Kryeprokurori Altin Dumani dhe deputeti Eduard Shalsi janë përfshirë në një debat në distancë, rreth lajmeve se qeveria po mendon për nisma që e mbrojnë atë më shumë nga hetimet e SPAK.
Të dy palët, në të vërtetë bëjnë sikur janë aleate me njëra- tjetrën dhe gjithë debati është i panatyrshëm, pasi as SPAK nuk thotë që qeveria po përpiqet të na pengojë, dhe as qeveria nuk thotë që kemi ndërmend t’i kufizojmë me ligj, veprimet e tyre.
Por pavarësisht kësaj, të gjithë mendojnë se fakti që debatohet për këtë çështje, nuk është pa gjë.
Është shumë e qartë që qeveria është vënë në pozitë të vështirë nga veprimtaria e SPAK. Si asnjëherë në historinë e Shqipërisë janë nën hetim apo procedim penal, zëvendëskryeministra, ministra, deputetë, kryetarë bashkie dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të nivelit më të lartë. Në një farë mënyre telendisja publike që drejtësia i ka bërë zyrtarëve të lartë të qeverisë është e paprecedentë në historinë e Shqipërisë.
E gjithë kjo nuk ka se si ta bëjë qeverinë të ndjehet e lumtur, edhe pse reforma në drejtësi është një vepër e saj. Për këtë arsye ekzistojnë të gjitha premisat që qeveria të jetë e mërzitur nga bilanci i SPAK, por ky nuk është lajm i keq as për SPAK, as për shqiptarët.
Madje nuk është lajm i keq as për qeverisjen. Fakti që ata kanë tani SPAK një kundërshtar të betuar të tyre, është një shenjë e fortë se një pushtet i pavarur nga qeveria në Shqipëri e ka nën kontroll qeverinë. Kjo e bën Shqipërinë një vend më normal, dhe një shtet më perëndimor.
Nga ana tjetër, mëdyshjet e SPAK se qeveria mund të ndërmarrë nisma ligjore kundër tyre, vlejnë vetëm për t’u ndjerë të pakënaqur politikisht, por për asgjë më tepër. Kuadri ligjor që rregullon veprimtarinë e SPAK, është miratuar nën mbikëqyrjen e drejtëpërdrejtë të SHBA dhe BE, dhe është një nga standardet që ne kemi plotësuar për të shkuar drejt Bashkimit Evropian. Çdo regres në këtë drejtim, natyrisht që do të kundërshtohej me forcë nga aleatët perëndimorë, kështu që nuk ka për të ndodhur.
Politikisht SPAK ka humbur vetëm mbështetjen e grupimit të Berishës dhe Ilir Metës, por kjo vjen për shkak të konfliktit të interesit që ata kanë me drejtësinë, dhe jo për shkak të SPAK. Qeveria e ka përmbajtur veten përballë ndëshkimeve nga SPAK dhe ka respektuar ligjin për secilin që i është dorëzuar drejtësisë.
SPAK, si një prokurori speciale antikorrupsion, edhe pse po godet klasën politike, atë në pushtet dhe opozitë, nuk ka shfaqur deri më sot shenja të protagonizmit politik, apo keqpërdorimit politik. Fakti që qeveria është e shqetësuar prej tij, është lajm i mirë edhe për qeverinë, edhe për SPAK. Lajm i keq do të ishte t’i shikonim si dikur prokurorët që dënonin Fatos Nanon si kryetar opozite, se si përqafoheshin me Sali Berishën, që ishte prokurori real.
Madje vazhdojmë t’i shikojmë pas tij, por tani si avokatë. Fal SPAK-ut!