TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë Nikolaos Chountis i cili viziton Tiranën në kuadër të takimit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore (SEECP).

Kryetari i Kuvendit Meta e uroi Chountis për detyrën e re si dhe për kabinetin e ri qeveritar në Greqi duke theksuar se suksesi dhe stabiliteti i Greqisë është sukses dhe stabilitet për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin tonë.

Meta vuri në dukje se Shqipëria e konsideron Greqinë si një partner të rëndësishëm strategjik në rajon dhe në Bashkimin Evropian, dhe në këtë drejtim vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të vendit fqinj në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë  Nikolaos Chountis shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Tiranë dhe nënvizoi se Greqia mbetet e angazhuar për avancimin e axhendës evropiane të Shqipërisë duke vënë në dukje lidhjet e forta tradicionale e miqësore mes dy vendeve fqinje.

Chountis theksoi gjithashtu se se qeveria e re greke e ndjek përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të rajonit me vëmendje të veçantë, duke i konsideruar marrëdhëniet greko-shqiptare në këtë kuadër si shumë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit.

Meta dhe Chountis ndanë bindjen e përbashkët në përfundim se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve fqinje dhe miqësia tradicionale mes popujve tanë duhet të konsolidohet edhe më tej, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërparlamentare në këtë kontekst.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)