VLORË- Ulja e avionit të parë në pistën e aeroportit të Vlorës është shtyrë me disa muaj. Kryeministri Edi Rama ka ndarë ditën e sotme një video nga punimet, ndërsa thotë se po punohet me ritme të larta me synim që të në verën e vitit 2025 të ulet avioni i parë.

Avioni i pari ishte parashikuar që të ulej në fund të vitit 2024, sipas asaj që vetë kreu i qeverisë ka pas deklaruar. Krahas videos, Rama njofton edhe se ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës.

“MIRËMËNGJESI dhe me Aeroportin e Ri Ndërkombëtar të Vlorës, ku ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës, e ku punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025, kur Shqipëria Turistike do të hyjë në fazën tjetër drejt marrjes së vendit kampion në Ballkan për turizmin brenda kësaj dekade, ju uroj një ditë të paqme”, shkruan Rama.

Aeroporti i Vlorës, një investim mbi 100 milionë Euro, pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit. Më 20 prill 2021 u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që pritet të ndërtohet brenda 4 viteve të ardhshme dhe do të jetë i tretë aeroport në vend ku fluturimet do të jenë transoqeanike.