“Pa asnjë diskutim që ne do të fitojmë në 21 qershor, pa asnjë dyshim që vota juaj për doktor Melaimin është vota për të shëruar plagët që ende i dhembin Bulqizës. Ju e keni ndjerë në 18 muaj angazhimin tonë, angazhimin e qeverisë Rama, të kësaj mazhorance për të mbajtur premtimet përpara komunitetit të shkëlqyer të Bulqizës. Tashmë ulja e moshës së pensionit për minatorët e Bulqizës, dhe jo vetëm, në 55 vjeç nuk është një premtim, por është një realizim konkret. Tashmë investimet që kanë nisur për t’i dhënë një perspektivë tjetër të paktën dhe për 30 vitet që vijnë industrisë së nxjerrjes së kromit janë një realitet, nuk janë një premtim. Ne kemi treguar se nuk bëjmë rrugë dhe nuk hapim rrugë thjeshtë për fushata elektorale dhe nuk i lëmë rrugët, rrugëve. Në vjeshtë fillon dhe do të përfundojë Rruga e Arbrit, ajo që do ta lidhë Bulqizën me Tiranën për 40 minuta në mënyrën më komode, duke i dhënë fund izolimit historik të gjithë kësaj treve të jashtëzakonshme”, - tha Meta.
Sipas liderit të LSI-së zgjedhjet e 21 qershorit i japin fund keqorganizimit administrativ dhe territorial prej 25 vitesh dhe do të hapë një epokë të re 61 bashkive të reja.
“Por unë do t’ju lutesha shumë të gjithë banorëve të Bulqizës, të Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë, do t’ju lutesha në radhë të parë të gjithë qytetarëve shqiptarë të mos e humbin rastin për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, sepse këto nuk janë zgjedhje lokale të zakonshme, që bëhen thjeshtë një herë në 4 vjet. Në zgjedhjet e 21 qershorit populli shqiptar do t’i japë fund një keqorganizimi administrativ dhe territorial prej 25 vitesh që luajti një rol bllokues për progresin dhe për zhvillimin dhe do të hapë një epokë të re të organizimit territorial dhe administrativ përmes 61 bashkive të reja, për dekadat që vijnë. Ndaj askush nuk duhet ta humbi këtë mundësi që të jetë pjesëtar i zgjedhjeve të 21 qershorit, të cilat nuk do të mbahen mend për rezultatin që do të japë populli i Shqipërisë në 21 qershor, por do të mbahen mend për pjesëmarrje të jashtëzakonshme për mbështetjen që do t’i jepet kësaj reforme madhore dhe historike për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe kjo është një reformë shumë e rëndësishme edhe për të ardhmen e Bulqizës sepse do të kemi një bashki të re të Bulqizës, një bashki shumë herë më të madhe, shumë herë më të fuqishme ku më në fund do të vihen në rrugën e zgjidhjes shumë probleme të cilat deri tani për shkak të fragmetarizimit ishte e pamundur të menaxhohej dhe ishte e pamundur t’i kërkohej llogari drejtuesve të pushtetit vendor. Ndaj votoni në 21 qershor, t’i thoni po reformës administrative territoriale, t’i thoni po zgjidhjes së problemeve të komunitetit tuaj dhe kudo anembanë në çdo bashki të vendit. T’i thoni po këtu në Bulqizë doktor Melaimit, sepse ai është një intelektual i shqyer, është një mjek mjaft human dhe mjaft i ndjeshëm që e ka treguar veten e tij duke i shërbyer të gjithëve pa asnjë dallim për gati 20 vite dhe jam i bindur që do të jetë një administrator i jashtëzakonshëm i Bashkisë së re të madhe të Bulqizës”, - vijoi Meta.