/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Milinkoviç-Saviç do të jetë pjesë e kombëtares serbe për ndeshjen që do të luhet më 8 tetor në "Elbasan Arena" mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të eliminatoreve të europianit "Francë 2016".
Siç mësohet nga mediat italiane, mesfushori Milinkoviç-Saviç është pjesë e listës së teknikut serb, Radovan Çurçiç.
Vetë lojtari është shprehur mjaft entuziast për këtë grumbullim, teksa nënvizon se kundërshtari më i frikshëm është portierit Ertrit Berisha, të cilin e ka koleg tek Lacio. "Jam shumë i emocionuar. Nuk prisja të jem pjesë e të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Shqipërisë, pasi mendoja se do të luaja ende me U21-at".
"Shqipëria është një kundërshtar i fortë, duke parë dhe pozicionimin në klasifikim. Po ashtu në ndeshjen e 8 tetorit edhe tifozeria do të jetë "ashpërsisht" kundër nesh, duke parë dhe ndeshjen e vitit të shkuar, ku ndeshja e parë mes dy përfaqësueseve u luajt në Beograd. Unë për këtë kam folur edhe me Berishën dhe më ka siguruar se Shqipëria do të jetë një kundështar vërtet i rrezikshëm në aspektin sportiv dhe vetëm sportiv", theksoi Milinkoviç-Saviç