Mero Baze: Pyetjeve që Berisha nuk iu përgjigjet dot para SPAK

Mero Baze: Pyetjeve që Berisha nuk iu përgjigjet dot para SPAK

Berisha në hyrje të SPAK

Janë së paku tre pyetje që Berisha nuk u dha dot sot përgjigje kur doli nga ndërtesa e SPAK. Pyetja e parë logjike është pse tani po zbaton vendimin e Gjykatës dhe një vit më parë e refuzoi, ndërkohë që është e njëjta masë sigurie.

Përpjekja e tij për të mos u përgjigjur e futi në një diare fjalësh pa kuptim, ku thoshte se mbrojta Kushtetutën, “u tregova që mbrojta Kushtetutën” dhe nuk jepte asnjë shpjegim. Në fakt, Gjykata Kushtetuese mbrojti vendimin e SPAK dhe jo Berishën, dhe kjo është arsyeja që gjyqtari i riktheu dënimin fillestar.

Por, duke qenë se pranimi i dështimit i hedh në erë gjithë sakrificën e atyre 20 demokratëve poshtë penxheres, u përpoq të ishte sa më i paqartë për të mos pranuar që i ka sorollatur kot për një vit dhe në fund pranoi atë që mori qysh në fillim.

Pyetja e dytë që e la pa tekst ishte ajo për primaret. Primaret kanë qenë beteja e tij kryesore kundër Lulzim Bashës dhe premtimi se ato do të vendosnin demokracinë brenda PD-së.

Brenda gjashtë muajsh ka tre deklarata kontradiktore për to, nëse do të mbahen apo jo. Kur donte të kërcënonte këta deputetët që janë ofruar për lista, thoshte se do të vendosin primaret. Tani që është garantuar që ata i ka në rresht, ka hequr dorë nga kërcënimi, pasi e ka ndarë mendjen që do t’i fusë në lista.

Gjithë puna është se ata i duhen t’i ketë si truproja në betejën me SPAK dhe sheshi para godinës së SPAK nuk është vendi i duhur t’u kujtojë atyre që do t’ua dorëzojë kokën në tepsi demokratëve që nuk i duan.

Dhe pyetja e tretë më e dhimbshme për të është pse përsëri atij i shkojnë nga pas 20 deri 30 veta, që në shumicë janë të punësuarit e tij në administratë të PD-së.

Thirrja e tij për miting para SPAK, në ditën e parë të paraqitjes së tij, duke llogaritur dhe lajmërimet zyrtare që u janë bërë gjithë seksioneve të PD-së së Tiranës, linte të shpresoje se së paku mund të bëheshin 500 deri në 1000 veta.

Por në fakt, asnjë më shumë se ata që ishin poshtë penxheres për një vit. Arsyeja është se edhe PD-ja beson tek SPAK për Berishën, atë që beson shumica e shqiptarëve. Ndaj dhe Berisha nuk ka një përgjigje për këtë braktisje të demokratëve para SPAK. Me sa duket, të lodhur që nuk çlirohen dot prej tij vetë, ia kanë lënë në dorë Zotit dhe SPAK-ut./ Tema

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Lumi Vjosa, mbretëresha e lumenjve të egër dhe të apasionuarve pas rafting

Lumi Vjosa, mbretëresha e lumenjve të egër dhe të apasionuarve pas rafting