Që Partia Demokratike ndodhet në një krizë të thellë në të gjitha drejtimet, kjo nuk do shumë mend të kuptohet. Është në një krizë totale organizimi brenda saj; është në një krizë të thellë lidershipi; është në një krizë të thellë fryme dhe ekipi duke e bërë kështu që të tkurret vazhdimisht, çdo ditë e më shumë.

Ka shkuar deri në pikën që e shohim sot të vetmuar në një çadër, e cila në fakt s’është asgjë tjëtër veçse podiumi ku Basha bën praktikë të “Artit të të folurit në Publik” dhe kroi ku ai do lajë duart e humbjes pas 18 qeqrshorit.

Por, kjo tkurrje e PD-së deri në numra kaq të papërfillshëm, është kthyer nga ana tjetër në rrezik për demokracinë. I pafuqishëm për të hyrë në zgjedhjet e Kavajës, në pamundësi për të gjetur një kandidat potencial për këtë qytet, Basha i ka rënë shkurt: “Do të çoj kë të mund në Kavajë në 7 Maj për të prishur zgjedhjet të cilat si fitoj dot.”, ka menduar.Një lëvizje jo vetëm e palogjikshme dhe dashakeqe, por edhe tërësisht anti-kushtetuese, që Basha në fakt po e bën nga zori. Ai e di që humbjen e ka në xhep në çdo rast, ndaj, të gjithë partinë e tij do e çojë kundër Kavajës. Është qesharake të mendosh se si ish-bastioni i PD-së, Kavaja, është sot mali i madh që Bashës i duhet gjithë PD e Shqiprisë për ta përballuar.

Ndodhemi në një situatë qesharake. Një PD kombëtare e cila merr autobuzat dhe niset e gjitha për në Kavajë, ku e pret një qytet dhe një PS lokale. Një paradoks nga njëra anë, por një tregues i qartë nga ana tjetër i gjëndjes së mjerueshme të PD-së, e cila po “futet në ujë” çdo ditë e më shumë, ndërkohë që i afrohemi zgjedhjeve. Një funksionalitet poshtë zeros i një partie që po tenton të privojë nga e drejta themelore e demokracisë, Vota, qytetarët.Bataku ku ka rënë PD-ja sot është për të vënë duart kokës. Basha e ka kuptuar mirë gjendjen e partisë së tij ndaj dhe mesa duket i ka varur shpresat te Meta, i cili akoma nuk e ka thënë fjalën e tij. Basha në kushtet kur nuk qe i aftë të organizojë dhe motivojë partinë e tij, mendoi të mbledhë çfarë i ka mbetur akoma dhe t’i vërë përballë një PS-je lokale për të mos lejuar votimin.

Ky është niveli ku është katandisur PD-ja, e cila nga njëra anë nuk ka faj që nuk del nga çadra, kur e di që partia e tij është katandisur në një grusht njerëzish që maksimumi që mund të bëjnë është të prishin zgjedhjet në një qytet, por që kurrësesi të fitojnë pushtetin. Sepse aq i paaftë ka qenë lidershipi i kësaj partie, sa nuk ka mundur të bëjë as zgjedhjet brenda partisë deri sot që flasim. me përjashtim të disa emërimeve nga qendra që janë bërë në Vlorë apo në ndonjë qytet tjetër, pjesa tjetër janë në “qiell të hapur”. As vetë PD-ja sot që flasim nuk është e përfaqësuar në strukturat e saj. E mesa duket këtë po bën edhe në rank kombëtar, duke emëruar kryetarët nag qendra dhe jo nëpërmjet votës.

Çadra dhe prezenca e vazhdueshme në shesh me pak numra (100) në rastin më të mirë, s’mund të largojë vëmendjen nga zvetenimi dhe zvogëlimi i skajshëm i PD-së. E cila rri në shesh me pak njerëz dhe bën zhurmë si për të harruar që është aty pasi s’ka mbështetje në terren.

Ndaj sot një parti që pretendon të dalë fuqi e parë në të gjithë vendin, po angazhohet e gjitha të prishë zgjedhjet në Kavajë. Këtë e bën nga njëra anë duke shkatërruar idenë qeverisëse që bart në emër dhe nga ana tjetër për të fshehur faktin e dhimbshëm që sot PD nuk fiton dot në Kavajë, siç nuk fitoi dot në Dibër apo Ersekë, siç nuk fiton dot në 18 Qershor askund. Ndaj ka mbetur nën një çadër në bulevard, si një i mjerë qe po harrohet nga historia./Lexo.al


dy.b/shqiptarja.com