Merr udhë reforma zgjedhore
ngrihet grupi i ekspertëve
Merr udhë reforma zgjedhore<br />ngrihet grupi i ekspertëve<br style=

TIRANE- Reforma zgjedhore duket se mori udhë. Komisioni  Ad hoc i mbledhur në mesditë në ambientet e kryesisë së Kuvendit nisi punën duke u karakterizuar me një frymë optimizmi dhe kompromisi si nga maxhoranca ashtu dhe opozita. Përfaqësuesit e 6 partive parlamentare, në prani edhe të ambasadorëve të huaj të akredituar në vendin tonë, u ulën përballë njëri tjetrit për të nisur punën, në ndryshimin e Kodit Zgjedhor, pasi është rënë paraprakisht dakord për pikat mbi të cilat do të punohet deri në fillimin e muajit mars të vitit të ardhshëm.

GJIKNURI: NGRIHET GRUPI I EKSPERTEVE
Bashkëkryetari socialit i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri  menjëherë pas mbledhjes deklaroi për mediat se u zgjodhën ekspertët që do të identifikojnë gjithçka të nevojshme për të vijuar më tej punën në tryezë për kryerjen e reformës zgjedhore.

“Diskutuam disa cështje administrative, por shumë shpejt duhet të nisim cështje konkrete. Ato janë problematikat që kanë të bëjmë me procesin zgjedhor. Sot u ngrit grupi i ekspertëve, të gjitha cështjet do diskutohen në ditët në vijim. Presim edhe propozimin e partive të vogla" tha Gjinkuri i cili  nuk u ndal në cështjet konkrete që do shqyrtohen nga komisioni por u shpreh optimist “Nëse ka vullnet të mirë gjërat do të kryhen. Kur ka vullnet ka mundësi dhe për sukses”

TOPALLI:  REFORMA TE JETE PERFUNDIMTARE
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në fjalën e saj tha se, reforma zgjedhore është akt politik i rëndësishëm parlamentar. Vetë prania e ambasadorëve, sipas saj tregon për rëndësinë e reformës në përmirësimin e standarteve zgjedhore.

“Nuk është thjesht reformë parlamentare, por një gur prove për partitë politike. Është rasti ku çdo parti të dalë jashtë interesave të ngushta, në funksion të një standardi, siç e duan të gjithë shqiptarët”, tha Topalli.

Duke iu drejtuar partive pjesëmarrëse në tryezë, Topalli tha se komisioni është një moment reflektimi, por edhe për të arritur kompromise në funksion të reformës zgjedhore.

“Ajo duhet të jetë në funksion të interesave për të ardhmen e vendit. Administrata e Kuvendit është në dispozicionin tuaj si për burime njerëzore edhe për burime financiare. Si kryetare e Kuvendit, kam përgatitur letrat që t’i drejtohemi edhe ndërkombëtarëve, përfshi Komisionin e Venecias, në rast se do t’ju duhet konsulenca e tyre”, nënvizoi Topalli.

““Kësaj radhe refoma duhet të jetë përfundimtare dhe të plotësojë çdo boshllëk që ka pasur dhe të krijohet një reformë me standarte”  - nënvizoi Topalli duke kërkuar zbatimin e rekomandimeve të OSBE - ODIHR

Nga të majtët marrin pjesë PS e PBDNJ, ndërsa nga e djathta PD, LSI, PR e PDIU. Partitë e vogla, që nuk janë pjesë e parlamentit do të konsultohen vazhdimisht për çdo vendimmarrje, por pa të drejtë vote.

Partia socialiste ka kërkuar publikisht që puna e këtij komisioni të mbyllet brenda pranverës së ardhshme në mënyrë që të gjitha korrigjimet në Kodin Zgjedhor të jenë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PD nuk ka shprehur asnjë kundërshtim me këtë axhendë.

Ndaj demokratët dhe socialistët pritet të hartojnë përmes një drafti të gjitha angazhimet që do të ndërmerren për të përmirësuar Kodin Zgjedhor, në bazë të rekomandimeve të OSBE- ODIHR.

KERKESA E PARTIVE TE VOLGLA
Takimi vjen gati një javë pas takimit që partitë e vogla, të majta e të djathta zhvilluan për të unifikuar qëndrimin e tyre mbi reformën zgjedhore. Ato propozojnë që sistemi aktual zgjedhor, proporcional rajonal të përmirësohej në mënyrë që të barazohej vlefshmëria e votës. Sipas sistemit aktual, numri i votave të nevojshme për të siguruar një vend në parlament ndryshon nga qarku në qark në varësi të numrit të zgjedhësve. Për këtë arsye partitë e vogla kërkojnë që pa ndërhyrë në kushtetute të mund të parashikohet një korrektim kombëtar. Po ashtu partitë kërkuan të parashikohej votim elektronik dhe një përfaqësim i tyre në administrimin e zgjedhjeve apo realizimin e këtij procesi përmes njerëzve teknik. PS-ja është shprehur e gatshme të diskutojë mbi korrektimit kombëtar të sistemit duke ruajtur elementë të rëndësishëm të përfaqësimit rajonal, por nga kampi blu pavarësisht premtimit të kryeministrit Berisha ende nuk ka një deklaratë zyrtare nëse do pranojnë të ndryshojnë sistemin.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë