Mero Baze: Pse Perëndimi filloi të flasë sot, pro 30 Qershorit

Mero Baze: Pse Perëndimi filloi të flasë sot, pro 30 Qershorit

Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të mbajë zgjedhjet më 30 qershor. Në një bisedë telefonike mes tyre, Philip T. Reeker ka këmbëngulur për mos bërjen e asnjë hapi pas, në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Para SHBA, ministri i Jashtëm italian ka telefonuar Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, duke theksuar nevojën e shmangies së dhunës më 30 qershor.

Ndërkohë Bashkimi Europian në Tiranë, ka përcjellë mesazhe të qarta për 30 qershorin tek Rama dhe Basha, përmes takimeve nga vetë ambasadori Soreca, dhe pritet që gjatë javës të rrisin presionin për shmangien e dhunës dhe hapjen e rrugës për zgjedhjet.

Ofensiva e Perëndimit nisi menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që konstatoi pavlefshmërinë absolute të Dekretit të Presidentit.

Kolegji Zgjedhor është gjykata më e lartë dhe  e vetme në Shqipëri, që gjykon rreth akteve administrative për zgjedhjet, dhe Kolegji ka respektuar Presidentin, duke u marrë me aktin e tij, pasi nuk e ka lënë Dekretin në ajër, pa gjykim mbi efektin që ka për zgjedhjet.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe spekulimi me këtë mungesë, kishte lënë të dyzuar qëndrimin e Perëndimit, duke mos bërë deklarata interpretuese për fuqinë juridike të aktit të Ilir Metës.

Vendimi i Kolegjit, i jep shanse çlirimit të energjive diplomatike të Perëndimit për të kanalizuar zgjidhjen e krizës tek 30 qershori dhe më pas tek zgjidhjet që mund të jepen, për të shmangur përsëritjen e këtij precedenti të pashembullt kundër demokracisë në historinë e vendeve pluraliste.

Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk ankimohen dot askund më. Ajo është “Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese” për zgjedhjet.

Presidenti Ilir Meta pritet të reagojë nesër në mëngjes ndaj këtij vendimi. Natyrisht nuk ka surpriza, se ai është kundër tij.

Por problemi i Presidentit është se, gjithë vendimet anti-kushtetuese që ka marrë deri më sot, i ka marrë nën garancinë, se meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe meqë ajo u prish nga reforma në drejtësi, ai mund të bëjë ç’të dojë.

Tani ka një gjykatë zgjedhjesh që gjykon aktet administrative që prekin ato dhe presidenti Meta gjendet para një vendimi gjykate, të cilin është i detyruar ta zbatojë.

Në të kundërt, ka vetëm një rrugë. Ai mund të japë dorëheqje, siç dhe i këshillojnë. Ky akt politikisht e nxjerr korrekt, pasi nuk e pranon vendimin e Kolegjit, por dhe shmang përballjen politike me shumicën parlamentare, kur ta shkarkojnë në sallë.

Kjo është kostoja më e ulët me të cilën mund të përballet me Perëndimin dhe me zgjedhjet e 30 qershorit. Çdo vendim tjetër, do t’i kushtojë më shumë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë