Mësuesit, rastet kur emërohen
dhe largohen nga puna

Mësuesit, rastet kur emërohen<br />dhe largohen nga puna
Qeveria ka ndryshuar kushtet për tu punësuar mësuesit, duke përcaktuar kritere të reja për sa i përket diplomimit. Por si bëhet punësimi dhe largimi nga puna e mësuesve? Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit përcakton se mësuesit aplikojnë për tu punësuar në dy faza.

Faza e parë
Në fazën e parë, kandidatët e interesuar për të ushtruar profesionin e mësuesit dërgojnë në njësitë arsimore vendore, ku dëshirojnë të punësohen (pa kufizim) dosjen e aplikimit për konkurrim. Dosja e aplikimit dërgohet në njësinë arsimore vendore përmes shërbimit postar, brenda afateve të përcaktuara nga njësia arsimore vendore.

Dosja e aplikimit për mësues përmban: a) Curriculum Vitae. b) Raport mjekoligjor (i tre muajve të fundit dhe i detyrueshëm); c) Deklaratë për gjendjen gjyqësore; d) Vërtetim të qendrës së banimit (i detyrueshëm); e) Fotokopje të librezës së punës; f) Fotokopje të diplomës dhe vërtetimit/listës së notave të studimeve të larta (cikli I+II dhe DIND), të noterizuar; g) Fotokopje të licencës së provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit; h) Fotokopje e certifikatave të trajnimeve; i) Fotokopje e dëshmive të shkallëve të kualifikimit; j) Fotokopje të noterizuar të dëshmive të kualifikimeve shkencore (gradë ose titull akademik/shkencor); k) Fotokopje të dëshmisë së njohjes së gjuhës/ve të huaja, të noterizuar; l) Botime, kumtesa dhe publikime në fushën e edukimit. Kopje të faqes së parë, ku identifikohen titulli dhe njësia publikuese;.

Faza e dytë
Në testimin “Mësues për Shqipërinë” marrin pjesë të gjithë kandidatët që janë kualifikuar në fazën e parë të konkurrimit nga vlerësimi i dosjes. Aplikimi për pjesëmarrje, mënyra e testimit dhe vlerësimi përcaktohen në udhëzimin përkatës të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Komisioni, brenda pesë ditëve pune pas marrjes së rezultateve të testimit “Mësues për Shqipërinë” nga IZHA/MAS, harton listën e kandidatëve për çdo profil/lëndë dhe rendit kandidatët sipas pikëve të grumbulluara në testim. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rend zbritës.

Komisioni publikon listën. Komisioni, pas përfundimit të afateve të ankimimit, bën renditjen e kandidatëve sipas pikëve totale, që nxirret nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë”. Kjo renditje e përgjithshme bëhet për çdo profil/lëndë, sipas totalit të pikëve të grumbulluara. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rend zbritës.

Vendi i punës
Kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit/lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore.

Kandidati me numrin më të madh të pikëve ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira të punës (me ngarkesë të plotë apo të pjesshme, të përkohshme apo të përhershme), sipas preferencës së tij, në prani të drejtorëve të institucioneve arsimore ku janë vendet e lira të punës. Komisioni dokumenton procesin e zgjedhjes së vendeve të punës për çdo kandidat.

Kandidati emërohet nga drejtori i institucionit arsimor me kontratë individuale pune me afat një vit kalendarik (periudhë prove). Kontrata nënshkruhet ndërmjet mësuesit dhe drejtorit të institucionit arsimor.

Drejtori i institucionit arsimor, në përfundim të kontratës individuale, pas miratimit të këshillit të prindërve, të institucionit arsimor dhe komisionit të shërbimit psikosocial, komision i cili ngrihet nga drejtuesi i njësisë arsimore vendore, bën emërimin definitiv të mësuesit.

Vendimi për emërimin e mësuesit i dërgohet njësisë arsimore vendore. Në rastet kur vlerësimi i këshillit të prindërve apo i komisionit të shërbimit psikosocial nuk është pozitiv për cilësinë e shërbimit arsimor të ofruar nga mësuesi gjatë periudhës së provës, drejtori i institucionit arsimor ndërpret marrëdhëniet e punës me mësuesin. Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit.

Në rast se refuzojnë më shumë se tri vende, kandidatët hiqen nga lista e renditjes. Për një vend të lirë pune me ngarkesë të plotë mësimore dhe të përhershme, komisioni është i detyruar të njoftojë në fillim kandidatët për mësues që janë punësuar në një vend pune me ngarkesë të pjesshme apo të përkohshme. Mosofrimi i vendeve sipas kësaj pike bën të pavlefshme kontratën e punës të lidhur me kandidatët e tjerë.

Diploma
Diploma që duhet ­Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor. ­Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor. ­

Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, në fushën e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë dhe diplomë të ciklit të dytë “Master”, me 120 kredite në fushën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë. ­Mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë, përkatësisht, në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar. ­

Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të cikilit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje, së paku, 4 vite akademike, të ngjashme ose të përafërta me fushën e mësimdhënies në arsimin parauniversitar

Largimi nga puna
1. Drejtori i institucionit merr masën e pezullimit ndaj mësuesit, kur ndaj mësuesit zhvillohet një proces penal dhe/ose administrativ. 2. Masa e pezullimit përfundon me shuarjen e shkaqeve të pezullimit ose të largimit nga detyra.

Mësuesit të pezulluar i ndërpriten marrëdhëniet financiare për kohën e pezullimit. 3. Mbarimi i marrëdhënies së punës së mësuesit me institucionin publik të arsimit parauniversitar bëhet: a) kur jep dorëheqjen; b) kur mbush moshën e pensionit; c) kur bëhet i paaftë për kryerjen e detyrave për shkaqe fizike ose mendore; d) kur dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës; e) kur merret mesa disiplinore e largimit nga puna; f) kur institucioni shkollor nuk ofron ngarkesë mësimore lëndore.

4. Drejtori i institucionit arsimor fillon procedurat disiplinore të largimit të mësuesit nga institucioni publik i arsimit parauniversitar në rastet e mëposhtme: a) Ka falsifikuar dokumentet zyrtare dhe ka bërë deklaratë të rreme në procesin e aplikimit; b) Ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve ose punonjësve të institucionit; c)

Ka ngacmuar seksualisht nxënës ose punonjës të institucionit; d) Ka përvetësuar fonde financiare ose materiale të institucionit; e) Ka organizuar kurse me pagesë me nxënësit që mëson dhe me nxënësit e institucionit arsimor; f) Ka organizuar kurse me pagesë me nxënës jashtë institucionit arsimor, kur nuk është i licencuar për të ushtruar këtë veprimtari private;

g) Ka shkelje të etikës e të sjelljes në institucion; h) Për mosarritje të nxënësve të tij, sipas pikës 2/c të nenit 60 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”; i) Ka marrë ryshfet; j) Ka ankim me shkrim nga prindër të nxënësve të atij institucioni; k) Ka kryer shkelje të dispozitave të Kodit të Punës dhe të legjislacionit në fuqi.



dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla

Kryeministri izraelit në OKB: Jam këtu për të thënë të vërtetën kundër gënjeshtrave për vendin tim! Diplomatët largohen nga salla