TIRANË - Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, iu përgjigj presidentit Ilir Meta, pasi ky i fundit tha se do ta kallëzojë penalisht në SPAK. Marrëzi të radhës e quan ministrja reagimin e kreut të shtetit, teksa shprehet e gatshme për t'u përgjigjur para Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ndërsa referuar faktit që Meta tha se e ka humbur besimin e tij si ministre dhe duhet të japë dorëheqjen, Gjonaj tha se "Presidenti ka në dorë vetëm dorëheqjen e tij".

"E përshëndes Presidentin që pas disa shfaqjesh publike pa ekuilibër etik, ka zgjedhur t’i drejtohet SPAK me një kallzim penal për mua; një marrëzi e radhës po të paktën në rrugë institucionale, madje drejt një institucioni të dalë nga Reforma që ai lufton pa fre!

Jam e gatshme t’i përgjigjem ligjërisht, me të gjithë përgjegjësinë po edhe me krenarinë që i përkas Frontit të Reformës në Drejtësi, denigruesit botërisht të njohur të kësaj reforme jetike! Sa për dorëheqjen zotëria ka në dorë vetëm të tijën dhe të askujt tjetër", shkruan Gjonaj në rrjetet sociale. 

Meta paralajmëroi të kallëzojë në SPAK ministren Gjonaj, pasi tha se është ajo që ka kërkuar botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë për pikëzimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese ku Arta Vorpsi radhitej e para.