Në një katund të Përmetit, në Kaludh, një sensitiv dhe vizionar nga ata që vijnë vetëm 1 herë në historinë e planetit, ka bërë diçka absolutisht të jashtëzakonshme, të paimagjinueshme, të pabesueshme, diçka që kapërcen çdo imagjinatë, çdo përfytyrim, çdo aftësi perceptuese vizive, auditive, ndjesore, diçka që ka lidhje me përjetësinë, pafundësinë, infinitin.

Agron, kështu si mbreti ilir quhet shenjtori që në Kaludh ka mbledhur krejt muzikën e botës, qyshkur bota ekziston.

Më tepër muzikë se krejt muzika e Bach, Mozart, Beethoven, Luciano Pavarotti dhe të gjithë të tjerët me gurrmaz si gjyryk dhe mushkëri si kaceku i kovaçit, më tepër se krejt muzika e performuar në Royal Albert Hall, Sydney Opera House, Teatro alla Scala, Wembley Arena, Red Square, dhe ku janë e ku s'janë krejt muzikantët, këngëtarët dhe vendet e botës ku luhet muzikë, ka mbledhur Mbreti Agron në Kaludh.

Si ia ka dalë në krye Mbreti Agron kësaj ndërmarrje titanike? Këtë duhet të shkosh ta shohësh e ta dëgjosh në vend, ku Mbreti Agron punon e jeton, në Luginën e Vjosës, në Kaludh.

I përhumbur nëpër hamendësime me mbretin Agron, muzikën dhe pentagramin, në dalje të Fierit, luftën gravitacionale mes Tepelenës dhe Vlorës ndaj meje, e fitoi Vlora. Humba pa dashje, që është më e larta e humbjeve. Erdha në vete në Novoselë. Deshe të humbësh, humbe. Tani kthehu.

Peizazhi rural shqiptar ka ndryshuar rrënjësisht. S'ka shqiptarë zhelanë e të lodhur që zhgarraviten ngadalë anës udhëve. Asfalti i zi dhe bordet e blerta deri në horizont, tashmë janë më të bukura, më të pastra, më të sistemuara se në Greqi e Itali. Fshatarët dhe fshatarkat janë më të veshur e të mbathur, më të pastër, më të larë e më të krehur se qytetarët.

Në grillin e madh në Poçem, shpresova, por nuk pata fatin, të shoh si beharin e shkuar, turistë gjermanë meshkuj dhe femra që pasi kanë zbritur nga autobusi të vihen në rresht për të urinuar te një banjë jashtë lokalit.

Nga Poçemi në Qesarat, Vjosa zhduket. Ikën, flirton prapa maleve me dy divat e asaj ane, Çorrushin dhe Sevasterin.

Drejt Tepelenës, Vjosa më të djathtë bën gjysmërrathë. Largësinë në vijë të drejtë nga Qesarati në Memaliaj ta shumëzosh me Pi Grek, del gjatësia e Vjosës bashkë me dredhat në atë segment.

Mallakastra më të majtë, duket si femër lakuriq shtrirë, këmbët në Patos, koka në Çorrush. Por ta ka kthyer kurrizin. Anës e anës s'të begenis. Të lut t'i hysh brenda, ta depërtosh, ta eksplorosh.

Pashai i gurtë me nargjile në Tepelenë ishte mirë me shëndet, të bën të fala.

Me të kaluar Urën e Dragotit më fanepset Rushan Beu mbi kalë. Gjyshit tim mondan dhe qejfli para pak ditëve i ka ndodhur një fatkeqësi. Gjatë një ceremonie fejese mes fisnikësh, Ajo nga Toptanët, Ai nga Malëshova, dy zonja, njëra cakranjote, tjetra zavalanase, me të cilat Don Zhuanin Rushan Beu i Pacomitit e lidhnin sa hiret e tyre dhe krushqitë e bëra përgjatë epokave, kishin qeshur nën buzë, kishin bërë çuçuçu vesh më vesh me kostumin e ri të Beut sipas modës më të fundit të Parisit, paksa të ngushtë në ijet. Defektin e vogël pothuaj të padukshëm po ikte ta ndreqte Beu perfeksionist te rrobaqepësi në Gjirokastër.

Ja dhe Kaludhi, rrëzë Nëmërçkës. Qershori te pragu, Nëmërçka me dëborë dhe dhí të egra në majë.

Mbreti Agron ka vajtur te kosheret e bletëve në Çarshovë. Mbretërit nuk presin. Presin hyzmeqarët si unë. E pres me kënaqësi Mbretin Agron duke kqyrur panoramat e fundbotshme rretheqark, katundin, shtëpitë e ndrequra, urën e re mbi Vjosë, përpjekjet për t'u bërë hallkë e zinxhirit të Turizmit.

Duke pirë dhallë e duke u llafosur, Mbreti i tingujve dhe melodive, rrëfen:

Nuk jam shtëpi diskografike. Nuk kam NAS (Network-Attached Storage). Nuk kam sallë koncerti, as shesh të famshëm. Gjithë ç'jam e ç'kam janë 200 këmborë në bodrum...

Vjosa ndal rrjedhën, vë veshin për të dëgjuar rrëfimin.

Mbreti Agron vazhdon: Të vjetra, të reja, artizanale, industriale, për dele, dhí, cjepër, kuaj, mushka, nga Shqipëria, Turqia, Greqia etj. 200 këmborët që kam mbledhur dhe i dëgjoj hera-herës kur jam i mërzitur, janë një det me muzikë, një oqean me tinguj, një qiell me drithma. Për t'u bërë mishi kokërr nga muzika e këmborëve nuk mjafton, bronzi, bakri, hekuri, kovaçi, punishtja, fonderia, as delja, dhia, cjapi, kali, mushka. Duhen veshë, duhet tru në kokë, duhet zemër në krahator, duhet shpirt në gjoks. Me këmborë varur në qafë me rrip që e bëj vetë, delja, dhia, cjapi, kali, mushka, ndihen më të gjallë, më energjikë. Delet dhe dhitë refuzojnë të udhëhiqen nga dashi dhe cjapi me këmborën e gabuar. Dashi dhe cjapi i luten çobanit me lot në sy t'u varë këmborën e duhur.

Kishte të drejtë Mbreti Agron. Jo çdo kafshë meriton këmborë. Derrit, dhelprës, shqarthit, kunadhes, është gjynah nga Zoti t'u varësh këmborë.

Pak statistikë sensitiviste:

1 këmborë e vetme ankimtare lotndjellëse në largësi, dele delikate humbur mes pyllit, është poezi, është melankoli që mjafton e tepron për të të çmendur.

2 këmborë janë dialog rrëqethës. 3 këmborë janë melodi.

4 këmborë janë kuartet. 10 këmborë janë polifoni.

50 këmborë janë det me tinguj.

200 violina bëjnë një orkestër, 200 anije bëjnë një flotë,

200 budallenj bëjnë një parti, 200 plumba bëjnë një masakër, 200 dele bëjnë një kope, po 200 këmborë, çfarë bëjnë vallë 200 këmborë? Asnjë vdekëtar i rëndomtë nuk e di çfarë bëjnë 200 këmborë. Ik pyete Mbretin ilir Agron. Vetëm Ai e di, vetëm Ai ta thotë kataklizmën shpirtërore dhe cerebrale që ta shkaktojnë 200 këmborë.

Duke u kthyer nga Kaludhi dhe 200 këmborët e bodrumit të Mbretit Agron që bëjnë muzikë më tepër se 100 milionë muzikat e Spotify, ndala te një baxho. Baxhoxhiu i çuditur që për herë të parë në jetë pa live një shqiptar të zverdhur si kinez, më pyet: Ku ishe zotrote që dukesh kaq i mahnitur? Ishe te ndonjë vend i shenjtë? Në Alipostivan? Te Tyrbja e Hasan Dedesë? Te Kisha e Shën Kristoforit? Te Manastiri i Shën Joan Pagëzorit? Te Kisha e Shën Mërisë? Jo, i them baxhoxhiut. Nuk isha te asnjë kishë, asnjë xhami, asnjë tyrbe, asnjë faltore. Isha në Kaludh. Te një tempull brenda të cilit ndodhen të gjitha kishat, xhamitë, faltoret, pagodat, tempujt e botës, ku mbreti ilir Agron ka mbledhur krejt tingujt e botës që nga big-bangu i fundit...

Baxhoxhiu dëgjon i nemitur.

Një klient që kish ardhur për të blerë djathë, hidhet e thotë: Këmborët janë të mira për t'ua varur në qafë njerëzve të zbuten.

Këmborët i ka bërë Zoti për t'ua varur shqiptarëve të zbuten, mos mbeten shtazë - thotë me zë të shtruar një pipiruq me kasketë që ka dëgjuar pak nga fundi i rrëfimit.

Dy mesoburra dhe një grua, nga pamja turistë euroveriorë, po çmenden nga kurioziteti pë çfarë po llafosen me aq zjarr ca shqiptarë rrethuar nga djathërat, qumështi, gjizat, dhallat, hirrat, mjalti, likotë, reçelat.

Nuk di ç'bëri Rushan Beu me kostumin allafrënga pakëz të ngushtë te ijet që shkaktoi romuzet e zonjave.

Në Qesarat, Vjosa nga e majta largohet nga rruga. Fshihet prapa maleve, ku, duke u përdredhur mes pellgjeve si zuskat, ia bën me sy Çorrushit dhe Sevasterit.

Nga e djathta përsëri Mallakastra nudo që ma ka kthyer kurrizin dhe dridhet e tëra kur i kaloj me Jeep mespërmes kurrizit mbi vertebrat. Më fal, Mallakastër. Kij mëshirë. Po erret. Brenda teje herën tjetër.

Në të dalë të Fierit, afër fshatit endogamik Kallm me pasojat përkatëse për shkak të izolimit shekullor, dy puntorë po mbledhin me lopatë mbi rrugë, aq qetësisht sikur po mbledhin me lugë mbi pjatë kokrrat e fundit të fasuleve, mbeturinat e një karamboli që ka ndodhur para pak minutash. Viktimat janë dërguar në spital. Dy barela rezervë rrinë mbështetur vertikalisht mbi murin e betonit anës rrugës si dy arkivolë. Mbi asfaltin e zi, gjak i kuq.