Meta ktheu anti-shpifjen/ Balla: Mori urdhër nga Basha! Dekretin e rrëzojmë në Kuvend (VIDEO)

TIRANE- Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka deklaruar se Kuvendi do të rrëzojë presidentin Ilir Meta për paketën anti-shpifje, ndërsa e quajti vendimin e tij për ta kthyer mbrapsht një urdhër të kryedemokratit Lulzim Basha. Lidhur me tryezën e opozitës jashtëparlamentare për Reformën Zgjedhore, Balla tha se e vetmja tryezë ku diskutohet kjo reformë është komisioni i ngritur nga Kuvendi për hartimin e saj. Balla bëri thirrje të gjithë anëtarëve të këtij komisioni që të përshpejtojnë punën pasi sipas kodit zgjedhor, ajo duhet të jetë gati një vit para zgjedhjeve.  

"Unë e kam bërë komentin për këtë çështje që në seancë plenare, kur ky hap i rëndësishëm që Shqipëria hodhi për të luftuar dizinformimin si një kërcënim për cilësinë e demokracisë, jo vetëm në Shqipëri por kudo në botën demokratike, se Presidenti Ilir Meta, pas urdhrit të Lulzim Bashës, do të kthente përmes një dekreti dy ligjet komponentë të kësaj Pakete të parë të betejës mbi shpifjen. Siç edhe e kemi thënë, legjislacioni shqiptar duhet përmirësuar sa më shumë, për të garantuar fitoren e së vërtetës ndaj shpifjes. Dua të ri-theksoj se përmirësimet ligjore në të dyja ligjet e Paketës Anti-shpifje janë certifikuar tërësisht nga partneri ynë i rëndësishëm, siç është OSBE, edhe në kuadër të faktit historik që Shqipëria ka nderin dhe përgjegjësinë e madhe të drejtojë këtë organizatë që mban në vetvete më shumë se 1 miliard qytetarë dhe më shumë se 57 vende. Sipas procedurës parlamentare, ditën e hënë më datë 20 janar, ardhja e dekreteve i njoftohet seancës plenare dhe më pas, menjëherë sipas procedurës, Komisioni përgjegjës do ti shqyrtojë dhe në seancën më të parë pasuese, dekretet e Ilir Meta do të rrëzohen. Vendi ku diskutohet Reforma Zgjedhore është Parlamenti dhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore. Partia Demokratike e ka vendin e saj të garantuar përmes vendimit të Kuvendit të Shqipërisë. Partisë Demokratike i është garantuar e drejta e vetos, njëlloj si me opozitën parlamentare dhe shumicën parlamentare. Unë përfitoj nga rasti të nxis të gjithë anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore të ecim sa më shpejt, sepse edhe përse duken larg zgjedhjet e qershorit 2021, parimet dhe rregullat e cilësisë së zgjedhjeve kërkojnë një kohë më shumë se një vit para zhvillimit të tyre, ne të kemi të gjithë kuadrin ligjor. Siç e kemi thënë, hapi më i rëndësishëm i Reformës Zgjedhore është adresimi i plotë i rekomandimeve të ODIHR. Dua të them se është bërë një hap shumë i rëndësishëm në këtë kuadër. Ndërkohë lidhur me një çështje tjetër që është artikuluar dhe nga opozita parlamentare, çështja e sistemit zgjedhor, dua të them se kjo nuk është çështje që lidhet me Kodin Zgjedhor, por me Kushtetutën. Sa herë bëhet fjalë për Kushtetutën diskutimi duhet të jetë më i gjerë, më gjithëpërfshirës dhe i takon një momenti të dytë, nuk është për këtë moment të parë.

Numri dy i PS foli edhe për rastet e kryebashkiakëve të denoncuar nga Partia Demokratike se kanë fshehur dënimin në formularin e dekriminalizimit. Ai tha se prokuroria duhet të çojë deri në fund verifikimin e tyre në mënyrë që opinioni publik të informohet për të shkuarën e çdo zyrtari. "Partia Socialiste ka një vendim politik që prej ditës që ka mbështetur fuqimisht ligjin dhe paketën e dekriminalizimit të shoqëruar me vendimet përkatëse. Nuk i takon më asnjë lloj përgjegjësie Partisë Socialiste, në këtë rast, apo çdo partie tjetër që propozon kandidatura, por është një përgjegjësi personale. I bëj thirrje Prokurorisë së Përgjithshme si autoriteti i ngarkuar me ligj për verifikimet të mos humbë kohë për asnjë rast të tillë për çdo lloj partie apo çdo lloj individi. Në çdo rast këtë detyrë e ka Prokuroria e Përgjithshme dhe çdo aktor tjetër, duhet të heqë dorë nga marrja e ushtrimit të kësaj detyre nga ana e Prokurorisë", tha Balla.

Sa i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Balla tha se kreu i saj do të votohet me nisjen e sesionit të ri paralamentar, ndërsa theksoi se Reforma në Drejtësi ka bllokuar çdo tentativë që synon vonesën e këtij procesi. "Pesë emra kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi i Shqipërisë ka afat deri më 26 janar. Sapo Kuvendi të rifillojë sesionin në 20 janar, do të votohet. Nëse njëri prej kandidatëve merr 84 vota atëherë ai automatikisht është Inspektor i Lartë i Drejtësisë. Në rast të kundërt në përfundim të afatit 30-ditor, ai që është renditur i pari në listë, do të zgjidhet automatikisht fitues. Kjo është një tjetër arsye e fortë për të kuptuar se draftimi i Reformës në Drejtësi një prej elementëve të rinj që solli është çelësi zhbllokues për rastet kur Kuvendi nuk arrin të garantojë një votë të cilësuar, 84 vota, për një prej kandidatëve. Nuk dua të bëj koment për asnjë prej kandidatëve, sepse duhet respektuar procedura parlamentare", deklaroi Balla.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'