Mero Baze: A ka një objektiv reforma territoriale?

Mero Baze: A ka një objektiv reforma territoriale?

Foto ilustruese

Komisioni i Reformës Territoriale, i cili është mbledhur formalisht, ngjan se është një formalitet pa një objektiv të qarte. I vetmi objektiv i munguar politik i tij, ka qenë mospërfshirja e Partisë Demokratike në vitin 2015 në Komision, për shkak të vendimit të saj për bojkot. Tani në vend të PD janë tre opozita të tjera, të cilat kanë në radhë të parë objektiva kundër njëra- tjetrës, pastaj kundër Reformës Territoriale.

Debati mbi reformën territoriale, ka nevojë të ketë një objektiv të qartë. Objektivi nuk duhet të jetë rritja e bashkive, zvogëlimi i tyre apo mbajtja e gjendjes ekzistuese, por dicka më e rëndësishme, që e bën reformën afatgjatë. Dhe ajo që e bën reformën afatgjatë është efiçenca ekonomike e bashkive, dhe vetëqeverisja e tyre. Shtatë vjet pas reformës territoriale në kemi nevojë për një analizë realiste të funksionimit të bashkive. Takimi i kryeministrit me kryebashkiakët tri ditë më parë, kishte në fokus pikërisht mbijetesën ekonomike të bashkive. Kryeministri ka sulmuar ashpër disa bashki që nuk po mbijetojnë dot ekonomikisht, duke kërcënuar se qeveria mund të marrë nën kontroll administrimin e tyre si bashki të falimentuara.

Natyrisht këtu mund të ketë rol dhe performanca e kryetarëve, por në tërësinë e faktorëve që e bëjnë efeçiente një bashki, efiçenca ekonomike është e para. Që një territor bashkie të jetë efiçent, ai ka nevojë të ketë burime të balancuara për zhvillimin ekonomik ku hyjnë pasuritë natyrore, potenciali turistik, klima e biznesit etj. Pas shtatë vitesh ne mund t’i masim këto parametra.

Shumica e bashkive të vogla të Shqipërisë janë mësuar që të quhen të suksesshme kur marrin investime nga qeveria. Të njëjtët kryebashkiakë që harxhojnë energji pafund për një fond nga qeveria për investime, dhe për tenderin e tyre janë arrogantë dhe gjobaxhinj kur në territor të tyre ofrohen biznesmenë që duan të investojnë, duke u shpikur një mijë pengesa oruelliane, nga ato që nuk ka fantazi asnjë shkrimtar t’i imagjinojë.

Në konceptin e tyre kryabashkiakët e periferive të Shqipërisë ngjanë më tepër si gjahtar fondsh nga qeveria dhe gjobaxhinj biznesmenësh. Nga ana tjetër, që ne të masim efiçencën e zhvillimit të një rajoni, duhet doemos të decentralizojmë kompetencat financiare të bashkive. Shqipëria nuk do të ketë kurrë bashki mbijetuese, nëse qeveria qendrore nuk heq dore nga mbledhja e të ardhurave të tyre dhe nga kompetenca të tjera lokale që i ka uzurpuar përmes ministrive.

Madje dhe iniciativa e fundit e centralizmit të ujësjellësve, ku në shumë bashki ato janë efeçientë, është shenjë e kësaj prirje të qeverisë. Për fat të keq nuk është mirë ta themi, por pushteti lokal me më shumë kompetenca në historinë e Shqipërisë ka qenë pushteti lokal komunist, ku Komiteti Ekzekutiv ishte zot i rrethit të vet. Ai kishte kompetenca të plota mbi çdo fushë të zhvillimit të rrethit.

Bashkitë e sotme janë thjesht njësi prokuruese që presin tendera nga qeveria dhe ndonjë biznes që çmendet të investojë, ato ta rrjepin. Nuk kanë asnjë punë tjetër për të bërë. Ndaj reforma territoriale, që të jetë serioze dhe shpëtim për Shqipërinë, duhet të shihet si një reformë decentralizuese dhe vet-administruese, dhe jo një truk elektoral, ku tre opozitat duan sa më shumë bashki që të mos duken humbëse, dhe qeveria do sa më pak bashki të duket triumfuese. Kjo nuk është ndarje territorial, por elektorale. Ndarja territoriale duhet të ketë objektiv vetëqeverisjen lokale. Nëse nuk e bëni dot, mos e prekni fare. Lërini në fatin e tyre të vdesin pak nga pak, siç po vdesin.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bledi: 18/06/2022 21:08

    Mire e ka kapur. Vetqeverisja duhet me qene synimi. Ndersa i telendis bashkite "periferike" si shushunja qe presin nga e gjora Ramaqeveri, harron qe jo me larg se dje lokaler u kercenuan me marrje nen administrim qendror. Mundohet te evokoje vetqeverisjen si element cilesor, a thua eshte ose i trashe ose mediokerr te mos kuptoje qe sidomos kjo e territrit eshte nje mafiaforme per te abuzuar zgjedhjet dhe gjeneruar korrupsion me pronen publike. Akoma me tmerruese eshte kur si model sillet Komiteti Ekzekutiv.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar