TIRANE- Presidenti Ilir Meta kërkon të përsërisë në 8 Dhjetor 22 Nëntorin e vitit 1998 duke zhveshur veten nga kompetencat e të qenit mbi palët dhe duke u pozicionuar kundër qeverisë. Në një nismë paprecedent për një kryetar Shteti, Ilir Meta i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të mblidhen në 8 Dhjetor në sheshin Demokracia në qytetin Studenti, për të nderuar studentët e Dhjetorit. Meta sulmon qeverinë duke e akuzuar se po qeveris keq vendin ndërsa bën thirrje që Shqipëria me çdo çmim duhet të futet në epokën e referendumeve.

"Të dashur qytetarë! Më 8 dhjetor ju pres në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia”! Le të nderojmë së bashku studentët e Dhjetorit, të cilët me guximin e tyre çelën një epokë të re për shqiptarët, atë të demokracisë që kjo pakicë politike e ka tradhtuar, duke shpopulluar vendin, duke eliminuar përfaqësimin e qytetarëve e duke kapur shtetin përmes dhunimit të Kushtetutës e ligjit. Mjaft me këtë pakicë politike që keq qeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi! Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998. Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, që partitë të jenë nën presionin e popullit, të interesit publik dhe kombëtar dhe jo si tani që populli të jetë viktimë e partive dhe në mëshirën e tyre. Të gjithë vetëm me flamuj kombëtar në Shesh më 8 Dhjetor! Shqipëria e Para!", shkruan Meta.

Lëvizja e propozuar nga kreu i shtetit mbi referendum u komentua një ditë më parë edhe nga kryedemokrati Lulzim Basha, i cili tha se kjo është një nismë që duhet të marrin të gjithë politikanët për të qenë në kontakt me qytetarët por shtoi se nuk do t'i bashkohet asaj. Nga ana tjetër Ministri i Diasporës Pandeli Majko, i vetmi reagim zyrtar nga mazhoranca e ka quajtur të paprecedentë thirrjen e presidentit Meta për të dalë në tubim më 8 dhjetor. Majko u shpreh se Presidentit Meta i duhet të ulë palët në tavolinë për dialog dhe jo të bëhet palë e të bëjë mitingje.