Vendimi i qeverisë për të dëbuar nga Shqipëria dhe për t’ua dorëzuar autoriteteve turke mësuesin Harun Celik ka befasuar shumë njerëz. Në fakt, deri tani, autoritetet e Tiranës ishin treguar shumë të prera ndaj kërkesave të Ankarasë, që shumë herë ka kërkuar t’i dorëzohen “gylenistë” të shumtë, të cilët kishin gjetur strehë në Shqipëri. Ndër “gylenistët” që kanë përfunduar në shënjestër të Erdoganit janë edhe disa biznesmenë, të cilët në Shqipëri janë pronarë të shoqërive të mëdha, që operojnë në sektorë të ndryshëm strategjikë, nga arsimi tek shëndetësia, dhe pas të cilëve Turqia dyshon se mund të jenë kapitalet dhe mbështetja e imamit Fetullah Gülen, armiku numër një i Erdoganit, aktualisht i strehuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, Erdogani e akuzon Gulenin se ka organizuar edhe grushtin e dështuar të shtetit në Turqi në korrik të vitit 2016 dhe se ka krijuar një “shtet paralel” me qëllimin e vetëm për të përmbysur pushtetin e tij.

Harun Celik është “gylenisti” i parë që Tirana i dorëzon Ankarasë, por mund të mos jetë i fundit. Sipas disa burimeve diplomatike, zgjedhja për të dëbuar mësuesin, që tashmë ka përfunduar në duart e shërbimeve turke të sigurisë, të cilat po e ndiqnin prej vitesh, është një mesazh që kryeministri Edi Rama po iu nis disa “gylenistëve” VIP, të cilët deri tani kanë patur një mbrojtje dhe një imunitet të plotë në Shqipëri, por fatet e të cilëve sot mund ndryshojnë. Rama, i ndërgjegjshëm që ky imunitet është përdorur nga këta “gylenistë” shqiptarë për të zgjeruar pushtetin e tyre, mund të ketë vendosur të ndryshojë politikë dhe të tregohet më pak tolerant, duke marrë në këmbim mirënjohjen e plotë të Erdoganit, mik i kryeministrit, i cili, ndër të tjera, është angazhuar personalisht për rindërtimin pas tërmetit.