Në Durrës për shkak të tërmetit dhe pandemisë mësimi zhvillohet me disa turne dhe me orë të reduktuara. Report Tv bëri një vëzhgim në një nga shkollat më të mëdha në qytet, "Jusuf Puka", aty ku janë transferuar edhe nxënësit e një shkollë tjetër.
Distanca sociale duket se ruhet vetëm nëpër klasa, ndërsa në oborrin e shkollës nxënës e prindër qëndrojnë të ngjeshur me njëri-tjetrin, shpesh edhe pa maska.
Me kamerën e Report tv kemi vëzhguar ndërrimin e turneve në shkollën 9-vjeçare "Jusuf Puka" në qytetin e Durrësit. Në këtë shkollë janë transferuar edhe nxënësit e shkollës "Bedrie Bebeziqi", e cila u dëmtua nga tërmeti.
"Fillon mësimi në orën 8 dezinfektohen duart matet temperatura, kush ka temperaturë ikën në shtëpi ai që nuk ka vijon mësimi, nuk kemi pasur raste, i nxjerrim me grupe secilën klasë, ju po e shihni vetë se si po ecën puna, shkolla vijon mësimin 1 deri 1 e gjysmë, pastaj fillon turni i tjetër", tha roja shkollës
Në portën hyrëse nxënësve u matet temperatura dhe u dezinfektohen duar, ndërsa prindërit bëhen rrezik për përhapjen e Covid-19, pasi qëndrojnë të grumbulluar dhe shpesh pa maska.
"I vështirë është, shumë i vështirë, mësojnë fëmijët sepse këtë punë kanë, ka dhe se nuk i respektojnë rregullat", ta një prind
Ndërkohë prindërit dhe gjyshërit që shoqërojnë fëmijët shprehen se orët e shkurtuara krijojnë vështirësi për përvetësimin e programit mësimor.
"E vështire është, sepse për 20 minuta flet vetëm mësuesi, nxënësi vetëm dëgjon dhe shikon, ka vështirësi dhe në komunikim duke thënë mos iu afro, po nuk punove të nxënësi, t'iu qëndrosh tek koka dhe sidomos ato që janë të fillores", tha me tej një prind.
Nxënësit mezi e kanë pritur rikthimin në banka. Pavarësisht turneve, ata thonë se ky program është më i mirë se mësimi online.
"Po mësimin e kuptojmë dhe është më mirë se të bëjmë mësim online", tha nxënësi".
Fëmijët që kanë larg shkollën nga banesa, transportohen me furgonë. Një shërbim ky i mundësuar nga Bashkia.
"Nga Shkozeti deri këtu, me masa mbrojtëse me maska dhe një e nga një. Në mëngjes i sjell në orën 7:30 dhe i marr në 10:30", u shpreh shoferi që shoqëron nxënësit.
Në gjithë Bashkinë e Durrësit janë 32 shkolla të shembura nga tërmeti, ndaj mbi 12 mijë nxënës janë detyruar të zhvendosen në institucione të tjera arsimore.