TIRANE-Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se padisë së regjistruar në SPAK në 26 dhjetor të vitit të kaluar kundër kreut të KED-së për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit i ka shtuar prova të tjera. Por cilat janë provat e reja që ka dorëzuar Ilir Meta? Në faqen e Presidencës, kreu i shtetit ka publikuar dy dokumentet, që sipas tij janë provat.

Dokumentet janë një korrespondencë për informacion mes kryetarit të KED-së dhe Kryetarit të Kuvendit lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Një gjë të tillë Presidenti e paralajmëroi dje në konferencën për mediat. Ilir Meta u shpreh dje se kreu i KED-së Ardian Dvorani në shkelje të ligjit përmes një shkrese të datës 8 Nëntor, ka keqinformuar Kuvendin duke fshehur informacionin e mbërritur nga Presidenti i Republikës në datën 5 Nëntor lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Ilir Meta u shpreh se e kishte informuar kreun e KED-së mbi vullnetin e tij të shprehur për ushtrimin e kompetencës për vakancën e krijuar me emërimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Por në korrespodencën me Kuvendin, kreu i KED-së thotë se 'Nga Presidenti nuk na ka ardhur ndonjë njoftim për emërimin e njërit prej kandidatëve dhe as në faqen zyrtare nuk rezulton që të jetë bërë publike dhe kështu kandidatja e renditur e para Arta Vorpsi konsiderohet e emëruar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese'. Kjo, sipas Metës është një provë, që Dvorani ka gënjyer dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi.

"Të dashur qytetarë, pasi u njoha me provat e reja tronditëse të angazhimit të tij në grushtin e shtetit, sapo kam firmosur shtesën në kallëzimin penal ndaj z.Ardian Dvorani. Fakte të reja pritet të dalin në dritë edhe për persona të tjerë të implikuar në grushtin e shtetit, të cilët nuk do munden t’i shmangen përgjegjësisë për konsumimin e veprave të rënda penale. Ju garantoj se grushti i shtetit do shpartallohet në mënyrën më shembullore!" shprehet ai.

Shkresa e Gramoz Rucit drejtur Ardian Dvoranit

 

Përgjigja e Ardian Dvoranit per kryetarin e Kuvendit