Mero Baze: Partinë kundërshtarëve, qeverinë për vete

Mero Baze: Partinë kundërshtarëve, qeverinë për vete

Gjatë Asamblesë së PS

Socialistët e Edi Ramës sot kanë bërë ndarjen e parë të brezave. Ekipi me të cilin Edi Rama mori Partinë Socialiste në opozitë dhe erdhi në pushtet sot janë ndarë në dy breza. Edi Rama i ka dhënë brezit të parë, ata me të cilët erdhi në pushtet, partinë, dhe vet ka mbajtur qeverinë. I gjithë fjalimi i tij, në fakt kishte kryefjalë nevojën e krijimit të një brezi të ri të Partisë Socialiste, pa përjashtuar askënd.

Lista e nominuar nga Edi Rama për kryesinë e Partisë Socialiste ishte një listë politikanësh që Edi Rama i gjeti në Partinë Socialiste apo i solli ata me vete, por që në vite pati përballje me ta. Vendimi i tij për t’i nominuar të gjithë kritikët e tij, apo dhe qejfmbeturit e tij për në Kryesinë e Partisë Socialiste është një vendim politik i rëndësishëm, pasi dëshmon se nuk ka ndërmend të lërë jashtë gardhit të tij politik, askënd. Asnjëherë nuk ka ndodhur që nga 10 burra të nominuar nga vet kryetari, së paku 8 prej tyre janë nga ata që kanë rezerva për kryetarin dhe mënyrën se si ai bën politikë. Po kështu dhe gratë e listuara prej tij për kryesinë e Partisë Socialiste. Ky është një zhvillim që bën kontrast me kundërshtarin e tij, i cili zhduk nga forumet drejtuese dhe rivalët formal të tij e jo më ata që dyshon se mund të bëhen kritikë të tij.

Në një farë mënyre kjo është një garanci që Partia të vazhdoj të jetë një vend i sigurt për karrierë politike dhe për transmetim përvoje qoftë dhe nga kritikët e tij, çka në fakt është problemi më i madh i klasës politike shqiptare dhe pushtetit të kryetarëve, që kanë mundësinë t’ia ndërpresin karrierën gjithkujt nëse nuk i pëlqen.

Nga ana tjetër kjo tregon dhe një siguri që ndjen një lider politik në mandatin e tij të tret nga luftërat e brendshme, të cilat më shumë i përdor në favor të tij dhe partisë, se sa në funksion të ndarjes dhe krijimit të poleve kundërshtare që krijojnë disfatizëm.

Në një farë mënyre sot socialistët e Edi Ramës apo siç kanë qejf shpotitësit ta quajnë “Rilindja” ka krijuar “veteranët” e saj, të cilëve u ka plasur buza nga Edi Rama, por së paku kanë ku i harxhojnë energjitë, qoftë dhe kundër tij.

Zhvillimi i dytë të cilin shumica e quajnë formal dhe dekor është përbërja e grave në qeverisje. 12 gra kudrejt 5 burrave, natyrisht që është një shifër e menduar gjatë nga Edi Rama jo vetëm si statistikë. Shoqëria jonë e mbushur me gjuhë seksiste, ka boll material të bëj humor denigrues me to, por në fakt çdo fjalë e thëna kundër tyre në bllok është një bumerang për këdo që e thotë.

Ne jemi dëshmitarë se burrat e qeverive shpesh herë janë më kukulla, më të bindur dhe më të padinjitet se gratë, më të lehtë për t’u korruptuar ashtu sikundër gratë nuk janë gjithmonë të urta e kokulura dhe nuk janë të imunizuara nga korrupsioni dhe harbutëria. Vlerat politike dhe njerëzore nuk bazohen tek gjinia, raca, feja, apo krahina, ndaj dhe vendimi për të bërë një qeveri me shumicë të cilësuar grash, vlen si gjest emancipues dhe jo si tregues cilësor i qeverisë. Cilësinë e tyre do ta shikojmë gjatë qeverisjes dhe jo gjatë paradës së veshjeve në ditën e betimit.

Por guximi për t’i bërë gratë shumicë qeverisëse në Shqipëri, në një botë që lajm të parë ka talibanët që i ndajnë gratë nga burrat në shkollë dhe punë, është një imazh i mirë i Shqipërisë në botë dhe një leksion për shoqërinë tonë maskilistë, dhe ata opozitarë që gratë në qeveri i shikojnë si “harem” të Edi Ramës. Nuk ka gjë që e bën më popullore qeverinë e sotme të Edi Ramës se sa një opozitë e tillë si kjo që kemi, e cila e shikon problemin pse Edi Rama është i rrethuar nga gra në qeveri, ndërsa ata në fakt ata janë “gratë” (në kuptimin seksist negativ shqiptar) më të bindura të Lulzim Bashës e Sali Berishës, sa nuk guxojnë as të ngrenë zërin para tyre.

Përtej kësaj ajo që mund të thuhet sot është se Edi Rama partinë u ka lënë bashkëluftëtarëve të tij dhe pse jo kundërshtarëve që u ka plas buza me të, ndërsa qeverinë e ka mbajtur për vete si përgjegjësi të tij. Dhe s’ka gjë më të rënd për “burrat me mustaqe” dhe malsorët e opozitës, kur ti mundin dhe gratë.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 02/09/2021 21:48

    Haha sa kam qesh me lot per paragrafin e fundit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja