TIRANË- Presidenti paralajmëroi se do të dorëzojë fakte të reja në kallëzimin e bërë në nëntor kundër kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvoranit për shkelje të kompetencave. Veprimtari kriminale, që sipas kreut të shtetit duhet të kishte sjellë prej kohësh largimin e tij nga detyra publike. Nga ana tjetër, fyerje dhe ofenduese, e quajti Meta miratimin e ligjit që i heq kompetencat për betimin e Kushtetueses një ditë para se të vinte në Tiranë Komisioni i Venecias, për të cilin theksoi se do e rikthejë në parlament për rishqyrtim.  

Në një konferencë të gjatë për mediat, i vetmi fakt që Meta parashtroi në atë që quajti grusht shteti kundër tij dhe "kështjellës së mbrojtjes së demokracisë", siç e quan presidencën, ishte gënjeshtra që Kuvendi i bëri Komisionit të Venecias. Sipas Metës, Kuvendi u shfajsua duke i thënë se për këtë çështje ishte kërkuar edhe mendimi i KED, por në fakt, një përgjigje e Dovranit për Metën zbuloi se KED nuk është pyetur nga asnjë institucion dhe se as presidencës nuk mund t'i përgjigjet pasi nuk ka asnjë mendim të konsultuar me anëtarët e Këshillit.

Kjo ishte e vetmja pjesë e deklaratës, kur quajti korrekt qëndrimin e Dvoranit, mes shumë akuzave ndaj këtij të fundit,  sipas së cilit me vonesat për emërimet e anëtarëve të Kushtetuese, i hapi rrugën vetes duke marrë mandatin e dytë në krye të KED-së. Ai i kërkoi ndjesë komisionit të Venecias, për fyerjen që i bëri mazhoranca duke miratuar ligjit pa pritur mendimin e tyre, dhe tha se do ta dërgojë vetë në Komisionin e Venecias ndryshimet në ligjin për emërimet në Kushtetuese dhe do të jetë vetë në seancë për të treguar se si qeveria po pak shtetit.

"Do të shkoj në Venecia që e gjithë Europa të kuptoj se çfarë po ndodh në këtë vend, në emër të gjoja partnerëve për ta rikthyer aty ku ishte para 30 vitesh, ku një grusht njerëzish përmes grushtit të shtetit kërkon ta kthejë këtë vend në një burg të madh me ngjyra", tha Meta.

Duke sqaruar se kjo konferencë nuk ka lidhje me aktin normativ Anti- KÇK, Meta nuk humbi mundësinë që të kritikonte këtë nismë si një nga format e grushtit të shtetit që mazhoranca po përdor për të përqendruar pasuritë pronat dhe sovranitetit e shqiptarëve vetëm në një dorë, duke e bërë Shqipërinë sipas tij në një "burg me ngjyra".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:01
Meta: Anti-KÇK, zhurmë për të hequr vëmendjen nga kapja e shtetit me ligje dhe jo gaz e tanke...prisni dekrete dhe prova të tjera në vijim

Me grusht shteti, Ilir Meta sqaroi se i referohet të gjitha ndryshimeve ligjore që mazhoranca po bën për ta përqendruar pushtetin në një dorë. Ai tha se me heqjen e kompetencave të betimit tek presidenti të gjyqtarëve të rinj Kushtetues, por edhe me aktin normativ Anti-KÇK, pronat, paratë, sovraniteti dhe integriteti i shqiptarëve, kanë kaluar vetëm në një dorë. Ai tha se mazhoranca e kthen Gjykatë Kushtetuese në një polici antikushtetuese PPP (polici, parti, propagandë). 

"Është përgjegjësi e imja t'i qëndroj betimit që kam bërë me dorën në Kushtetutë dhe me zemër deri në datën 24 korrik 2022. Se çfarë bën Kuvendi i Shqipërisë e dinë ata. Zero mundësi që presidenti për shkak të avancimit të grushtit të shtetit të tërhiqet nga detyra e tij si kryetar i shtetit dhe misioni i tij për të mbrojtur Kushtetutën. Së dyti, pse nuk kam qenë për të thirru Veneciam? kam qenë partizan kryesor që Reformën në Drejtësi, do ta bazonin në rekomandimet e venecias, se vetëm këtë nuk e kontestonin. Dhe vetëm bazuar mbi këto rekomandime në arritën atë konsesus që luftuam aq shumë për ta punuar. S'kishte gjë më fyese që të vinte Venecia këtu. A ka ndonjë fëmijë që të mos e kuptoj që neni që e ka shkruar vetë Venecia për radhën e emërimeve në drejtësi. Kjo nuk është çështje juristësh... çdo ditë do të keni prova të reja dhe më të rënda. Nuk ka asnjë institucion të Reformës në Drejtësi që është ngritur brenda afateve të përcaktuara nga afati, por ishin shumë të insistuar për të respektuar afatet që e kishte caktuar vetë Dvorani. KÇK zhurmë për të vogëluar përpjekjen për kapjen e shtetit dhe instalimin e grushtit të shtetit, nuk ka nevojë për tanke dhe gaz, por me letra dhe ligje...me ca letra mbyllet cdo gjë në një dorë, paratë, pronat, sovraniteti integritet në një dorë, vetë Ali, vetë Kadi, ka vetëm Maliq nuk ka ligj", tha Meta.  

Ora 11:56
Meta: Si gënjeu Kuvendi Komisionin e Venecias, ja përgjigjja që mora nga Ardian Dvorani

Presidenti Ilir Meta tha se Kuvendi ka gënjyer kur ka thënë se për heqjen e kompetencave të presidentit për betimin e anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, ka marrë edhe mendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Meta tha se ky ishte argumenti që Kuvendi i dha Komisionit të Venecias, se përse e miratoi ligjin në seancë plenare pa pritur mendimin e Venecias ku sipas Metës ndër të tjera, Kuvendi i ka kërkuar Venecias të mos i marrë parasysh pyetjet e tyre për këtë çështje. Por Presidenti tha se në një shkresë që institucioni i presidencës i ka bërë Dvoranit për këtë çështje, ai i është përgjigjur me shkresë zyrtare se "Nuk ka pasur kërkesë nga ana e Kuvendit për mendime për betimin e gjyqtarëve, nuk ka mendim të konsultuar nga anëtarët e këshillit", citoi Meta përgjigjen e Dvoranit.

"Ky ligji që duan të bëjnë kundërshtim me kushtetutën që të çojnë kamikazët e partisë në Gjykatën Kushtetuese, duan që t'i fusin nga oxhaku, që ta nxijnë me keq edhe Gjykatën Kushtetuese dhe Reformën në Drejtës. Këta thirrën Venecia, jo unë dhe këta një ditë para se Venecia të vinte këtu, për këta ligj që thirrën këta e bën fakt të kryer dhe iu lutën Venecias mos e përfshi në opinion se ne e kaluam dje. Gjendja e Kuvendit kështu është katandisur. Ata thonë se i kanë marrë mendim KED, por pastaj Dvorani na thonë se nuk i kanë kërkuar mendim", tha Meta. 

Ora 11:45
Meta: Mazhoranca ofendoi rëndë 'Venecian', nuk do lejoj instalimin e një grushti shteti në Shqipëri

Kreu i shtetit Ilir Meta tha se me ndryshimin e ligjit që i heq kompetencat presidentit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilin ai e ka cilësuar "Krye-KÇK", mazhoranca fyeu rëndë Komisionin e Venecias, i cili u thirr nga Kuvendi një ditë para miratimit të këtij ligji në seancë plenare. Meta foli për një grusht shteti të cilin ai nuk do ta lejojë. 

Miratimin e këtij ligji ai e quajti "nxitim në panik nga ana e mazhorancës". "Fyerje e rëndë që i bëhet komisionit të Venecias, dhe ambasadorëve që i dolën në krah mazhorancës për të kërkuar mendimin e komisionit të Venecias", tha Meta duke i kërkuar ndjesë Komisionit të Venecias, "që u keqpërdor në këtë mënyrë nga mazhoranca, në funksion të realizimit final të grushtit të shtetit". Ai theksoi se "nuk do të pranojë instalimin e grushtit të shtetit, kthimin e Gjykatës Kushtetuese në një polici antikushtetuese PPP (polici, parti propagandë). 

Meta konfirmoi se do të marrë pjesë vet në komisionin e Venecias në seancë, "ku do t'i njohë të pranishmit - siç tha ai - "me fakte edhe më të rënda se sa këto të përpjekjes për të realizuar një grusht shteti në këtë vend

"Bazuar në kërkesën e Kuvendit, Komisioni i Venecias se në datat 13-14 shkurt do vinte në Tiranë. kuvendi i Shqipërisë, në mënyrë e pabesë dhe të pamoralshme, disa orë para se të zhvillonte takimin me ta voton në seancë plenare ligjin e emërimeve kushtetuese me ndryshime, e ndryshon në errësirë të plotë, duke i dhënë përgjigje pyetjeve që kishte pyetur komisionin e Venecias. Atentat i mazhorancës ndaj kushtetutës, me qëllim kontrollin e Kushtetutës. Kjo nuk do të pranohet kurrë nga Presidenti i Republikës. I kërkoj ndjesë komisionit të Venecias që u keqpërdor nga mazhoranca, në funksion për të mbuluar grushtin e shtetit. Nuk do të lejojmë grushtin e shtetit, në një polici anti-kushtetuese të shtetit, P-P-P, do të marrë pjesë në seancë plenare të Komisionit të Venecias ku do të njohë të gjithë të pranishmit me fakte edhe më të rënda se këto të përpjekjes për të realizuar një grusht shtetit", tha Meta. 

Ora 11:37
Meta: Fakte të reja mbi veprimtarinë kriminale të Dvoranit, t'i ndërpritet detyra

Presidenti Ilir Meta tha se ka fakte të reja të cilat do t'i dorëzojë në Prokurori për të thelluar më tej hetimet, në vijim të kallëizmit që ai ka bërë në nëntor, për kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Në një konferencë për mediat, kreu i shtetit tha se Dvorani qëllimisht e ka vonuar procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për të siguruar sipas tij, mandatin e dytë në krye të KED-së. "Fakte të reja mbi vepritarinë kriminale të Ardian Dvoranit", tha Meta, teksa paraqiti faktet sipas tij, që flasin për një veprim të organizuar. Meta kërkoi që Dvoranit t'i ndërpritet detyra. 

"Mirë se erdhët në Kështjellën e mbrojtjes së Kushtetuesës. Po përgatitet dhe do të depozitohet një shtesë me kallëzim penal ndaj Dvroranit, sepse duhet t'i ndalohet ushtrimi funksionit, sepse është i kapur politikisht. Sot janë këtu për të treguar sa larg shkon koordinimi mafioz për kapjen e drejtësisë, ku Ruçi i drejtohet kryetarit të KED-së për t;i kërkuar info për procesin e emërimeve të anëtarëve të Kushtetuesës, brenda ditës i përgjigjet kërkesës duke keqinformuar dhe fshehur indo mbi vullnetin e shprehur të presidencës.  Pa zhvilluar asnjë mbledhje, pa pasur kompetenca ligjore konstaton si të jetë vetë organi i presidencës, zgjedhjen e një anëtari të gjykatës Kushtetueses. Ka shtrembëruar faktet dhe ka abuzuar që në bashkëpunim më kuvendin, ti rrëmbenin presidentin emërimin në Gjykatës Kushtetuese. Dvorani t'i përgjigjet SPAK pse nuk thirri KED për të shqyrtuar shkresën e presidencë, a i ka kompetencat për ta bërë një gjë të tillë. Me kë bashkëpunoi apo e urdhëroi?" tha Meta.