit, por dhe gjithë pasuritë e fituara nga pushteti i tyre.
Kjo qasje agresive e Berishës ndaj SPAK, në fund, rezulton shumë më e suksesshme se qasja e Edi Ramës, i cili, ngaqë e konsideron Reformën në Drejtësi pjellë të vetën, vazhdon të ketë një qasje donkishoteske në raport me SPAK, pasi nga një anë i duhet si stoli për në Evropë, nga ana tjetër po i bën gropën rrugës së Shqipërisë për në Evropë, pasi me këtë ritëm SPAK do ta klasifikojë Shqipërinë si vendin më të korruptuar në glob, jo më në Evropë.
Për këtë arsye, ose jemi përballë një institucioni të dobët që shmang përballjen me politikanë të fortë dhe gjurmon ata që i hapin rrugë, ose jemi para një institucioni që ka një pakt politik me Berishën, dhe kjo e bën tragjikomike gjithë ngrehinën e reformës.
Cilado të jetë nga këto arsye, qasja e Berishës në këtë histori ka rezultuar shumë më e suksesëshme se ajo e Ramës. Dhe më e shpërblyer prej tyre./ Tema
Komente












