Meta i fiksuar se Berisha i zbuloi dosjen e Sigurimit, do kreun e opozitës si kompensim?

Meta i fiksuar se Berisha i zbuloi dosjen e Sigurimit, do kreun e opozitës si kompensim?

Ilir Meta dhe Sali Berisha

Opozita shqiptare nuk është aq e bashkuar sa po përpiqen ta promovojnë vetë lidererët opozitarë dhe mbështetësit e saj në media, panelet televizive apo dhe zëra të ndryshëm në publik.

Dhe kur themi opozita shqiptare, fjala është për kreun e PD Sali Berisha dhe atë të Partisë së Lirisë, ish presidentin Ilir Meta, të cilët dominojnë dhunshëm këto formacione politike. Por që kanë edhe kompleksin e ndërvartësisë ndaj njëri tjetrit, dhe janë të lidhur me një mijë fije të pazgjidhshme, që gjithsesi janë tepër delikate dhe të cënueshme.

Mungesa e besimit reciprok si dhe rastet kur ia kanë punuar prapa krahëve njëri tjetrit në sezone të ndryshme politike gjatë këtyre 32 viteve, apo momente zgjedhjesh dhe lëvizjesh të tjera kyçe politike, i ka bërë që të kenë të dy paranojën e tradhëtisë dhe “pusisë” politike mes tyre.

Historia politike e dy “dinozaurëve” të politikës shqiptare e ka treguar më së miri këtë, në 32 vitet e lidhjes së tyre politikë, ku herë janë afruar e herë janë larguar. Por gjithnjë pa shkëputur fijet e padukshme dhe të nëndheshme që i lidhin, zanafilla e të cilave është shumë e hershme.

Ndonëse kanë qënë të detyruar të realizojnë “luhatje” të tilla politike, të dakordësuara për të ruajtuar fshehtësinë e bashkëpunimit të nëndheshëm mes tyre, Berisha dhe Meta kanë treguar se për shkak se në “ADN”-në e tyre politike kanë frustimin për të kaluarën, njëri ish komunist dhe me probleme me Sigurimin shqiptar dhe atë ish jugosllav UDB dhe tjetri me Sigurimin e Shtetit, i kanë bërë që në momentet e acarimit të nisur me “leje”, herë herë të kalojnë edhe masën.

Madje dhe të përmendin krime e bëma të tjera reciproke, që në një vend normal e me drejtësi normale, sëpaku duhej të merreshin për të dëshmuar, sepse bëhet fjalë për akuza monstruoze ndaj njëri tjetrit, nga vrasje politike dhe abuzime me paratë e shqiptarëve, e deri tek tradhëtia kombëtare.

Dhe si gjithnjë mes tyre qëndron elementi bazë që ka ngritur paranojën politike si një mur ndarës mes tyre, përmes pyetjes së rëndë: Kush e dekonspiroi dosjen e Sigurimit të Shtetit të Ilir Metës, kush e tregoi “raftin” ku gjendeshin 140 faqet e spiunimit të bashkë-studentit Filip Talo, që e ka zhytur zyrtarisht ish presidentin dhe kryetarin e Partisë së Lirisë në pellgun e imoralitetit politik.

Dhe mbi të gjitha nëse vijon me këtë ritëm shqyrtimi i dosjes së Sigurimit të Metës të nisur nga Autoriteti i hapjes së Dosjeve, nëse vijon po në këtë mënyrë dhe mbështetja politike e mazhorancës dhe një pjese të opozitës për të ndryshuar ligjin për dosjet dhe zhbërë amendamentin e ish-LSI që përjashtonte të hetuarit nga komisionet e  pastrimit të figurës ‘Mezini’ dhe ‘Bezhani’ të të “madhërishmit Berisha”, atëherë Ilir Meta do ta ketë të vështirë të kalojë pragun e sallës së Parlamentit shqiptar apo të jetë në “lojë” për ndonjë post qeveritar nëse opozita vjen ndonjëherë në pushtet.

Këtij procesi dyshimi tek kreu i PL si spiun i Sigurimit të Shtetit po i ndihmon dhe vetë Ilir Meta, me këmbënguljen e tij absurde për të mos bërë “tre gisht” letër në adresë të Autoritetit Dosjeve, për zbardhjen dhe bërjen publike të dosjes së tij të Sigurimit.

Po “certifikon” veten si njeri me dosje, pa hequr nga mendja e tij fiksimin dhe paranojën se është Sali Berisha ai që ia ka dekonspiruar emrin duke orientuar si “rastësisht” Autoritetin drejt kësaj dosjeje, e cila përmban fillesën e tij në rininë e hershme për të ngjitur shkallët e politikës, përmes shërbimit sekret dhe raportimit të shokëve.

Nuk është i pari që e ka bërë këtë punë, por të tjerët me në krye Berishën qëlluan “ustallarë” dhe i zhdukën me themel dosjet e tyre. Ndonëse prodhuan viktima më pas, që si “rastësisht” janë njerëzit e bashkëpunëtorët më të ngushtë të Berishës.

Duke nisur nga Azem Hajdari që denoncoi që më 1995 me autoritetin si kryetar i komisionit Parlamentar të Rendit e SHIK zhdukjen e dosjes së spiunëve të UDB në Shqipëri.  Që nga ajo kohë dhe deri kur u vra para selisë së PD, ish lideri i Dhjetorit nuk pa një ditë të bardhë në partinë që ai vetë kryesoi që në krye të herës derisa e zhvendosi Berisha. Dhe deri ditën kur u ekzekutua para selisë më 12 shtator 1998, Hajdari më shumë qëndroi jashtë strukturave dhe forumeve të PD se sa brenda tyre. Por dhe vetë Meta e ka akuzuar Berishën se ishte pikërisht ai që nxori Azemin në pritë.

Ka dhe të tjerë në radhë të “sakrifikuar”, që nga ish kreu i SHIK Bashkim Gazidede, i cili mori me vete në varr të gjitha sekretet e Sigurimit të Shtetit dhe më vonë, pasi u shua nga një sëmundje e ngadaltë. Apo ish kreu i Kuvendit Pjetër Arbnori, ish kreu i grupit të PD Ali Spahia, ish ambasadori shqiptar në Malajzi Ferit Hoti, të cilët hynë për kontroll mjekësor në të njëjtin spital në Itali dhe dolën me arkivol, e deri tek Gramoz Pashko që u zhduk në det, pa u gjetur as sot e kësaj dite trupi i tij. Pra të gjithë u ndanë nga jeta në mënyrë misterioze. Dinin shumë për këto të “bekuara” dosje apo maskarallëqe të mëvonshme ndoshta, prandaj u ndëshkuan.

Por që të kthehemi tek argumenti, Meta e di fort mirë se Berisha, pasi ka pastruar dosjen e tij ka luajtur me dosjet e të tjerëve, duke i përdorur për 32 vite me radhë si brenda ashtu dhe jashtë partisë. Me sa duket ish Presidenti e ka provuar në kurriz për vite me radhë këtë përdorim, aq sa i është bërë faqja “shollë” dhe nuk i bën përshtypje më. Fundja nuk la post pa provuar këtë këtë vend. Por njëherësh, duke njohur “ustallëkun” e Berishës, te Meta është krijuar paranoja se është pikërisht aleati i tij ai që e ka dorëzuar emrin e tij për dosjen e Sigurimit të Shtetit.

Ndaj është acaruar, duke dalë madje dhe dy herë në ditë në media dhe hedhur akuza në drejtim të mazhorancës së Edi Ramës, por dhe “shigjetuar” Sali Berishën, teksa thotë se do të jetë pikërisht Ilir Meta ai që do t’i japë fund shkeljes së demokracisë në Shqipëri, korrupsionit e mbi të gjitha tranzicionit të tejzgjatur në këtë vend. Ka në mendje ndoshta për të qënë i parë tek opozita.

Në fakt kur i dëgjon këto akuza dhe premtime të Ilir Metës, jemi të bindur se shqiptarëve u duket sikur ish presidenti ka një copë “mish të huaj” në gjuhë, që artikulon fjalë dhe qëndrime që nuk kanë lidhje me realitetin. Pra gjuha artikulon ato që nuk i ka mendja, duke vepruar si sistem “autonom” aq sa ka çuditur shqiptarët, të cilët nuk harrojnë abuzimet e Ilir Metës, që nga vizat për “të rinjtë” e FRESSH për “aktivitete” jashtë vendit, sidomos në vendet nordike, vagonët falas austriakë që u paguan nga buxheti i shtetit, vjedhjen e floririt në Krrabë, “bllokun” e ryshfetin 700 mijë euro të Gimit, aferën e CEZ-DIA e akuzat e Kastriot Ismailajt dhe probleme të tjera.

Por Meta se ka as me Ramën as me askënd tjetër, por vetëm me Sali Berishën. Të cilit në mënyrë indirekte po i kërkon marrjen e drejtimit të opozitës, si kompensim për “gjëmën” që i ka bërë, dekonspirimin e dosjes së Sigurimit të Shtetit. Dhe nuk ka për herë të parë që e kërkon këtë kompensim. E ka kërkuar në të gjitha herët, gjithnjë duke luajtur brenda konturit që i lejon përdorimi nga ana e Berishës i emrit të tij në dosjen e Sigurimit. Por dhe duke i dërguar sinjale se në përgjimin e Dritan Priftit ishte dhe emri i Shkelzen Berishës. S’ia përmend direkt tani por përmes mediave, si ratësisht për të treguar se ka ardhur koha që të drejtojë ai opozitën shqiptare.

Ndonëse Berisha po reziston deri në fund, parim kryesor i liderit të PD për të marrë maksimumin dhe aty ku nuk ka asnjë shans, Meta është aktiv në këto ditë të nxehta gushti. Gjthsesi dhe Sali Berisha nuk qëndron pasiv. Duke shfrytëzuar rëndë një fatkeqësi të ndodhur në Himarë, Jonada Avdia, vajza 7 vjeçare e ardhur me familjen nga jashtë vendit për të kaluar pushimet në atdhe, u nda nga jeta për shkak të moszbatimit të ligjit, pakujdesisë dhe tangërllëkut të një ish polici, duke mbetur pa jetë në helikat e gomones në breg të detit, lideri demokrat po përpiqet të krijojë një kauzë kundër qeverisë.

Për të qënë “violinë e parë” e opozitës kundër qeverisë, pasi rastësisht qëlloi që dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar dhe shefe departamenti në PD Ilirjana Kuçana, të ishte vajza e hallës së babait të Jonadës që humbi jetën në mënyrë tragjike. Dhe Berisha përmes saj artikulon fillimin e protestës, ultiumatumin ndaj kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar ministrat dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por dhe protestën e së hënës. Ku pritet që bashkë me Metën, duke hyrë në bulevard nga drejtime të ndryshme, të jenë në protestë. Ndoshta duke ndezur ndonjë qiri, mpor dhe duke i bërë karshillëk njëri tjetrit.

Nga ana e tij Ilir Meta përmes numrit dy të Partisë së Lirisë lajmëron militantët e qytetarët që tëmarrin pjesë në protestë, duke tentuar të marrë drejtimin e opozitës apo popullit të “2 marsit” siç ka dëshirë ta quajë, “popullin” që ka brenda dhe PD dhe ish LSI-në dhe tani Partinë e Lirisë.

Eshtë një tentativë për t’i kërkuar Berishës drejtimin e opozitës, si një mburojë ndaj masave që mund të merren në të ardhmen për Metën dhe gjithë ish bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit, që të mos “puthin” më në Kuvend dhe në qeverisje.

Teksa Berisha e ka marrë mandatën me shpalljen “non grata” nga SHBA dhe Britania, Meta i dërgon mesazhe kreut të PD që të “shpëtojnë” atë që mund të shpëtojnë nga opozita, pra kryetarin e PL që duke marrë drejtimin opozitar, jo vetëm të shpëtojë veten e tij por dhe alternativën opozitare. Një kalkulim i Metës ky, si për vete kuptohet.

Varet se sa do të lëshojë Berisha. Por Meta nuk tërhiqet, ndoshta është shansi i fundit për të mbetur në lojën e madhe politike, ndryshe, do të jetë dhe ai “non grata”, por i shpallur nga vetë institucionet shqiptare. Opozita do të ketë dy liderë që do të vërtiten rrugëve duke i bërë shoqëri njëri tjetrit, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Rrugëve do mbetet dhe vetë opozita, pa asnjë qasje drejt pushtetit, sa të ketë këta dy drejtues.

 

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • UKU MOMLIT: 08/08/2022 22:03

    Xhungla e korrupsionit dhe krimit shteteror shqiptar po shenon arritje te befasueshme per popullin e varferuar shqiptare dhe sfidon ne menyren me arrogante politiken e artikuluar nga departamenti i SHBA-BE. Edhe sa do shkoje kjo situate zotni Marena???

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare