Seanca e sotme gjyqësore rreth procedurave të mangëta me të cilat është emëruar prokuror Olsi Dado nuk është një padi ndaj Olsi Dados. Nuk duhet parë e tillë pavarësisht kontestit publik dhe juridik që ekziston mes tij dhe paditësit.

Padia duhet parë si një mënyrë që dhe sistemi i drejtësisë të vendoset në kushte të barabarta me pushtetin ekzekutiv apo çdo pushtet tjetër në vend, që duhet të vetëkorrigjohet kur kapet në shkelje të ligjit.

Nëse një zyrtari të lartë i kërkohet të japë dorëheqje kur gjendet në shkelje të ligjit, kjo gjë duhet t'i kërkohet dhe një prokurori apo gjykatësi. Në rastin konkret sistemi i drejtësisë është para provës për t'u dukur i barabartë para ligjit dhe ai, si gjithë pushtetet e tjera. Ligji nuk është një kamxhik në duart e drejtësisë mbi të tjerët, por një standart para të cilit duhet të jenë të gjithë të barabartë, përfshirë këtu gjyqtarët e prokurorët. Atyre u është besuar detyra e zbatimit të ligjit dhe dhënies së drejtësisë si për qytetarët, dhe për veten e tyre.

Në këtë rast drejtësia e re është në provë me veten e saj, pasi ajo duhet të bëjë për vete atë që bën kundër të tjerëve. Nuk është se të gjithë prokurorët e Shqipërisë janë emëruar si Olsi Dado që të quhet një lëvizje kundër drejtësisë së re. Përkundrazi ky mund të jetë rasti i vetëm ose shumë pak i ngjashëm me ndonjë rast tjetër paligjshmërie, kështu që drejtësia e re nuk mund t'i marrë fytyrën gjithë sistemit vetëm për të mbrojtur Olsi Dadon.

Praktikisht jemi para faktit që ai është emëruar prokuror në shkelje të ligjit. Përfaqësuesja e Presidentit në gjykatë pranoi se në kasafortën e Presidentit ka vetëm një shkresë të firmosur nga kryeprokurorja që kërkon emërimin e tij si prokuror dhe asgjë tjetër, çka në kushtetute nuk do të pranohej kurrë.

Atëherë investimi për të mbrojtur një prokuror të emëruar në shkelje të ligjit dhe anatemimi i çdokujt që kërkon të zbatohet ligji për të, është një shenjë e keqe që drejtësia e re nuk do të jetë e barabartë para ligjit me qytetarët e tjerë të republikës dhe pushtetet e tjera.

Madje më keq akoma, kjo tregon tendencën e uzurpimit të sistemit të drejtësisë duke e përdorur atë për interesa private të disa agjentëve dhe prokurorëve.

Nëse drejtësia e re frikësohet dhe nuk e pranon padinë, atëherë jemi para një prove të gjallë se SPAK është shantazhues i sistemit të drejtësisë dhe jo një institucion që reflekton tendencën për të dhënë drejtësi. Pastaj kanë kuptim të themi se dhe dhjetëra raste të tjera shantazhesh në emër të SPAK ndaj gjyqtarëve janë bërë për interesa private si ky rast apo mos më keq.

Ky është një rast që nuk e dëmton sistemin, përkundrazi e përsos atë dhe i jep një kartë morale të fortë, pasi tregon se je gati t'ia bësh dhe vetes atë që u bën atyre që shkelin ligjin. Dhe raste si Olsi Dado ka aq pak sa nuk dëmton asnjë hallkë të sistemit.

Dhe kjo do të duket kur gjykata ta pranojë apo jo këtë padi. Ai është testi nëse drejtësia do të pranojë të jetë e barabartë para ligjit njësoj me qytetarët dhe pushtetet e tjera apo jo. Nëse po, jemi para një standarti që duhet të ulin kokën të gjithë para ligjit. Nëse jo, pastaj i bie të kemi bërë një drejtësi të ulim kokën para Olsit, por këtë s'ua kemi premtuar shqiptarëve.