Është ndarë nga jeta Jani Zoica, një nga restauratorët më të njohur të afreskeve dhe pikturës murale në Shqipëri, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.

Lajmi u bë i ditur nga Muzeu i Artit Mesjetar Korçë përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku Zoica vlerësohet si një mjeshtër që për më shumë se tre dekada ia kushtoi jetën restaurimit të afreskeve, kryesisht në kishat e rajonit të Korçës dhe në monumente të tjera të rëndësishme kulti në Shqipëri.

“Me përkushtim, pasion dhe profesionalizëm, ai punoi në heshtje për rikthimin e vlerave artistike dhe historike të afreskeve, duke u dhënë atyre jo vetëm ngjyrat e humbura ndër vite, por edhe shpirtin dhe identitetin e tyre”, thuhet në mesazhin e muzeut, të shpërndarë edhe nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja

Institucioni e cilësoi punën e Zoicës si një “mision të shenjtë”, duke theksuar se ai arriti të rikthente në jetë vepra me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe artistike përmes restaurimit të kujdesshëm të pikturës murale.

“Në këto çaste të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij. Jani, do të mungosh, por emri dhe puna jote do të jetojnë në kujtesën e trashëgimisë”, thuhet më tej në reagim.

Ndarja nga jeta e Jani Zoicës konsiderohet një humbje e madhe për komunitetin e restauratorëve, artistëve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Vetëm pak muaj më parë, në dhjetor të vitit 2025, ai kishte hapur një ekspozitë me afresket e restauruara ndër vite prej tij.