TIRANE - Lideri i LSI-së, Ilir Meta ka zhvilluar një bashkëbisedim të lirë me qytetaret në rrjetin social Facebook në formën e pyetje-përgjigje, duke u përgjigjur 342 pyetjeve në harkun kohor të dy ditëve.

“Të nderuar miq është kënaqësi e veçantë për mua që të komunikoj drejtpërdrejtë me ju nëpërmjet medias sociale të “Facebook”. Dua të shpreh kënaqësinë time për qindra pyetje që më janë drejtuar”, është shprehur Meta në nisje të përgjigjeve të tij.

Pyetjes së bërë nga më shumë se 60 qytetarë se “cili do të jetë koalicioni i ardhshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet të 23 qershorit”, Meta i është përgjigjur duke thënë se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që i qëndron marrëveshjeve.

Meta i paqartë për koalicionet


Meta ka konfirmuar se koalicioni është një çështje e cila do të diskutohet në momentin e duhur dhe do të vendoset nga Konventa Kombëtare e LSI-së, e cila përbëhet nga 2300 delegatë. Natyrisht kjo nuk do të vendoset vetvetiu. Ne gjykojmë që në dy javët e para të muajit prill të hapet debati lidhur me çështjen e koalicionit të ardhshëm dhe brenda 16 prillit, pra një javë përpara së të përfundojë afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve, të merret një vendim përfundimtar dhe sa më i përgjegjshëm i Konventës Kombëtare të LSI-së. Në bashkëbisedimin me qytetarët Meta ka theksuar se në asnjë rast nuk do të bëhemi palë e këtij konflikti politik që ka bllokuar procesin e marrjes së statusit kandidat nga ana e Shqipërisë, pra për në Bashkimin Europian dhe njëkohësisht ne do të jemi në çdo rast një forcë konstruktive e cila do të punojë për të garantuar një standard më të lartë të zgjedhjeve të 23 qershorit.

Meta flet për programin

Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetin social Meta ka theksuar po punojmë për përgatitjen e programit të ardhshëm elektoral të LSI-së dhe natyrisht që ndërsa për koalicionin parazgjedhor do duhet që të shprehet Konventa, për çdo koalicion paszgjedhor do të dëgjohet vota e qytetarëve në 23 qershor dhe koalicionet më të sigurta janë ata që bazohen në respektin ndaj votës së qytetarëve.

Punësimi

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim është shprehur se “Motoja e LSI-së është “Arsimim për punësim”. Kjo do të thotë që nuk është e rëndësishme për një të ri vetëm të arsimohet por është e rëndësishme që të arsimohet në funksion edhe të mundësisë për të gjetur një punë të sigurt për të ardhmen e tij, në mënyrë që diplomat të mos mbeten fiktive apo thjesht për të plotësuar disa ambicie kulturore. Në këtë drejtim ne vlerësojmë se ka një mospërputhje ende serioze midis arsimimit dhe mundësisë për punësimin, ka theksuar Meta. Meta ka folur edhe për rëndësinë e formimit profesional, pasi është shumë e rëndësishme për të krijuar mundësinë e arsimimit dhe të formimit për shumë profesione të domosdoshme dhe të kërkuara sot në tregun e punës, të cilat nuk u është kushtuar rëndësia e duhur deri më tani.

Koalicioni me PD-në


Kreu i LSI, ka diskutuar edhe për koalicionin me Partinë Demokratike. Ai theksoi se ky koalicion ka treguar që është një koalicion i qëndrueshëm dhe që ka arritur të sigurojë një stabilitet të përgjithshëm politik dhe ekonomik në vend, duke pasur në konsideratë rrethanat rajonale, evropiane e globale të një krize që ende vazhdon dhe që është me pasoja tepër të ashpra në vendet tona fqinje si Greqia apo edhe Italia. Meta theksoi se ky stabilitet dhe kjo qëndrueshmëri pa asnjë diskutim që është një sukses edhe i këtij koalicioni që LSI ka realizuar dhe ka kontribuar deri tani. Le të mos harrojmë që brenda vitit të parë ky koalicion arriti një sukses të jashtëzakonshëm që ishte realizimi në kohë, pra brenda vitit të parë të qeverisjes, për liberalizimin e vizave të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Gjithashtu kreu i LSI është shprehur se nëse situata politike në vend do të kishte qenë më bashkëpunuese, nuk do të kishim pasur bllokimet, bojkotet e vazhdueshme nga ana e opozitës por një dialog më normal si në çdo vend tjetër demokratik evropian.


Meta flet për tre ligjet

Meta e ka cilësuar miratimin e tre ligjeve si kërkesën më minimale që Shqipëria të marrë statusit e vendit kandidat.
“Këto ligje janë bërë të famshme sepse janë bërë objekt i një debati të jashtëzakonshëm përgjatë këtyre muajve të fundit dhe njëkohësisht nuk janë bërë të famshme për mirë por janë bërë të famshme për keq, pavarësisht se nuk është faji i këtyre dy ligjeve dhe i kësaj rregulloreje që pritet të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë sepse këto janë të standardeve evropiane. Është faji i konfliktit politik dhe i bllokimit që nuk kanë ndihmuar për të realizuar konsensusin e domosdoshëm prej 3/5 që duhet për miratimin e tyre".
Meta tha statusi është plotësisht i arritshëm, varet nga politikanët. Ne si LSI do të vazhdojmë të kërkojmë këtë bashkëpunim të domosdoshëm sepse është e rëndësishme që të mos i bëhemi pengesë vendit për realizimin e një aspirate që u takon të gjithë shqiptarëve dhe që s’mund të jetë kurrsesi as pronë dhe as pasuri e politikës. Ndaj shpresoj që edhe kjo vizitë e Komisionerit Fyle të japë efekte pozitive në këtë drejtim.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)