Meta: Berisha, më keq se Mugabe

Meta: Berisha, më keq se Mugabe
Me një gjuhë të ashpër, pa dorashka dhe të drejtëpërdrejtë e ka kërkuar dialogun mes Berishës dhe Ramës për presidentin e ri, kreu i LSI Ilir Meta. I gjendur në konvetën kombëtare të LGI, Meta ka sjellë në memorien e shqiptarëve shembullin politikës zimbabviane për të kuptuar se sa i rëndësishëm është dialogu dhe lënia prapa krahëve të ngjarjeve e inateve të së kaluarës, ashtu sikurse bënë presidenti aktual Mugabe dhe rivali i tij politik kryeministri Tsvangirai i cili sa kohë që ishte në opozitë humbi nënën e 6 fëmijëve për shkak të represionit të Mugabes. Teksa ka deklaruar se vendit i duhet pak mirëkuptim dhe fleksibilitet që të mbyllë reformën zgjedhore, që të mbyllë reformën e procedurave parlamentare, që të zgjidhet çështja e imunitetit për të gjithë politikanët e zyrtarët e lartë e njëkohësisht që të zgjidhet një president që t'i kontribuojë procesit të integrimit Europian të Shqipërisë, Meta tha se politika shqiptare qëndron në sindromin e moskomunikimit. "S'mendoj se kjo është ndonjë sakrificë e pamatë, kur kujtoj se para një jave në Vjenë në një aktivitet ndërkombëtar takova një figurë të njohur për mua, ndoshta jo shumë për ju, por e njohur edhe në të gjithë botën e cila e ndjek politikën në dinamikën e saj. Takova Morgan Tsvangirai, i cili është sot kryeministri i Zimbabve dhe që ka qenë për vite të tëra i udhëheqjes i Lëvizjes për Ndryshim, forcës kryesore opozitare në një nga regjimet më ç'njerëzore të Afrikës dhe gjithë botës", ka deklaruar Meta. Duke dhënë dhe detaje të këtij takimi dhe bisedës me sekretarin Ndërkombëtar të LSI, Ralf Gjoni. "Ralfi më tha: Po ky si ulet me Mugaben çdo javë dhe diskutojnë për të ardhmen e Zimbabve-s, duke pasur parasysh se sa shumë njerëz janë vrarë, sesa shumë njerëz ka humbur Tsvangirai, gjatë viteve të rënda të opozitës, kur humbi edhe bashkëshorten nënën e gjashtë fëmijëve, kur humbi shumë e shumë përkrahës dhe militantë, ku mund të kishte humbur dhe jetën e tij nga atentatet e panumërta", citon Meta komunikimin me sekretarin e tij për të dhënë mesazhin se politika kërkon në mënyrë të domosdoshme një bashkëpunim, pavarësisht ngarkesave politike dhe personale që mbajnë aktorët e saj. "Natyrisht që Tsvangirai ulet me Mugaben, që ende vazhdon të jetë presidenti i Zimbabve-s, jo sepse ka harruar të kaluarën, jo sepse ka harruar të vrarët, jo sepse ka harruar manipulimin e zgjedhjeve, por sepse ai e di shumë se në rast se nuk do të ulen, s'do bisedojnë se nuk do të bashkëpunojnë akoma më shumë njerëz do të vriten në Zimbabve, akoma më shumë fëmijë do të mbeten jetimë, akoma më shumë gra do të mbeten të veja. Ndaj ngritja mbi të kaluarën është një kërkesë imediate e politikanëve kudo. Është një kërkesë imediate dhe për ne politikanët këtu në Shqipëri", tha Meta. Sipas të cilit Shqipëria është një vend tërësisht evropian, një vend i cili kërkon me një shumicë dërrmuese gati 95 për qind bashkimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Europën e bashkuar. Ku sipas Metës vendi sot është në një moment të rëndësishëm për të ardhmen. "Shqipëria është në drejtimin e duhur por duhet të ecë më shpejt. Shqipëria është sot anëtare e NATO-s dhe askujt nuk i shkonte ndërmend kjo 2 dekada më parë kur Shqipëria ishte "Koreja e Veriut" e gjithë Europës lindore. Sot ne kemi harruar se përpara 18 muajve që nënat të takoheshin më fëmijët e tyre duhet të rropateshin për muaj dhe vite të tëra ambasadave të huaja ndërsa sot liria e lëvizjes është një realitet", tha Meta. Për të cilin integrimi evropian i Shqipërisë është stabiliteti, është siguria, është mirëqenia e familjeve dhe fëmijëve në të gjithë Shqipërinë.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë